
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Bruksel, ku axhenda e tij u përqendrua te dy prej çështjeve më të rëndësishme për Shqipërinë: integrimi në Bashkimin Europian dhe angazhimet në kuadër të NATO-s.
Gjatë qëndrimit në kryeqytetin belg, Rama mori pjesë në Euronews Enlargement Summit, një takim i nivelit të lartë ku liderë dhe përfaqësues të institucioneve diskutuan të ardhmen e zgjerimit të BE-së dhe perspektivën e vendeve që synojnë anëtarësimin. Në fokus të diskutimeve ishin reformat që duhet të përmbushin vendet kandidate, progresi i tyre drejt integrimit, si dhe ndikimi që zgjerimi mund të ketë në sigurinë, demokracinë dhe ekonominë europiane.
Kreu i qeverisë shqiptare dha edhe një intervistë për Euronews, ku foli për rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Paralelisht me angazhimet politike, vijojnë edhe negociatat dhe takimet teknike për përmbylljen e grupkapitujve të radhës.
Një tjetër moment i rëndësishëm i vizitës ishte takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në selinë e Aleancës në Bruksel. Gjatë bisedës, Rutte vlerësoi ecurinë e sektorit të mbrojtjes në Shqipëri dhe seriozitetin e vendit në përmbushjen e detyrimeve si anëtare e NATO-s.
Vizita e Ramës në Bruksel vjen në një moment kur integrimi europian dhe forcimi i kapaciteteve mbrojtëse mbeten dy prej prioriteteve kryesore të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
