50 flamuj shqiptarë në Korçë

Flamuri, simboli ynë kombëtar, është sjellë të premten, përmes një ekspozite unike nga historiani e studiuesi, Artan Lame.

Në kuadër të aktivitetit “100 vjet Korçë shqiptare”, një pasuri e vyer është ekspozuar në Korçë, përmes këtij koleksioni të rrallë. Rreth 50 flamuj shqiptarë të të gjitha kohërave janë sjellë në këtë 100-vjetor të Autonomisë së Korçës si dëshmi e historisë. Ekspozitën e përshëndeti edhe zv.kryeministri Niko Peleshi dhe Kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo.

“4 vjet më parë, bëmë 100 vjetët e Shqipërisë së Mosvarme. Tani bëjmë 100 vjetët e Korçës autonome. Ndoshta dy ngjarjet më të rëndësishme këto, të formimit të trungut tonë shtetëror. 100-vjetorit të Vlorës ja bëmë nderet. Tani na takon detyra t’i bëjmë nderet 100-vjetorit të Korçës”, shkruante pak ditë më parë koleksionisti Artan Lame, në një postim në rrjetin social “Facebook”.

Lame u shpreh se ekspozita përmban rreth 50 flamuj shqiptarë të të gjitha kohëve tona me shtet. “Midis qindra flamujve e zhgabonjave të qëndisura e stamposura që kam, u vura gishtin e përzgjodha veçmas ata që janë flamuj shtetërorë, pra, të prodhuar nga autoriteti publik. Kjo për dy arsye. E para, për t’u shmangur nga folklorizma patriotike, që sot është vulgarizuar, paçka se qëmoti ka qenë shumë më elegante e fine. E dyta, se në ka gjë që na nevojitet dhe e kemi të mangët ne shqiptarët, është pikërisht të vepruarit shtetërisht dhe të njohurit e autoritetit të ligjit e të shtetit”, shprehet koleksionisti Artan Lame.

SHKARKO APP