Shqipëria, Kroacia dhe Bosnja, vendet me prosperitet më të ulët në rajon
Nga vendet e Ballkanit, Kroacia është e pozicionuar në vendin e 50-të të këtij indeksi prestigjioz i cili përdoret si burim i besueshëm në hulumtime shkencore mbi zhvillimin dhe progresin ekonomik. Pas Kroacisë nga vendet e rajonit pasojnë Mali i Zi i cili zë vendin e 65-të, Maqedonia ndodhet në vendin e 69-të, Serbia është e 77-të, Shqipëria zë vendin e 84-të, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina vendin e 91-të. Ndërsa Kosova nuk është përfshirë në këtë hulumtim.
Nga vendet e rajonit të gjerë të Ballkanit më së miri renditet Sllovenia e cila zë pozitën e 24-të, e ndjekur nga Sllovakia në vendin e 35-të, Hungaria 39, Bullgaria 48, Greqia 59, dhe Rumania e cila është në vendin e 60-të në listën e Institutit “Legatum”.
Sipas këtij studimi, vendet më pak të zhvilluara evropiane janë Armenia e cila zë vendin e 95-të, Bosnja dhe Herzegovina në vendin e 91-të dhe Moldavia e cila zë vendin e 89-të në këtë listë.
Në anën tjetër, vendi që ka përparuar është Norvegjia, Zvicra radhitet e dyta, pasojnë Zelanda e Re, Danimarka, Kanadaja, Suedia, Australia, Finlanda, Holanda dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të pozicionuara në vendin e 10-të të kësaj liste.
Ndër vendet e tjera në botë, është e rëndësishme të përmendet Gjermania që është në vendin e 14-të në listë, Japonia e 19-të, Arabia Saudite e 47-të, Kina e 54-të, Rusia e 68-të, India zë vendin e 102-të, dhe Irani në vendin e 107-të.
Nga ana tjetër, vendet me nivelin më të ulët të prosperitetit në botë janë Republika e Afrikës Qendrore, Çadi, Kongo, Burundi, Jemeni, Afganistani, Togo, Haiti, Sierra Leone, Guinea dhe Angola.
Ndërkohë, studimi i gjerë i Institutit britanik “Legatum”, jep një pasqyrë unike të nivelit të prosperitetit të vendeve të botës, si dhe të ndryshimeve ekonomike dhe sociale në të gjithë botën. Indeks vlerëson 142 vende, që përfaqësojnë më shumë se 96 për qind të popullsisë së botës dhe 99 për qind të prodhimit botëror të brendshëm bruto (PBB).
Rezultatet e hulumtimit janë mbledhur në bazë të variablave për prosperitetin e vendit siç janë ekonomia, sipërmarrja, administrata, arsim, liritë personale, shëndeti, siguria dhe kapitali social.