Përfaqësuesja e Shqipërisë, Kroni Pula, u rendit e gjashta me 145 pikë në Junior Eurovision Song Contest 2025
Përfaqësuesja e Shqipërisë në Junior Eurovision 2025, Kroni Pula, shënoi një paraqitje të spikatur dhe plot dinjitet, duke u renditur në vendin e gjashtë në një nga kompeticionet më të rëndësishme muzikore për fëmijë në Europë, që bashkoi artistë të rinj nga 18 shtete të ndryshme.
Finalja madhështore, e mbyllur mbrëmjen e djeshme, u kurorëzua me fitoren e Lou Deleuze nga Franca, e cila preku juritë dhe publikun me këngën “Ce Monde”, një interpretim i ndjeshëm dhe bashkëkohor që i siguroi vendin e parë.

Në këtë skenë konkurruese dhe shumëngjyrëshe, Kroni Pula arriti të spikasë jo vetëm për energjinë dhe autenticitetin, por edhe për mesazhin e gëzueshëm dhe komunikues të këngës “Fruta Perime”. Interpretimi i saj u prit me duartrokitje të gjata në sallë, ndërsa rezultati përfundimtar prej 145 pikësh e pozicionoi Shqipërinë mes vendeve më të vlerësuara të edicionit.
Një nga momentet më domethënëse të mbrëmjes ishte vlerësimi maksimal prej 12 pikësh nga juria franceze, një gjest simbolik që erdhi pikërisht nga vendi fitues i festivalit dhe që dëshmoi respektin artistik për performancën shqiptare.
Po aq e rëndësishme ishte edhe mbështetja masive e publikut ndërkombëtar. Në votimin online, ku morën pjesë votues nga 188 vende të botës, Shqipëria arriti të grumbullojë 85 pikë, një kontribut vendimtar që e ngjiti Kronin në pjesën e sipërme të renditjes përfundimtare.
Ky rezultat nuk është vetëm një sukses personal për Kroni Pulën, por edhe një konfirmim i potencialit artistik të fëmijëve shqiptarë, si dhe i seriozitetit me të cilin Shqipëria po ndërton përfaqësimin e saj në skenat ndërkombëtare kulturore. Një paraqitje që lë gjurmë, frymëzon dhe hap rrugë për suksese të tjera në të ardhmen.
Albert Vataj
KOHA JONË SONDAZH

