Tjetër deputet i PS kritikon hartën territoriale: Pse Dimali me Beratin dhe jo edhe Roskoveci?

Deputeti socialist i Beratit, Fadil Nasufi ka shprehur rezerva për ndarjen e re administrativo-territoriale, duke bërë megjithatë të qartë se do ta votojë propozimin në Kuvend. Në fjalën e tij, Nasufi u ndal te vendimi për bashkimin e bashkive Dimal dhe Poliçan me Beratin, duke sjellë në vëmendje edhe kundërshtimet e banorëve të këtyre zonave.

Sipas deputetit socialist, pritshmëritë e tij për reformën territoriale kanë qenë të tjera. Ai tha se kishte parashikuar një organizim të bazuar te bashkitë metropolitane apo te kufijtë e ish-rretheve. Pikëpyetja kryesore e Nasufit lidhet me mënyrën se si janë zbatuar kriteret e reformës. Ai kërkoi të dijë pse bashkimi është aplikuar në disa raste dhe jo edhe në bashki të tjera që, sipas tij, kanë karakteristika të ngjashme.

“Unë nuk e kam pse bashkohet Dimali me Beratin, por pse nuk bashkohen edhe bashki të tjera të një tipologjie, ndoshta edhe më të ulët se Dimali, si Roskoveci, Kuçova, Delvina etj”, deklaroi Nasufi. Pavarësisht rezervave, deputeti i PS-së konfirmoi se do të votojë pro hartës së re territoriale. Ai pranoi se vendimi nuk është pritur mirë nga një pjesë e banorëve të zonave që preken nga ndryshimet. “Gjithsesi unë e votoj këtë draft, edhe pse marr mbrapsht shije të hidhur e zhgënjim të shumë banorëve që nuk janë dakord me këtë hartë administrative”, u shpreh ai.

Swiss Digital Desktop Reklama

Qëndrimi i Nasufit nuk kundërshton reformën në parim, por mënyrën se si janë përcaktuar kriteret për bashkimin e njësive vendore. Ai kërkon një qasje më të unifikuar, duke vënë në diskutim arsyet pse ndryshimet nuk janë shtrirë edhe te Roskoveci, Kuçova dhe bashki të tjera.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?