Taulant Balla reagon ndaj Greqisë: Narta dhe Zvërneci janë toka shqiptare e jo greke!
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Drejtuesi Politik i PS për Diasporën, Taulant Balla kërkoi nga Greqia përmbylljen e marrëveshjes për njohjen e ndërsjellë të kontributeve shoqërore, duke theksuar se qindra mijëra shqiptarë që kanë punuar për dekada në vendin fqinj meritojnë të përfitojnë pensionet e tyre.
Nga foltorja e Kuvendit, Balla tha se Shqipëria ka arritur tashmë marrëveshje të tilla me dhjetë vende të Bashkimit Europian, ndërsa negociatat me Greqinë duhet të përfundojnë sa më shpejt.
“Po kemi të paktën një milion shqiptarë që kanë punuar në Greqi për 35 vjet. Mezi pres që Parlamenti grek dhe Parlamenti i Shqipërisë të votojnë marrëveshjen për njohjen e dyfishtë të kontributeve shoqërore. Greqia ua ka borxh qindra mijëra qytetarëve shqiptarë që kanë punuar atje për vite me radhë”, deklaroi Balla.
Ai reagoi edhe ndaj deklaratave të Ministrisë së Jashtme greke për të ngjarjet në Nartë. Balla theksoi se vendi ynë respekton plotësisht kriteret europiane, por kundërshtoi pretendimet që Narta të konsiderohet territor i minoritetit grek.
“Narta është tokë shqiptare, autoktone”, u shpreh ai, duke shtuar se në zonë kanë bashkëjetuar shqiptarë dhe pjesëtarë të pakicës greke, por kjo nuk ndryshon karakterin shqiptar të krahinës.
Një pjesë e rëndësishme e fjalës së Ballës iu kushtua edhe debatit për investimin në Zvërnec. Ai mbrojti projektin strategjik dhe deklaroi se investitorët nga Katari kanë investuar deri tani 225 milionë dollarë, ndërsa shteti shqiptar ka detyrimin ligjor të garantojë investimin.
Sipas Ballës, SPAK duhet të hetojë çdo dyshim mbi dokumentacionin e pronave, por kjo nuk cenon të drejtat e investitorëve që kanë investuar në Shqipëri. Ai akuzoi gjithashtu kundërshtarët e projektit se po përpiqen të dëmtojnë imazhin e vendit në kulmin e sezonit turistik përmes shpërndarjes së pamjeve dhe informacioneve që krijojnë perceptimin e një situate të tensionuar në vend.
Gjatë debatit në Kuvend, Balla sulmoi edhe kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, për qëndrimet e tij lidhur me protestat për Zvërnecin. Sipas tij, Berisha ka ndryshuar qëndrim brenda pak ditësh, lidhur me investimin.
“E paimagjinueshme se si mund ta dredhë burri në një moshë kaq të përparuar. Brenda 72 orëve të mbajë këtë ndryshim qëndrimi”, tha Balla, duke shtuar se nuk kishte pasur asnjë dyshim se Berisha do të ndryshonte pozicion.
Balla dënoi gjithashtu çdo përpjekje për të zhvendosur protestat pranë selive të partive politike, duke argumentuar se veprime të tilla mund të krijojnë përplasje të panevojshme mes militantëve dhe të largojnë vëmendjen nga kauzat qytetare.
Fjala e plotë:
E kuptoj shumë mirë që i ka ngelur fiksimi te festat e PS-së, sepse ne i kemi aty të gjithë ata që e themeluan PS-në, ata që janë ende gjallë dhe nderojmë me shumë respekt të gjithë ata të cilët e themeluan por sot nuk jetojnë më. Fati i keq i juaji është që zotëria i ka përzënë të gjithë dhe nuk mund të ftpjë asnjë prej themeluesve. I ka ngelur vetëm Tritani i shkretë, të cilin e mban si relike, sepse edhe dikur Tritani e mbani mend ç’ thoshte për Saliun, apo jo Tritan? Në thonjëza, faleminderit Bujar.
Tani, e para, çfarë piruete ishte kjo fjalë tani?
E paimagjinueshme se si mund ta dredhi burri në një moshë kaq të përparuar! Brenda 72 orëve, të mbajë njeriu këtë ndryshim qëndrimi, erdhi këtu dhe tha se mbështes protestën, ndërkohë që vetë doli dhe tha: “Protestën e organizon Edi Rama.”
Para 72 orëve tha: “Këtë protestë e organizon Edi Rama sepse do të përzërë investitorët.”
Fjalë për fjalë.
Tani, o jeni trembur se ju erdhën protestuesët te dera e partisë për të cilën unë e dënoj. Kush është prapa atyre që sjellin protestues në selitë e partive politike, ai nuk ia do të mirën protestës….Të lutem, o ti djalë, unë kur flet unë s’flas fare. Të lutem. E ke huq të keq këtë tash. Po pra, e pa, e the atë. Edhe ai qoftë që the ti, edhe ai qoftë që the ti, ai e ka shumë gabim. E ai e ka shumë gabim.
Unë thashë, unë thashë, kush sjell protestues në selinë e partisë, e ka shumë gabim. . Dhe kushdo që të çojë protestues, mbrëmë te selia e PD-së, parmbrëmë te selia e PS-së, e ka shumë gabim. Sepse fjala bie, në atë seli mund të qëllojnë militanë të partisë tjetër dhe kjo shkon në vëlla-përplasje. Gjë që nuk ju intereson.
E dëgjova këtu zotërinë që iku, vjen këtu, e lëshon edhe ikën, se jo leje zhvillimi, jo a është investim… Tani, ka një ligj për investimet strategjike. Kush ka qenë arsye e ligjit për investimet strategjike? Që investitori t’i garantojë që kur vjen në Shqipëri, blen një tokë dhe në atë tokë do të investojë, është shteti garant. Kush e mban historinë? Erdhi Club Med 20 e kusur vite më parë. E kam takuar, djali i Giscard D’Estaing, ia kam harruar emrin, po mbiemrin e mbaj mend. E kam takuar para 20 vitesh dhe më tregoi një histori që unë ta ndaj me ju sot. Erdhëm ta investojmë në Shqipëri. Negociuam me një palë pronarë. Bëmë marrëveshjen me ata pronarë. Pas disa ditësh na erdhën një palë pronarë të tjerë. Bëmë dhe një marrëveshje me ata pronarë të tjerë. Dhe pas disa ditësh, pasi kishim dy marrëveshje me dy palë pronarë, na erdhën dhe katër palë pronarë të tjerë.
Historia, e dini, investimi nuk u bë.
Në rastin në fjalë, investitorët nga Katari kanë investuar deri më sot 225 milionë dollarë pagesën dhe kanë blerë tokën. Me ligjin e investimeve strategjike, shteti është garanti që çfarëdo që të ndodhë dhe e nxis SPAK-un, bëj detyrën, e mbështet SPAK-un të bëjë detyrën t’i shkojë deri në fund kush e ka ndyrë veten dhe kush i ka ndyrë letrat e pronave, por investitori që ka dhënë 225 milionë dollarë ka garanci shtetin shqiptar. Kështu thotë ligji i investimeve strategjike. Kush ka dy pare mend. Dhe këtu është e gjithë historia.
Dy, edhe se për të gjithë këta vëllezërit e mi myslimanë që janë shqetësuar, që vijnë, na kanë ardhur nga Izraeli, unë nuk di që Katari dhe Izraeli janë dy vende të njëjta. Janë të ndryshme, të ndryshme për shumë, shumë arsye edhe për shkak të besimit, nëse do. Janë dy investitorë nga Katari që kanë paguar lekë. Se e gjithë kjo makineri, i gjithë ky algoritëm, TikTok-u, META, me të dyja Facebook-e, Instagram.
Më shkruan një miku im, ish-kryeministri i Rumanisë sot, i kishin nxjerrë atje në Rumani një fotografi të Lungomares, të mbushur plot me njerëz aty thua se protesta po bëhej atje dhe ai ka rezervuar pushimet në Vlorë. Dhe e dinte, kujtonte se gjithë ajo ishte në Vlorë.
Ne e dimë fare mirë, nuk ka, ju vazhdoni, por këtu nuk ka asnjë dyshim që këtu ka një mu në kulm të sezonit, mun kulm të sezonit turistik, duhet shpërndarë imazhe që Shqipëria nuk ia vlen me bë pushime këtë vit se ka protesta. Është e qartë ajo, nuk ka asnjë dyshim.
Megjithatë, më vjen shumë keq, po nuk e kam, unë personalisht nuk kam pasur asnjë dyshim që ky që po foli para meje do e dridhte. Nga mbështetësi i investimit, tani erdhi me qëndrim tjetër. S’është hera e parë. Nuk është hera e parë.
Tani sa i përket kësaj marrëveshjes me Poloninë. Është një marrëveshje shumë e rëndësishme, ia kemi borxh diasporës shqiptare kudo që diaspora jeton. Jemi te vendi i 10-të anëtar i Bashkimit Europian dhe dy vende të tjera që janë në proces, Greqia dhe Spanja.
Dhe këtu përfitoj nga rasti dhe nga nderi i madh që më jep foltorja e Kuvendit të Shqipërisë. E dëgjova me vëmendje deklaratën e Ministrisë së Jashtme Greke sa i përket detyrimeve që ka Shqipëria, për respektimin e të drejtave të minoriteteve, të drejtave të pronës. Buron nga kriteret e Kopenhagës, detyrimi që ka një vend që do ta anëtarësojë në BE, që të respektojë minoritetet, plotësisht e drejtë, por nuk pranoj dot që të më thonë që Narta është tokë e një komuniteti pakicë kombëtare.
Narta është tokë shqiptare, autoktone!
Dhe unë e di fare mirë, biles dikur, se aty ka pasur një komunitet që fliste një dialekt të gjuhës greke, por aq bukuri i thonin “Nartçe”. Edhe si dialekt quhet “Nartçe”. Pra, i zonës.
Por siç kemi bashkëjetuar të gjithë, jemi lidhur, edhe unë kështu jemi lidhur me minoritetin grek. Jemi martuar, jemi shtuar. Po, nuk mund të vish të thuash që atje janë vetëm grekë. Aty janë shqiptarë dhe ka dhe pjesëtarë të një pakice greke.
Dhe meqenëse qeveria greke shqetësohet për këtë dhe ne jemi të angazhuar të plotësojmë çdo të drejtë, çdo kërkesë, siç duam t’ia zbatojmë çdo shqiptari, tani kam dhe unë një kërkesë për qeverinë greke. Po kemi një milion shqiptarë që kanë, të paktën, që kanë punuar në Greqi për 35 vjet. Secili nga ne. Sa kanë punuar në të zezë, ca kanë punuar në të bardhë, në kuptimin e letrave, të atyre IKA- ve të famshme që i kanë qenë një të merr shkonin shqiptarët, pagunin “ikat” për 6 muaj, edhe pse punonin vetëm 3 muaj, se ndryshe s’merrje vizën. Dhe e paguaje 6 muaj, pavarësisht se pjeshkë do mblidhje vetëm 3 muaj. Tani, qeverisë greke, i kemi hapur ato negociatat, në vitin 2022 filloi procesi, pati një ndërprerje për shkak të një rasti që u përdor politikisht. Tani kanë rifilluar negociatat, grupet e punës duhet të rimblidhen dhe unë mezi pres nga Parlamenti grek sikurse edhe nga Parlamenti i Shqipërisë që të votojmë edhe marrëveshjen siç e kemi sot me Poloninë për njohjen e dyfishtë të kontributeve shoqërore. Pra, shqiptarët që kanë punuar në Greqi për 35 vjet, qytetarët grekë që kanë punuar në Shqipëri për pjesën tjetër, t’u njihet kontributi shoqëror për efekt pensioni.
Dhe besoj që ja ka Greqia kaq borxh, mijëra, qindra mijëra qytetarëve shqiptarë që kanë punuar atje për vite me radhë, sepse siç e tha ish-ministri i Financave të Greqisë para pak ditësh, tha një gjë shumë të bukur. Greqia tha: “Duhet ta dijë mirë se shqiptarët e shpëtuan ekonominë e Greqisë për këto 35 vjet”- tha Balla.
KOHA JONË SONDAZH

