
Protesta kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama vijon të mbajë të tensionuar situatën në Tiranë. Protestuesit janë mbledhur sërish përpara godinës së Kryeministrisë, duke përsëritur kërkesën për largimin e kreut të qeverisë.
Studentët mbeten të vendosur në qëndrimin e tyre, duke e konsideruar dorëheqjen e kryeministrit si kusht të panegociueshëm. Ata nuk kanë pranuar ftesat e përsëritura të Ramës për dialog, ndërsa bojkoti i mësimit në universitete vijon pa ndërprerje.
Prej disa javësh, të rinjtë kanë organizuar protesta dhe marshime në rrugët e kryeqytetit, duke zhvendosur tubimet edhe pranë fakulteteve të ndryshme. Kërkesat e tyre kanë gjetur mbështetje edhe nga pedagogë dhe qytetarë, të cilët u janë bashkuar kauzës studentore.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka vijuar të këmbëngulë për zhvillimin e një dialogu me studentët, duke paralajmëruar edhe prezantimin e një platforme online për komunikimin me ta.
Pavarësisht këtyre përpjekjeve, studentët nuk kanë dhënë sinjale tërheqjeje nga qëndrimi i tyre, duke bërë të qartë se dialogu nuk mund të zëvendësojë kërkesën kryesore: dorëheqjen e kryeministrit.
