Zv/kryeministre e qeverisë Rama në shtator? Grida Duma thyen heshtjen: Më caktuan pazarin
Drejtuesja e ”Top Story”, Grida Duma ka reaguar pas raportimeve se ajo pritet të jetë zv/kryeministrja e re në qeverinë e Edi Ramës, në ndryshimet që priten këtë shtator. Lajmi për përfshirjen e saj në qeveri ka qarkulluar gjatë ditëve të fundit.
Pas këtyre raportimeve, ish-deputetja e PD-së ka zgjedhur të reagojë përmes një videoje të publikuar në profilin e saj në Instagram, duke thyer kështu heshtjen përballë zërave që e lidhin me një prej posteve më të rëndësishme të qeverisë. ”Vera mbaroi, bashkë me intrigat dhe thashethemet e pazarxhinjve”,-shkruan Duma, duke hedhur poshtë lajmet.
“Flini të qetë”, ka qenë përgjigjja e Dumës për të gjithë ata që e kanë vendosur në skenarët e tyre politikë. Ajo e bën të qartë se nuk ka ndërmend t’i marrë vendin askujt dhe se nëse një ditë do të vendosë të rikthehet në politikë, vendimi do të jetë tërësisht i saji, dhe pikërisht nga “porta e saj”.
Sipas saj, problemet me të cilat përballet vendi ynë sot nuk mund të zgjidhen më nga një individ i vetëm, pavarësisht se kush është ai. ”Duhet shumë më tepër sesa një individ për të sjellë atë që shqiptarët presin në këto ditë rebelimi, që nuk pranojnë situatën në të cilën është Shqipëria, e cila është krejt jashtë mundësive për ata shqiptarë që e njohin çfarë është Perëndimi”, deklaron ajo.
Pjesë nga fjala e Grida Dumës
Ka ca ditë që po më përflitet emri se do të jem pjesë e qeverisë Rama. Ma kanë caktuar pazarin, ma kanë gjetur sponsorin, ma kanë përcaktuar pozicionimin. Jam argëtuar në fillim, e lashë të rridhte. Si lajm është një ushtrim durimi që e njoh prej kohësh. Flitet dhe përflitet, por nuk kam reaguar gjithmonë se unë mërzitem. Duhet të reagoj atëherë kur lukunia e thashethemit në fakt nuk i jep shans dikujt që të mbajë ngrehur sistemin. Një sistem i cili duhet reformuar i gjithi. Thënë këtë, jua them që në krye të herës, flini të qetë, nuk kam ndërmend t’i marr vendin askujt. Mbi të gjitha sepse, nëse do t’i merrja vendin dikujt tani, në këto momente politike, do të kishte qenë keq për vendin, për Shqipërinë.
Në krye të herës do t’ju them po ashtu në këtë komunikim të shkurtër qartësues, nuk më thërret njeri mua në politikë, nuk pres unë ftesa nga të tjerët në politikë. Nëse një ditë unë do të kem vendimmarrjen time për të hyrë në politikë, do të hyj nga porta ime, nuk i bie portës së askujt për të hyrë në politikë dhe as nuk i pres këto ftesa-thirrje, sepse thirrjen në politikë e kam pasur dhe do ta kem gjithmonë vetë.
Vendimi im për të hyrë në politikë do të jetë sepse unë kam diçka për t’i kërkuar Shqipërisë, sepse kam diçka për të ofruar në ato çaste Shqipërisë. Thënë këtë, kanë ditë që gëlojnë, takohen në Pogradec, në jug, në Tiranë, ministra, deputetë, drejtues dhe mendojnë se shqiptarët e kanë gjithë vëmendjen te porta e tyre, nëse do të dalë tymi i bardhë në këtë realitet qeverisjeje me re të zeza dhe besojnë gabim që shqetësimi i shqiptarëve është ky.
Nuk di se pse seriozisht shqiptarët duhet të kenë këtë shqetësim. Sepse, ndërsa këta shqetësohen për vendin e tyre dhe postin e karriges së tyre, shqiptarët kanë një shqetësim madhor që bërtasin kudo, kanë apo jo ende vend në Shqipëri. Cilido qoftë emri, kushdo qoftë emri, mrekullia e Zotit qoftë ai individ, nuk e bën dot më i vetëm ndryshimin në këtë situatë. Duhet shumë më tepër se një individ për të sjellë atë që shqiptarët presin në këto ditë rebelimi.
View this post on Instagram
KOHA JONË SONDAZH

