Presidenti Begaj dekoron dy senatorë amerikanë me dekoratën e lartë “Komandar i Urdhrit Suprem të Shqiponjës”
Presidenti Bajram Begaj, priti sot në Pallatin e Brigadave senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, të cilët i dekoroi me dekoratën e lartë “Komandar i Urdhrit Suprem të Shqiponjës”.
Përmes një postimi, kreu i shtetit bëri të ditur se dekorimi u akordua në vlerësim të kontributit të veçantë të dy senatorëve në forcimin e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Begaj vlerësoi gjithashtu mbështetjen e tyre për integrimin euroatlantik të Shqipërisë, si dhe për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Postimi i plotë
Sot, në Pallatin e Brigadave, pata kënaqësinë të prisja e të dekoroja Senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, me dekoratën e lartë “Komandar i Urdhrit Suprem të Shqiponjës” në vlerësim të kontributit të tyre të veçantë në forcimin e partneritetit strategjik Shqipëri–SHBA dhe mbështetjes për integrimin Euroatlantik të vendit, si dhe për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Për Shqipërinë dhe shqiptarët, miqësia historike dhe partneriteti strategjik me SHBA-në janë garanci për zhvillimin demokratik, forcimin e shtetit të së drejtës dhe prosperitetin e vendit tonë.





