Pjerin Ndreu: Zjarret në Pukë, pasojë e qartë e një akti kriminal
Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, ka reaguar lidhur me zjarret e rëna në veri të vendit, duke i cilësuar absurde pretendimet se ato kanë lidhje me “Paketën e Maleve”.
Duke iu referuar situatës së krijuar nga zjarri në fshatin Gojan të Pukës, Ndreu tha se ngjarja duhet të shërbejë si një thirrje për më shumë kujdes dhe angazhim në parandalimin e zjarreve.
Ai deklaroi se e ka ndjekur situatën në Gojan në mënyrë të vazhdueshme, në kontakt me banorët, drejtuesit e operacionit në terren dhe ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi.
“Falë Zotit, nuk kemi viktima në njerëz”, u shpreh Ndreu, ndërsa theksoi se sipas tij zjarri është pasojë e një akti kriminal.
“Dikush ose disa ndezën zjarrin. Më pas, kushtet e vështira të terrenit, erërat e forta dhe thatësira, që favorizoi përhapjen e shpejtë të flakëve, dominuan edhe mbi përpjekjet heroike të zjarrfikësve, banorëve dhe pilotëve”, tha ai.
Ndreu kritikoi gjithashtu reagimet politike ndaj situatës, duke argumentuar se në një moment të tillë vëmendja duhet të përqendrohet te mbështetja e banorëve dhe forcave që po përballen me zjarret.
“Edhe më absurd është pretendimi se zjarret lidhen me ‘Paketën e Maleve’. Këto janë përralla dhe përpjekje për përfitim politik e personal në kurriz të një ngjarjeje të rëndë”, deklaroi kryebashkiaku.
Në përfundim, Ndreu bëri thirrje për solidaritet dhe veprim konkret, duke kërkuar që përballë situatës së zjarreve të shmangen akuzat politike.
“Sot nevojitet solidaritet, përgjegjësi dhe veprim konkret, jo politikë me fatkeqësinë”, u shpreh ai.
KOHA JONË SONDAZH

