Rama në konferencë me Marta Kos: Mbyllëm një takim të frytshëm, me hapa që na afrojnë me BE-në
Kryeministri Edi Rama dhe Komisionerja e BE për Zgjerimin, Marta Kos, kanë zhvilluar një konferencë të përbashkët pas samitit të sotëm që u mbajt në Tiranë.
Rama e përshkroi samitin si “të frytshëm për afrimin e rajonit me Bashkimin Evropian” dhe tha se plani i ri i rritjes shërben si një urë e shpejtë dhe e sigurt drejt tregut të përbashkët evropian, duke përmendur disa nga angazhimet kryesore:
“Roaming-u pa tarifa shtesë për qytetarët e Ballkanit Perëndimor, një hap që vlerësohet si domethënës pas heqjes së ngarkesave ekstra për pagesat.
Ndërlidhja me korridoret evropiane, e cila mbetet prioritet dhe do të financohet nga instrumentet e BE.
Transformimi digjital dhe identiteti digjital, që pritet të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm.
Aftësimi i zinxhirit të vlerës së BE dhe turizmi, si komponentë që duhet fuqizuar përmes bashkëpunimit rajonal.
Fuqizimi i arsimit të lartë dhe ndërkombëtarizimi i tij, një proces që tashmë ka nisur në Shqipëri dhe që pritet të zhvillohet më tej me mbështetjen e Komisionit Evropian”, tha Rama.
Kryeministri sqaroi se identifikimi do të bëhet përmes celularit, duke eliminuar nevojën për karta identiteti dhe pasaporta, dhe do të lehtësojë edhe transaksionet financiare dixhitale.

