
Kryeministri Edi Rama ka vijuar fjalën e tij në Asamblenë e Partisë Socialiste të Tiranës, ku është ndalur te politikat e strehimit social dhe krijimi i një skeme të re për strehimin e përballueshëm. Sipas tij, kjo nismë synon të ndihmojë jo vetëm familjet në vështirësi ekonomike, por edhe të rinjtë dhe shtresën e mesme që nuk arrijnë të përballojnë çmimet e larta të apartamenteve.
Rama u shpreh se zhvillimi i shpejtë i Shqipërisë gjatë dekadës së fundit nuk ka përfshirë njësoj të gjitha kategoritë e shoqërisë, duke bërë që strehimi të kthehet në një problem edhe për punonjësit e administratës dhe profesionistët e sektorit publik.
Ai përmendi si kategori që kanë nevojë për mbështetje policët, infermierët, ushtarakët dhe të rinjtë që, pavarësisht se janë në punë, nuk kanë mundësi financiare për të blerë një banesë.
Kreu i qeverisë bëri të ditur se përmes ligjit të ri do të krijohet një skemë e veçantë për strehimin e përballueshëm, ku parashikohet mbështetje edhe për qiratë. Sipas tij, projekti do të përfshijë gjithashtu shërbime të rëndësishme pranë banesave, si shkolla dhe kopshte.
Duke iu referuar objektivave të qeverisë, Rama deklaroi se duke nisur nga viti i ardhshëm, 10 mijë familje do të kenë mundësinë të përfitojnë një banesë, ndërsa deri në vitin 2030 synohet të shpërndahen gjithsej 55 mijë çelësa për familjet që plotësojnë kriteret e skemës.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri u ndal edhe te ndërtimet e reja në Tiranë, duke kundërshtuar kritikat ndaj kullave. Ai argumentoi se ndërtimet sjellin të ardhura për Bashkinë e Tiranës dhe ndihmojnë në financimin e shërbimeve publike.
Në këtë kontekst, Rama përmendi se 3% e sipërfaqes së ndërtimeve shkon për strehimin social, ndërsa 8% përfaqëson taksën që përfiton qyteti. Sipas tij, këto kontribute janë të rëndësishme për përballimin e nevojave të kryeqytetit.
