130 vite nga lindja e basketbollit, shpikësi i sportit nderohet nga Google
James Naismith, kanadezo-amerikani që shpiku lojën e basketbollit, është nderuar me një “doodle” nga Google, në ditën kur ai publikoi librin me rregullat e sportit shumë të dashur në të gjithë botën. Naismith ishte 30 vjeç kur shpiku sportin, në vitin 1891, në Ontario të Kanadasë. Në intervista të vjetra, ai tha se gjithçka nisi kur ishte mësues fiskulture.
“Na kishte përfshirë një mot i acartë. Për ditë të tëra, nxënësit nuk dilnin dot fare në oborrin e shkollës dhe mezi po i mbanim brenda mureve. Provuam me të gjitha mënyrat që të rrinin urtë, provuam një version tjetër futbolli në palestër, por ishin mërzitur. Duhet të bënim diçka. Më lindi ideja që në të dy anët e palestrës të vija nga një kosh dhe i ndava nxënësit në dy skuadra me nga 9 lojtarë. U dhashë një top të vjetër futbolli dhe u thashë që ta fusnin atë në koshin kundërshtar. Kështu lindi loja e parë e basketbollit”, deklaronte Naismith.
Por, kishte një problem të madh. Naismith nuk kishte rregulla mjaftueshëm për lojën që sapo kishte shpikur dhe thotë se e kuptoi në moment që bëri një gabim të madh: “Djemtë nisën të pengonin, të godisnin me shkelma dhe grushta njëri-tjetrin. U bënë grumbull në mes të palestrës duke u zënë. Kur arrita t’i ndaja, ishin nxirë nga sytë dhe kishin ndrydhur kavilje”.
Pavarësisht kësaj, studentët iu lutën mësuesit që t’i linte të luanin prapë. Kësaj radhe, ai vendosi disa rregulla. Më kryesorja ishte: nuk mund të vraposh me topin në duar. “Ai rregull shmangu përleshjet dhe luajtëm një ndeshje të bukur dhe të pastër”, kujtonte Naismith, i cili tregoi se 10 vite më pas, kjo lojë luhej në të gjithë vendin. Basketbolli debutoi për herë të parë si sport olimpik në vitin 1936, në Olimpiadën e Berlinit.