Presidenti: Gent Sejko për Guvernator të BSH-së. A do e mbështesë mazhoranca?!

Sipas kreut të shtetit, eksperienca mbi 20-vjeçare në funksione të ndryshme në sistemin bankar i ka dhënë Sejkos njohje dhe ekspertizë të lartë për sistemin bankar vendas dhe atë ndërkombëtar. Po kështu, – vijon presidenti – edukimi profesional në Shqipëri dhe në vendet e zhvilluara, si dhe integriteti i lartë moral që ka treguar përgjatë këtyre viteve, e bëjnë zotin Sejko një kandidat serioz, që arrin standardet më të larta të kërkuara për funksionin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.

Në dekret, Presidenti vë në dijeni Parlamentin se kandidatura e Sejkos është përzgjedhur mes 42 emrave, që kanë aplikuar pranë kreut të shtetit, pas një procesi të hollësishëm vlerësimi. Por, edhe pse kompetencën për propozimin e Guvernatorit e ka Presidenti, është Parlamenti ai që merr vendimin përfundimtar mbi kreun e ardhshëm të Bankës së Shqipërisë.

Debati për zgjedhjen e Guvernatorit

A duhet të vijë mes anëtarëve të Këshillit?

Dekreti i Presidentit për propozimin e Sejkos vjen pas një procesi të nisur disa muaj më parë, kur kreu i shtetit ftoi zyrtarisht të gjithë personat e interesuar për postin e Guvernatorit, që të aplikonin pranë zyrës së tij.

Gjatë kësaj kohe, zoti Nishani ka bërë të ditur publikisht, në më shumë se një rast, edhe hollësi mbi ecurinë e procesit. Pak kohë më parë madje, në emisionin “Top Story” të Sokol Ballës, Presidenti zbuloi se nga 42 emrat që kanë aplikuar, ai kishte përzgjedhur 7.

Paralelisht, në dy muajt e fundit, kreu i shtetit ka zhvilluar për këtë çështje edhe takime të përsëritura me kryeministrin Rama, kryetarin e Kuvendit Meta dhe liderin e opozitës Basha. Zyrtarisht për publikun është bërë e ditur se në takime është folur vetëm mbi kriteret, që duhet të ketë Guvernatori i ri, dhe jo mbi emra të posaçëm.

Por, në sfond të këtyre zhvillimeve ka pasur edhe një debat në distancë mes disa përfaqësuesve të lartë të mazhorancës dhe kreut të shtetit. Një debat, i cili mpleks jo vetëm aspekte politike, por edhe një përplasje argumentesh juridikë.

Ligji për Bankën e Shqipërisë i jep Presidentit të drejtën për propozimin e  Guvernatorit, por në të njëtën kohë, tagrin për përzgjedhjen e 9 anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës ia njeh 3 qeverisë, 5 Parlamentit dhe 1 vetë Këshillit.Kandidatura e zotit Sejko vjen jashtë këtyre institucioneve dhe, pikërisht ky, ka qenë dhe debati në distancë mes Presidentit dhe përfaqësuesve të mazhorancës, veçanërisht Erion Braçes që drejton Komisionin parlamentar të Ekonomisë.

Zoti Braçe pretendon se ligji nuk i jep hapësirë Presidentit të zgjedhë një kandidaturë nga jashtë, pasi në këtë mënyrë cënon kompetencat ose të qeverisë, ose të Parlamentit, duke iu hequr atyre të drejtën e një propozimi.

Por, kreu i shtetit thotë se ligji dhe Kushtetuta ia njohin atij të drejtën e Guvernatorit. Tashmë ajo që mbetet për t’u parë është se cili do të jetë qëndrimi i mazhorancës në Parlament. A do ta pranojë ajo propozimin e zotit Nishani, apo procesi i zgjedhjes së Guvernatorit do të hyjë në skenarë të tjerë. / Top Channel/

SHKARKO APP