Shkodranja Vesa Kopliku, e para shqiptare që fiton bursën e ekselencës “Heinrich Böll Stiftung” në Gjermani
Nga Albert Vataj
Në Gjermani, sot flitet ndryshe për shqiptarët. Jo më si për një popull që kërkon mundësi, por si për një bashkësi që po fiton respekt me vlera, dije dhe përfaqësim dinjitoz.
Në çdo universitet, në çdo institut kërkimor, në çdo qendër pune, po lindin histori të reja suksesi që tregojnë se aspiratat shqiptare po marrin formë dhe frymë në një vend të madh, me histori, kulturë dhe standarde të larta qytetare.
Shqiptarët në Gjermani nuk janë më vetëm udhëtarë të ëndrrës, por ndërtues të saj. Me përkushtim, dije dhe integritet, ata po bëhen pjesë e rrëfimit të përbashkët europian, duke e bërë flamurin e tyre të njihet për dinjitet, punë dhe inteligjencë.
Në këtë radhë të emrave që nderojnë Shqipërinë me talent dhe përkushtim, tashmë qëndron edhe Vesa Kopliku, e reja shkodrane që sapo është bërë shqiptarja e parë fituese e bursës gjermane të ekselencës “Heinrich Böll Stiftung”, një histori frymëzuese që dëshmon se rruga drejt ëndrrës është e mundur, kur udhëhiqet nga drita e dijes.
Në një kohë kur suksesi i të rinjve shqiptarë në botë po bëhet fytyra më e mirë e vendit tonë, emri i Vesa Koplikut, një 25-vjeçare nga Shkodra, shënon një tjetër faqe të ndritur në historinë e dijes shqiptare.
Ajo është bërë shqiptarja e parë që fiton bursën e ekselencës “Heinrich Böll Stiftung”, një ndër mbështetjet më prestigjioze që Gjermania u ofron studiuesve të rinj me vizion shkencor dhe përgjegjësi qytetare.
E diplomuar në Farmaci në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë, Vesa sot ndjek studimet e doktoraturës në Teknologji Farmaceutike dhe Biofarmaceutike në Universitetin e Saarlandit dhe punon si shkencëtare në Institutin Helmholtz për Kërkime Farmaceutike (HIPS) në Saarbrücken.
Kërkimi i saj fokusohet në zhvillimin e sistemeve të reja për transportin e barnave në trup, një fushë që mund të revolucionarizojë trajtimin e sëmundjeve dhe mënyrën se si ndërtohen barnat e së ardhmes.
Bursa që mban emrin e Heinrich Böll, shkrimtarit gjerman dhe fituesit të Çmimit Nobel për Letërsi, është më shumë se një ndihmë financiare.
Ajo është një deklaratë besimi te forca e dijes, mendimit të lirë dhe përgjegjësisë qytetare. Fondacioni mbështet studentët dhe kërkuesit që përveç shkëlqimit akademik, shfaqin vizion progresiv, ndjeshmëri shoqërore dhe angazhim për zhvillim të qëndrueshëm.
Fitimi i kësaj burse pas tri fazash përzgjedhjeje tepër konkurruese tregon jo vetëm nivelin e lartë profesional të Vesës, por edhe pjekurinë etike dhe shoqërore të një brezi të ri shqiptarësh që po përfaqësojnë denjësisht vendin në skenën ndërkombëtare të shkencës.
Rrënjët e këtij suksesi janë të thella. Vesa vjen nga një familje intelektuale shkodrane ku dija dhe puna janë pjesë e ADN-së shpirtërore.
Nëna e saj, Ardiana Kopliku, farmaciste me përvojë dhe përkushtim shembullor, ka qenë frymëzimi i parë që e afroi me botën e shkencës dhe kujdesit për njerëzit. Ndërsa babai, Arben Salim Kopliku, i pasionuar pas librave dhe dijes, ka ushqyer te vajza e tij kureshtjen dhe dëshirën për të mësuar çdo ditë më shumë.
Kjo trashëgimi vlerash e ka bërë Vesën të ecë me bindjen se suksesi nuk është rastësi, por fryt i përpjekjes dhe dashurisë për dijen.
Në çdo hap të saj, Vesa Kopliku përfaqëson një brez të ri kërkuesish që besojnë në shkencën si mision njerëzor.
Për të, suksesi nuk matet vetëm me arritjet në laborator, por edhe me ndikimin që dija mund të ketë në përmirësimin e jetës së njerëzve.
Ajo është dëshmi e gjallë se nga një qytet si Shkodra mund të lindin histori që frymëzojnë gjithë kombin, histori që tregojnë se dija, kur përkrahet nga vullneti dhe ndershmëria, nuk njeh kufij.
Me dritën e përkushtimit dhe qetësinë e një shpirtit që beson në vlerën e punës, Vesa Kopliku është sot një emër që na nderon në qendrat kërkimore të Evropës.
Ajo nuk përfaqëson vetëm vetveten, por një Shqipëri që po ngrihet përmes shkencës, etikës dhe ëndrrës për një të ardhme më të mençur.
KOHA JONË SONDAZH

