Shqipëria për herë të parë me një ligj për lobimin
Shqipëria pritet të ketë një ligj të posaçëm për lobimin. Për herë të parë projektligji i hedhur për konsultim publik, synon që të vendosë rregulla për mënyrën si zhvillohet lobimi pranë institucioneve shtetërore, me qëllim rritjen e transparencës dhe paranalimin e ndikimit të fshehtë apo korruptiv në politikë.
Lobimi mund të ushtrohet vetëm nga persona fizikë ose juridikë të regjistruar në një Regjistër të posaçëm të Lobimit, i cili do të administrohet nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Ky institucion do të ketë kompetencën të monitorojë, verifikojë dhe publikojë të dhënat mbi lobistët dhe veprimtaritë e tyre.
Ligji parashikon edhe kufizime të forta etike dhe ligjore. Lobistët ndalohen të përdorin forma ndikimi të paligjshme ose korruptive. Personat e dënuar për korrupsion, pastrim parash, mashtrim apo vepra të tjera të rënda penale nuk mund të ushtrojnë lobim për një periudhë 5-vjeçare nga data e ekzekutimit të dënimit.
Ish-zyrtarët e lartë publikë, përfshirë ministra dhe deputetë, nuk mund të angazhohen në lobim për dy vjet pas përfundimit të mandatit të tyre. Në projektligj, parashikohet gjithashtu ndalim i lobimit për interesa të shteteve të huaja që bien ndesh me interesat kombëtare.
Çdo marrëdhënie lobimi do të duhet të formalizohet me kontratë të shkruar, e cila regjistrohet brenda 15 ditëve në sistemin elektronik të Regjistrit të Lobimit, por Komisonerit për të Drejtën e Informimit i ndalohet të publikojë kopjet e kontratave të lobimit, duke përfshirë periudhën dhe shpërblimin.
Projektligji gjithashtu synon të parandalojë konfliktet e interesit, duke ndaluar lobimin në raste kur lobisti ose të afërmit e tij kanë interesa të drejtpërdrejta në çështje të caktuara. Në thelb, kjo nismë ligjore synon të bëjë transparente ndërveprimet mes sektorit privat dhe institucioneve publike, duke vendosur për herë të parë në Shqipëri rregulla të qarta për lobimin, një praktikë e njohur në demokracitë perëndimore, por ende e parregulluar në vendin tonë.
KOHA JONË SONDAZH

