A do të ketë Rama dhe policia e tij pranga për të gjithë?
Nga:
Protestat e ditëve të fundit po shoqërohen me një agresivitet në rritje të forcave të Policisë së Shtetit me qëllim të shpypjes së revoltës dhe protestës, ku një masë e konsiderueshme janë të rinj.
Atmosfera duket ajo e një regjimi policor, i cili të ndjek dhe arreston kudo, nëpër rrugica dhe hyrje pallatesh, protestues ose kalimtarë. Një regjim që mbyt me gaz rrugët kryesore të Kryeqytetit.
Policia që shpërndan policë civilë apo të veshur me uniformë dhe pa shenja dalluese, të gatshëm të arrestojnë këdo që iu jep urdhër eprori. Besoj se këto mjaftojnë për të thënë që policia po vepron në arbitraritetin e urdhërave dhe jo në shërbim të ligjit.
Pyetja në fillim të shkrimit huazohet nga një slogan i shkruar në mure pas protestave të opozitës dhe të banorëve të Kuksit për tarifën në Rrugën e Kombit: A do të ketë Rama dhe policia e tij pranga për të gjithë?
Sigurisht që jo! Por, kujt i duhet kjo situatë frikësimi e popullit? A po tenton Rama të tregojë forcën në vigjilje të zgjedhjeve? Kjo duket të jetë strategjia: frikësimi i poppullit dhe drejtimi i gishtit te opozita si plangprishëse. Media që i shërben pushtetit dhe propaganda qeveritare po hedhin, përveç gazit lotsjelljellës edhe këto shashka propagandistike. Zemërimi nuk mund të prangoset!
As populli dhe dëshirat e tij për ndryshim nuk mund të prangosen, e as të helmohen nga propaganda e regjimit të Ramës. Madje mendoj se Rilindja do të korri atë që po mbjell përditë, refuzimin dhe zemërimin e popullit. E keqja është shpërfaqur sheshit dhe nuk ka shoshë që e mbulon.
Ndaj ndale dorën, liro të rinjtë dhe ktheje policinë në një qasje normale, sepse jo vetëm që nuk po i qetëson njerëzit, por i mbush më shumë me mllef.
Po të them se ka edhe shumë nga ata që i udhëron, policë të ndershëm të paindoktrinuar, të cilët janë mërzitur nga urdhrat e tua dhe të shefave të tu. E nuk është e largët dita që nuk do të mundesh ti urdhërosh më!