Rama uron javë të mbarë nga Plazhi i Ranës së Hedhun, perla ku dunat takojnë detin

Një mëngjes vere nga Plazhi i Ranës së Hedhun, në Shëngjin, ka zgjedhur kryeministri Edi Rama për t’u uruar shqiptarëve një javë të mbarë. Përmes një videokartoline që sjell atmosferën e qetë të pushimeve, ai përcjell jo vetëm një urim, por edhe një ftesë për të zbuluar një prej destinacioneve më të veçanta të bregdetit shqiptar.

Rana e Hedhun, e njohur për dunat e saj spektakolare të rërës që zbresin drejt ujërave të kaltër të Adriatikut, përfaqëson një peizazh të rrallë natyror, ku mali, pylli mesdhetar dhe deti bashkëjetojnë në një harmoni mbresëlënëse. Ky kontrast e ka shndërruar plazhin në një nga ikonat turistike të veriut të vendit dhe një prej vendeve më të fotografuara gjatë sezonit veror.

Swiss Digital Desktop Reklama

Pamjet e publikuara tregojnë një ditë të zakonshme pushimesh: familje, të rinj e vizitorë që shijojnë detin e pastër, rërën e imët dhe qetësinë që ofron kjo hapësirë natyrore. Në vitet e fundit, falë zgjerimit të infrastrukturës turistike, përmirësimit të shërbimeve, rritjes së kapaciteteve akomoduese dhe standardeve të sigurisë, Rana e Hedhun është kthyer në një destinacion gjithnjë e më të kërkuar, duke pritur mijëra pushues nga Shqipëria, Kosova dhe vende të tjera.

Swiss Digital Mobile Reklama

Videomesazhi i kryeministrit vjen si një promovim i mëtejshëm i potencialit turistik të kësaj zone, e cila mishëron një model zhvillimi ku bukuria natyrore dhe oferta turistike ndërthuren për t’u ofruar vizitorëve relaks, freski dhe një përvojë autentike verore.

Në këtë fillim jave, urimi vjen me ngjyrat e detit, dritën e diellit dhe qetësinë e Ranës së Hedhun, një prej perlave të bregdetit shqiptar që vijon të fitojë zemrat e pushuesve, duke dëshmuar se natyra mbetet pasuria më e vyer e turizmit tonë.

Albert Vataj

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?