Serenata e humbur e Mozart që u rizbulua në Leipzig, një rikthim në jetë i gjeniut të muzikës

Serenata e humbur e Mozart që u rizbulua në Leipzig, një rikthim në jetë i gjeniut të muzikës - Albert Vataj
Serenata e humbur e Mozart që u rizbulua në Leipzig, një rikthim në jetë i gjeniut të muzikës - Albert Vataj

Nga Albert Vataj
Kur në shtator të vitit 2024 shpërtheu lajmi për zbulimin e një serenate të re të Mozart-it, reagimi nuk ishte vetëm emocion, ishte një ftesë për të rimenduar dhe rivlerësuar shumicën e aspekteve të hershme të krijimtarisë së tij. Kjo vepër, me titull përkohës “Serenata ex C”, e ribotuar në katalogun e përditësuar Köchel si “Ganz kleine Nachtmusik” (K. 648), nuk është thjesht një kuriozitet, por një copëz e re që na jep më shumë informacion mbi evoluimin artistik të Mozart-it si fëmijë dhe adoleshent.
Studiuesit vërejnë se stili i serenatës përputhet me veprat e Mozart-it të periudhës së mesme, të fundit të vitit 1760, pra kur ai ishte rreth 10-13 vjeç. Përdorimi i formave të vogla, lëvizjeve të shkurtra, dhe atmosfera që përshkruhet si “e freskët, e lehtë dhe karakteri i saj pra intim” ngjajnë me veprat e tjera rinore të Mozart-it.
Një tjetër tregues kronologjik është emri që shfaqet në manuskript, “Wolfgang Mozart” pa “Amadeus”, duke pasur parasysh se Mozart filloi të përdorte mes emrin “Amadeo/Amadé” rreth vitit 1769, pas udhëtimit të tij të parë në Itali. Ky detaj mbështet tezën se kompozimi daton përpara kësaj kohe.
Dorëshkrimi nuk është shkruar nga vetë Mozart-i, por një kopje, e bërë rreth vitit 1780. Kjo nuk e heq mundësinë që muzika vetë të jetë e tij, por kërkon që studimet muzikologjike të jenë të kujdesshme me analizat stilistike dhe krahasuese.
Shtëpia botuese Edition Peters ka nisur një botim Urtext që përfshin koment kritik dhe një parathënie historike nga Dr. Ulrich Leisinger, i cili është përfshirë edhe vetë në verifikimin e veprës. Kjo tregon se autoritetet muzikologjike po marrin seriozisht të gjitha provat për autenticitetin dhe vendin që kjo serenatë meriton në repertorin e Mozart-it.
Deri tani, shumë prej veprave rinore të Mozart-it që dihej nga referencat historike ishin humbur ose nuk ishin të plota; kjo serenatë ofron një shembull konkret të muzikës së dhomës prej adoleshencës së tij, që paraqet forma dhe komponime që nuk ishin dokumentuar mirë.
Kompozime të tilla të hershme rrallë i kapim me një cilësi sa të plotë, kjo veçori e fundit na lejon të shikojmë se si Mozart eksperimentonte me strukturën, melodinë e thjeshtë, kontrapunktin, dhe si fillonte të formëzohej zëri i vet unik. Të jesh në gjendje të krahasosh këtë serenatë me sinfonitë dhe ariet më të hershme, apo me muzikën instrumentale që ai shkroi pak vite më vonë, është një mundësi e jashtëzakonshme për studiuesit.
Audienca me të vërtetë u prek nga ky zbulim, nga kjo “riardhje” në jetë e Mozart-t, u evidentuan radhë të gjata, publikun që mezi priste ta dëgjonte për herë të parë, dhe interesin që ky kompozim të hyjë në botimet Urtext dhe për interpretim global. Kjo tregon se zbulimet muzikore historike, edhe kur nuk janë vepra kryesore, kanë një ndikim të madh kulturor dhe emocional.
A është vërtet “Ganz kleine Nachtmusik” një prej veprave që Mozart e konsideronte të vogël, apo ishte thjesht një eksperiment i tij fëmijëror për t’i parë kufijtë muzikorë?
Si ndikon kjo serenatë në mënyrën se si studiojmë muzikalitetin e Mozart-it para udhëtimeve të tij të mëdha, veçanërisht para ekspozimit ndaj muzikës italiane?
Pse u humb ose pse nuk është parë më parë ky manuskript, pas gjithë arkivave që janë studiuar nga adhuruesit dhe studiuesit e muzikës?
Sa do të jetë ndikimi i botimit Urtext në interpretimin e seadës së publikut dhe regjistrimeve? Do të jetë e prirur për versione historike apo më modernizuese?
Këto dhe të tjera pyetje mbërthejnë në kornizë këtë panoramë magjepsëse të krijimtarisë së hershmet të mjeshtrit të madh të muzikës, magjikun që na magjeps.
“Ganz kleine Nachtmusik” nuk është vetëm një “zbulim i bukur” për nostalgjikët ose adhuruesit e Mozart-it, por një gur kilometrik në studimin e talentit të tij të hershëm, duke ofruar fakte, fragmente dhe përfytyrime që zgjerojnë imazhin tonë të kompozitorit, jo vetëm si gjeni, por si një muzikant që po mësonte, po eksperimentonte, dhe po përpiqej të gjente zërin e vet në një epokë që priste madje edhe prej tij shumë.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?