Roli i serbëve në disfatën e betejës së Dytë të Fushë Kosovës kundër osmanëve më 17 tetor 1448 dhe hakmarrja e Skënderbeut ndaj tyre

Nga Albert Vataj
Në historinë e mesjetës ballkanike, Beteja e Dytë e Fushë Kosovës zë një vend të veçantë si pika e kthesës që vulosi fatin e rajonit për disa shekuj. Ajo nuk ishte thjesht një përballje ushtarake mes koalicionit të krishterë dhe Perandorisë Osmane, por një provë vendimtare e qëndrueshmërisë së Europës Lindore përballë fuqisë osmane. Pas humbjes në këtë betejë, rruga e perandorisë drejt Evropës Qendrore mbeti pothuaj e hapur, ndërsa popujt e Ballkanit ranë njëri pas tjetrit nën pushtimin e saj.
Në këtë dramë të madhe historike, Skënderbeu qëndron si figura më e spikatur e qëndresës dhe dinjitetit europian. Edhe pse nuk mori pjesë drejtpërdrejt në betejë, ai ishte pjesë e projektit më të gjerë të bashkimit të forcave të krishtera nën udhëheqjen e János Hunyadit, për t’i dhënë fund pushtimit osman në Ballkan. Dështimi i këtij bashkimi, për shkak të tradhtive, përçarjeve dhe ambicieve personale,e la Skënderbeun të vetmuar në misionin e tij, por e ngriti në piedestalin e luftëtarit të vetëm që vazhdoi të përballej me perandorinë më të fuqishme të kohës.

Më 17 tetor 1448 filloi Beteja e dytë e Fushë Kosovës, një nga përballjet më të rëndësishme dhe tragjike të historisë mesjetare të Ballkanit. Për tri ditë me radhë, në fushën që ndan Llapin e Sitnicën, u ndeshën forcat e Perandorisë Osmane, të komanduara nga sulltan Murati II, me ushtrinë e koalicionit të krishterë të udhëhequr nga János Hunyadi, komandant i përgjithshëm i Hungarisë dhe një prej figurave më të spikatura të fushatave kundërosmane.
Në radhët e koalicionit morën pjesë hungarezë, shqiptarë, rumunë të Vllahisë, polakë dhe kryqtarë europianë, që kishin si synim ndalimin e zgjerimit osman dhe çlirimin e Ballkanit nga sundimi i tyre. Ashtu si në Betejën e parë të Fushë Kosovës më 1389, forcat ballkanase do të pësonin një tjetër disfatë të rëndë.

Beteja zgjati tri ditë, nga 17 deri më 19 tetor, dhe përfundoi me fitore vendimtare të osmanëve, të cilët me këtë triumf shuan çdo shpresë të krishterëve për një çlirim të afërt të rajonit. Humbja e Fushë Kosovës e vulosi përfundimisht fatin e Ballkanit nën sundimin osman për disa shekuj të tjerë.
Kjo betejë ishte hallka e tretë e një varg fushatash që forcuan fuqinë e sulltan Muratit II: Më 1444, fitorja e madhe kundër ushtrisë kryqtare në Varna, ku u shkatërrua një aleancë e ngjashme europiane; 1446, pushtimi i Moresë (Peloponezit), që nënshtronte përfundimisht Bizantin e mbetur; dhe 1448, përballja në Fushë Kosovë, që përmbylli ciklin e triumfeve osmane.
Në këtë kuadër, Beteja e Fushë Kosovës ishte gjithashtu rezultat i përpjekjeve të Hunyadit për të bashkuar forcat me Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, por pa sukses. Skënderbeu, që kishte nisur marshimin nga Shqipëria me një ushtri të fortë, nuk arriti në kohë në fushëbetejë. Sipas burimeve bashkëkohore dhe dëshmive historike, princi serb Gjergj Branković e ndaloi qëllimisht kalimin e ushtrive shqiptare nëpër despotatin e tij, duke e vonuar qëllimisht.

Kur Skënderbeu mori vesh se beteja kishte marrë fund dhe se aleanca e krishterë ishte thyer rëndë, ai i zemëruar u hodh me forcat e tij në territoret e Brankovićit, duke djegur e shkatërruar çdo gjë në shenjë hakmarrjeje. Ai nuk dinte ende se Brankoviçi kishte tradhëtuar koalicionin dhe ishte bashkuar me sulltan Muratin, pas grindjes me Hunyadin për komandën e trupave. Hunyadi i kishte ofruar serbit postin e nënkomandantit, por ky, i fyer, e refuzoi me përbuzje dhe kaloi në anën osmane.
Pas fitores në Fushë Kosovë, sulltan Murati II u tërhoq në Adrianopojë (Edirne) për t’u përgatitur për fazën e radhës të ekspansionit osman. Vetëm disa muaj më pas, në pranverën e vitit 1449, ai u rikthye në Ballkan me një ushtri prej mbi 80 mijë trupash dhe me armën e tij të re, topat me gjyle. Këtë herë, qëllimi i tij ishte i qartë: të asgjësonte Skënderbeun dhe rezistencën shqiptare, që tashmë kishte mbetur e vetme në gjithë Gadishullin.
Kështu, pas Betejës së dytë të Fushë Kosovës, Skënderbeu u bë simboli i fundit i rezistencës së krishterë në Ballkan, ndërsa Europa perëndimore, e ndarë dhe e lodhur nga konfliktet e brendshme, e la Gadishullin në mëshirën e perandorisë që po ngjitej si një fuqi botërore.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?