Adem Gjurra, nacionalisti që u përball me fashistët, gjermanët, regjimin komunist të Tiranës dhe Beogradit

Jeta e antikomunistit nga Reçi i Dibrës. Rezistenca ndaj Italisë fashiste në vitin 1939, rob lufte i gjermanëve në Kretë, ku u dënua tri herë me vdekje dhe një herë më burgim të përjetshëm dhe si mundi të fitonte lirinë; përballja me regjimin komunist të Tiranës si i desantuari i Komitetit “Shqipëria e Lirë”, por që nuk ra në duart e tyre, edhe pse misioni ishte tradhtuar, si dhe vuajtjet në burgjet e Jugosllavisë deri në largimin në SHBA

Mina HYSA

Adem Gjurra lindi në vitin 1912 në Reç të Dibrës. Ishte i biri i Hysen (Shaban) Gjurrës e Zahide Vladit. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, të mesmen e mbaroi me korrespondencë rreth vitit 1931 në Peshkopi. Shkollën e nënoficerëve (të ushtrisë) e mbaroi në vitin 1932, por për arsye të mungesës së buxhetit shtetëror s’pati vend për aspirantët e rinj për t’u veshur ushtarakë. Në janar të vitit 1933, Adem Gjurra u regjistrua në shkollën e nënoficerëve të Xhandarmërisë Mbretërore me rekomandim nga oficeri Zyber Lita. Pas disa muajsh shkolle në Durrës, më shumë se 30 studentë me rezultatet më të mira u dërguan me detyrë në Shkodër për ruajtjen e rendit dhe qetësisë. Aty vazhduan me mësime; teori e praktikë prej 18 muajsh, me shërbim dhe nën komandën e Xhaklin Martinit, drejtor. U diplomua me sukses, i shtati në klasë prej më shumë se 100 të diplomuarve. Fitoi të drejtën e nënoficerit të xhandarmërisë, por shteti sërish nuk kishte buxhet për rroga të gradave të reja. I bënë thirrje që të pranonte gradimin edhe rrogën si xhandar, por me detyrë të nënoficerit. Shumica refuzuan, kurse Adem Gjurra dhe rreth 30 të tjerë pranuan për të qenë në shërbim të shtetit. U dërguan nëpër rrethe të postëkomandave në të gjitha anët e Shqipërisë. Shërbeu në Malësinë e Shkodrës, Dibër, Lumë, Gjirokastër, Labëri, Dukagjin etj. Gradimet erdhën me radhë deri tek grada me e lartë, “Toger”. Postet që ka mbajtur Adem Gjurra ishin: inspektor arkive në postrreth, inspektor arkiva postëkomanda, zv.post komandë, postëkomandant, post e rrethkomandant dhe komandant zone.

Roli i Adem Gjurrës në pushtimin e Italisë në vitin 1939

Në vitin 1939, kur Italia sulmoi Shqipërinë, Adem Gjurra e marshall Isuf Jashari me 40 xhandarë e rreth 200 civilë nga Luma e Dibra u nisën për në Tiranë. Arritën në Krujë natën dhe u takuan me kapiten Shukri Baftjarin dhe nën komandën e tij u nisën për në luftë. Pas pak orësh arritën në kala të Prezës, ku u takuan me major Çaush Bashën dhe kontingjentin e Akademisë së Burrelit.
Morën lajmin e keq se Mbreti u detyrua të linte vendin. Oficerë të lartë dhanë urdhra të Mbretit që të mos krijoheshin lëvizje pa marrë fjalë prej tij, se do të sigurohej ndihma ushtarake e materiale për kombin nga jashtë. Porosia ishte të organizoheshin fshehtas e të përgatitnin popullin për luftë sa të lajmëronte Mbreti. Adem Gjurra u kthye në vendlindje edhe thirri krerët e fiseve Reç, Dardhë, Lurë, Arraz, Arrën etj. dhe u konsultuan për veprimtari të mëtejshme. Ademi u takua me Muharrem Bajraktarin e me Cen Elezin e më vonë me kapiten ushtrie Qazim Lushën. Pas bisedës mes tyre, Ademi vazhdoi me krijimin e një rrjeti rezistence, pjesët e së cilës ishin shumë thellë e sekrete, por gjithmonë me marrëveshje me personat kryesorë të lartpërmendur. Siguruan ndihma e strehime, bukë, pak armë, morën informacion për aksionet e italianëve. Pritnin lajmin për ndihmë nga jashtë dhe rikthimin e Mbretit, por ai nuk erdhi. Ademi filloi një përgatitje. Meqë nuk mundi të duronte më gjendjen, filloi një propagandë se kishte çuar fjalë Mbreti të fillonin të dilnin në Greqi për të marrë ndihma për luftë. Ka pasur shpresë se do të gjenin ndihmë nga aleatët, nëse e kalonin kufirin.

Ikja në Greqi, dënimi 3 herë me vdekje dhe 1 herë burg përjetë

Në nëntor të vitit 1940, Adem Gjurra u nis me 40 shokë, oficerë, nënoficerë, xhandarë e të tjerë nga vendi i takimit, Korça. E gjetën kufirin në “zjarr”. U përplasën me forcat italiane e ca shqiptarë dhe pas një lufte të fortë e thyen frontin dhe u bashkuan me ushtrinë greke e disa aleatë. Grekët i trajtuan në fillim si heronj edhe u dhanë ushqim e veshmbathje. Pas dy ditësh u erdhi një grup nga Athina dhe i morën duke u thënë se do t’u siguronin kushte më të mira dhe të duhurat për rikthimin në Shqipëri. Ky rezultoi një mashtrim, pasi disa orë më vonë grekët i arrestuan dhe i dërguan në kamp si robër lufte në Kretë. Ata u tradhtuan. Në fund të qershorit të vitit 1941, gjermanët e pushtuan Kretën. Grekët ikën edhe e lanë Ademin dhe shokët në duart e gjermanëve. Ata, sa panë se kush ishin, se e morën në dorë dokumentacionin e kampit, i dërguan në Itali për gjyq ushtarak. Italia i dërgoi në Shqipëri. Në gjyq dolën me dënime tri herë me vdekje e një herë burg përjetë. Ata ishin Adem Gjura, Mustafa Imeri (Pukë), Idris Sadiki (Tropojë), Cerim Verediki (Korçë), Gaço Sotiri (Korçë), si udhëheqës të lëvizjes. I torturuan në burg, duke u përgatitur për t’i pushkatuar; çdo ditë i linin në këmbë tek porta e oborrit të pushkatimit duke pritur “radhën” e në mbrëmje i çonin prapë në birucë. Avokati shqiptar mendoi dhe sugjeroi të merrnin një avokat italian (një mik të rinisë së tij me lidhje të forta tek ushtarakët), por do t’u kushtonte shumë. Familjet e të burgosurve, mes tyre dhe Adem Gjurra, shitën tokë, pasuri dhe plotësuan vlerën rreth 1200 lira ari. U paguan oficerët e Lartë të Gjykatës dhe të burgosurit shpëtuan jetën, por me humbje të të drejtave civile.

Kthimi në Reç, lufta për lirinë e Shqipërisë dhe refuzimi i ofertës komuniste

Pasi i shpëtoi pushkatimit dhe burgimit përjetë, Adem Gjurra u kthye në vendlindje i sëmurë. Kur u përmirësua, doli në mal, u arratis. Luftoi kundër forcave gjermane në shumë beteja dhe sipas librit të shkruar për Cen Elezin, Ademi u dallua si luftëtar i zoti. Sipas Ademit, në luftë forcat komuniste iknin nëpër fshatra për të rritur vlerat e veta, duke bërë propagandë; i merrnin përsipër meritat, edhe nëse nuk ishin në front. Për këtë arsye Ademi i largoi disa që i ishin bashkuar grupit të tij. Ademi mori pjesë në shumë mbledhje të të arratisurve edhe në mbledhjen e Mukjes e dërguan si përfaqësues i grupeve të arratisurve të Dibrës e të Lumës. Në shtator të vitit 1944, forcat komuniste filluan një operacion të fortë në Lumë e në Dibër. Vdiqën shumë nacionalistë të mirë. Ademi pasi pa se kauza nacionaliste humbi, i shpërndau shokët edhe shkoi në shtëpi të vendoste çfarë do të bënte më tej. Rreth fundvitit i erdhi urdhri nga Tirana për të qenë pjesë e administratës së qeverisë së re. Dy oficerë e dy civilë erdhën me disa shokë në Reç dhe i dorëzuan urdhrin të paraqitej në Shkodër brenda 10 ditësh të merrte postin inspektor i Arsimit për Shqipërinë e Veriut. Ademi e dinte se çfarë njerëzish ishin ata dhe u tha se nuk pranonte, pasi ishte i lodhur nga lufta, arratisja, burgu dhe vuajtjet e shumta si dhe babai i kishte vdekur e i duhej të kujdesej për familjen. Kaluan ditët edhe ai nuk shkoi. Çuan disa komunistë të rrethit të Dibrës ta merrnin, por Ademi i largoi. I morën kushërinjtë e xhaxhallarët në hetuesi, por Adem Gjurra i liroi, se dheu e njihte edhe kishin respekt, po edhe mjaft frikë në atë kohë.

Ademi nis sulmin ndaj komunistëve në 1945-ën dhe vuajtjet e familjes

Pas refuzimeve të njëpasnjëshme të Adem Gjurrës, iu lutën sërish duke i çuar njerëz nga Tirana duke i thënë në formë kërcënimi: “Je me ne apo kundra nesh?” Edhe në këtë rast Ademi gjeti si justifikim shëndetin dhe u kërkoi tre muaj afat të shihte punët se si i kishte. Këtë kohë Ademi e donte të përgatitej për një luftë të vërtetë. Në 1945-ën erdhi te Ademi për strehim Muharrem Bajraktari me një grup përafërsisht 50 veta, i përbërë nga të arratisurit nga Veriu, por edhe disa nga Kosova. Ademi ka pasur një mbështetje të fortë në vendlindje si dhe në zonën e tij. I strehoi dhe u siguroi bukë, veshmbathje e armë. Por një grup aq i madh nuk kaloi pa ra në sy, nga ata që ishin me qeverinë. Pasi i përcolli të strehuarit e Muharrem Bajraktarit, Ademi doli në mal me disa shokë dhe kushëririn e vet, Shaban Gjurrën. Komunistët e mbushën Reçin me ushtri e polici, ku pati edhe përplasje me armë, si beteja e Koziakut, por Adem Gjurrën nuk e kapën. Pas disa javësh luftë i rrethuan familjen dhe shtëpinë e dogjën, pasurinë ia konfiskuan, i prenë një shumicë të madhe bagëtish edhe i lanë të mos i prekte kush për ta treguar si shembull. Familjet e Ademit dhe Shabanit i çuan në internim në Berat. Atje vdiq djali i Ademit, Skënderi e dy vajza të vogla të Shabanit. Dy fëmijë të tjerë vdiqën më vonë te shtëpia (pasi u liruan nga kampi). Gjatë atyre viteve në mal, Adem Gjurra asnjëherë nuk ka marrë as bukë, as strehim me forcë. Ai është larguar, edhe nëse zoti i shtëpisë e mirëpriste, nëse shihte varfëri të tepërt ose rrezik të tepërt për atë shtëpi. Kjo shpjegon se askush nuk i shiti, nuk i tradhtoi as në vitin 1950, as më përpara.

Aktiviteti në arrati dhe arratisja në Greqi

Gjatë qëndrimit në mal, Ademi Gjurra ka marrë pjesë në të gjitha mbledhjet e të arratisurve: Thark (maj 1945), Bresht të Oroshit (fund i qershorit – 18 korrik), Lurë, ku ka përfaqësuar shumë grupe, si për shembull: të Mehdi Ndreut, Qazim Lushës, si edhe të Reçit e të Dali Meçit, Sali Shehut dhe shumë grupe të tjera të vogla e të mëdha. Në mbledhje ishin shumë grupe nga gjithë Shqipëria, por një numër i madh ishin kundërshtarë politikë me Ahmet Zogun, por Ademi u foli për mbretërinë. I bënë oferta të shumta të kalonte me parti të tjera, por ai mbeti besnik i idealit të vet. Në fund të korrikut të vitit 1946, Ademi Gjurra mori kërkesë nga Muharrem Bajraktari të bashkoheshin për të kaluar kufirin për Greqi, sepse shokët nuk niseshin pa Ademin. U takuan në Kolosian te Lera e Sorrave më 18 gusht dhe u nisën me datë 25 gusht. U bënë 56 vetë nga krahina të ndryshme të Shqipërisë dhe nga Kosova. Rreth datës 5 shtator, gabimisht ranë në Maqedoni. Plasi lufta, e cila zgjati dy ditë e net. U ndanë dhe u bashkuan natën e parë. Vendosin dhe provojnë për të kaluar natën e dytë pa zhurmë dhe pasi ecën deri diku, panë se vendi ishte plot me ushtri të armatosur. Sërish plasi lufta, u ndanë dy grupe për dy drejtime, me shpresën se do të shiheshin matanë kufirit. Ato dy ditë u vranë 27 shokë. Nebi Seda nga Arrni, Lum e Haxhi Agaj nga Puka nga grupi i Ademit. Përfundimisht kaluan në Greqi me shumë humbje në shokë dhe plot dhimbje. Me disa shokë që u ndanë atë natë, u takuan më vonë në një kamp. U dorëzuan edhe u dërguan nëpër kampe rajonale, ku vuanin shumë edhe për bukë. Në kampin e Haxhi Qiriakos kaluan pak më mirë. Ademi me shokët: Myftar Spahija, Hysen Salku, Sejdi Bajo, Hysen Terpeza, Fiqiri Dina organizuan Lëvizjen Monarkiste në Greqi.

Ademi caktohet kryetar i Rinisë për anëtarësimet e Lëvizjes Monarkiste

Adem Gjurra u caktua kryetar i Rinisë për anëtarësimet dhe zbatimin e programit. Shpenzime për materiale i paguanin të rinjtë deri në shitjen e racionit të bukës. Në mars të vitit 1949, i dërguan shoqata humanitare në kampin “Santa Fara” në Bari të Italisë, atje ku jeta e përditshme u përmirësua. Në kamp, Ademin e punësuan si përkthyes edhe organizator i refugjatëve shqiptarë me një rrogë të vogël, të cilën e përdorte për nevoja të shokëve. Në pranverë të vitit 1950, u formua Komiteti “Shqipëria e Lirë”, organizatë që përfshinte e përfaqësonte të gjitha grupet nacionaliste edhe Mbretin Zog, me qendër në Romë. Kryesia u caktuan: Abaz Ermeni, Abaz Kupi, Mit’hat Frashri, Sait Kryeziu e pas vdekjes së z. Frashërit, Hasan Dosti, sekretar u caktua Gaqo Goga. Kjo organizatë u krijua në marrëveshje me SHBA-në dhe Anglinë për stërvitje, materiale e transport, për një veprim për Shqipërinë e Lirë. Gjatë viteve të qëndrimit në Greqi dhe Itali, Adem Gjurra inkuadroi rreth 1000 anëtarë në organizatë që e mori emrin “Organizata Lëvizja e Legalitetit”. Në muajin maj, Gaqo Gogo u takua me Ademin edhe i shpjegoi situatën dhe me takime të vazhdueshme e ngarkoi të rekomandonte shokë më të afërt për këtë organizim politik në shërbim të kombit. Ademi pati takime me drejtuesit e Komitetit, të cilët e autorizuan të zgjidhte 25 shokë të vet për mision, ku njëri prej tyre ishte kushëriri Shaban Gjurra.

Në vitin 1950 dërgohen në Gjermani si pjesë e “Kompanisë 4000” dhe misioni në Shqipëri

Në qershor 1950, i dërguan në Gjermaninë Perëndimore në një kompani ushtarake Amerikane në afërsi të Mynihut, që quhej “Kompania 4000”. U formuan tri toga, Legaliteti, Balli Kombëtar dhe të Pavarurit e Sait Kryeziut. Adem Gjurra u caktua zv.komandant i togës së Legalitetit, me detyrë oficer roje i objekteve të ushtrisë amerikane në Gjermani, për faktin sepse kishte pasur eksperiencë, sepse kishte qenë në xhandarmëri në kohën e Mbretit Zog. Të tjerët u caktuan në punë të tjera: kuzhinë, magazinë, shofer, arkiv etj. Pas disa muajsh kanë ardhur dhe e kanë hipur në makinë, nuk ka pasur as paralajmërim, e kanë marrë me të tjerë duke i çuar në stërvitje për t’u përgatitur në 2-3 vende. Brenda kompanisë gjërat personale të tyre janë sekuestruar, i kanë magazinuar me çelës, sepse këta do të ishin njerëz pa dokumente ku do të shkonin. Gjatë stërvitjes, Ademin e kanë caktuar komandant i personave në stërvitje. Ata stërviteshin nga amerikanët dhe anglezët, por me marrëveshje të plotë me Komitetin “Shqipëria e Lirë”. Pas një prej stërvitjeve janë ndarë në 4 grupe për t’u nisur për Shqipëri. Ademi ishte komandant i grupit të parë, por për arsye të ndryshme u caktua të ishte edhe kryetar i Misionit të Parë të organizuar prej Komitetit “Shqipëria e Lirë” dhe erdhi të luftonte për çlirimin e shqiptarëve nga regjimi komunist. Dy grupe u ndalën para desantimit. Të Dibrës e të Lumës vazhduan. Grupi i Ademit ishte caktuar për desantim në Martanesh, Dibër; me u bashkua edhe Iljaz Toptani. Natën e 19 nëntorit të vitit 1950, ata janë lëshuar me parashutë teksa kanë rënë në pritën e komunistëve, duke qenë se ky mision rezultoi i tradhtuar. Siç më vonë u kuptua, ai që kishte tradhtuar ishte Kim Filbi. Kur kanë rënë me parashutë, Xhetan Daci është vrarë duke rënë dëshmor, Selim Daci dhe Iljaz Toptani janë kapur të gjallë, kurse Adem Gjurra, i plagosur dy herë dhe Sali Dalliu pas një rezistence, kanë mundur të largohen nga vendi. Me ndihmën e popullit dibran ka mundur të shkojë deri në Reç, ku është takuar me pjesëtarë të familjes, tek shtëpia e kushërinjve, Rexhep dhe Zenel Gjurra, dhe është mjekuar për t’u larguar sërish. Ushtria e policia zhvilluan operacion të ashpër në rajon, ku u vra kushëriri i Ademit, Rexhep Gjurra, dhe u burgosën e u torturuan shumë të tjerë, si dhëndri i Ademit, Maliq Qenani nga Arrëni. Ademi vendosi të kalonte kufirin që të lajmëronte Komitetin të mos vazhdojnë misionet, se ishin tradhtuar.

Pas operacionit të “Kompanisë 4000”, Ademi largohet nga Shqipëria, torturohet në burgun e Shkupit
Adem Gjurra, pas misionit të tradhtuar të “Kompanisë 4000”, e kaloi kufirin shqiptar në fund të dhjetorit të vitit 1950, me Sali Dalliun, ku i kapi roja kufitare jugosllave. Në fillim i trajtuan shumë mirë dhe madje i mjekuan edhe këmbën e plagosur Ademit. Pasi lajmëruan qendrën, erdhën të tjerët, me uniformë e civilë, dhe i transferuan në burg të Shkupit. “Varri i shqiptarëve” e kujtonte Ademi Gjurra sa ishte gjallë. Atje filluan me pyetjet rreth arsyeve të kalimit të kufirit. Ademi kuptoi se i kishin fakte të misionit të “Kompanisë 4000” edhe u tregoi se kishin qenë me një mision kundër Enver Hoxhës. Pas një kohe jugosllavët i kërkuan të pranonte se ky plan e përfshinte edhe Jugosllavinë. Ademi nuk pranoi. Pas disa ditëve nisën të pyesnin rreth kalimit nëpër Maqedoni në vitin 1946, ku ishin vrarë mjaft ushtarë jugosllavë. Ademi shprehu çudi karshi numrit që ata deklaronin, por refuzoi të pranonte se kishte kaluar nëpër tokën jugosllave. U betua se këmbën nuk e ka lëshuar në tokën jugosllave (pasi për Ademin aty ku kishte shkelur, ishte tokë shqiptare). E kërcënuan duke i thënë se dinin çdo gjë rreth tij dhe se do ta masakronin. Filluan torturat me drogim. Kur i dilte gjumi, e gjente veten në një tjetër birucë. Nuk kujtonte çfarë kishte kaluar. Duke e ditur se i hidhnin drogat në ushqim, refuzoi të hante, por ia hodhën në ujë e pa të nuk mund të rrinte. Vendosi të vriste veten. Biruca ka pasur një dritare të vogël me tel e hekur shumë lart. E ktheu krevatin e hekurit së gjati, e vuri kundër murit, hipi në majë, kapi hekurin e dritares me një dorë dhe me tjetrën vuri stilografin në gjoks tek zemra edhe kërceu poshtë në tokë. Stilografi u thye, gjysma brenda gjoksit, po nuk vdiq. Ia morën krevatin, e lanë në tokë, me një batanije të grisur, për sa kohë qëndroi në birucë.

Lirimi nga burgu, mbajtja nën survejim dhe ftesa e refuzuar për bashkëpunim

Pas lirimit nga burgu Adem Gjurrën gjithmonë e mbanin nën survejim. Ademi e lajmëroi Komitetin në mënyrë sekrete të mos çonin më misione në Shqipëri. Nuk i vunë rëndësi. Misionet fatkeqësisht vazhduan. Njëkohësisht autoritetet jugosllave haptas i kërkonin bashkëpunim, se gjoja ishte më i miri nga të tjerët, por Ademi ishte nacionalist dhe nuk e hante atë çorbë. Rreth fundit të vitit 1951, e dërguan në një spital për mjekim. Ishte spital psikiatrik, por atje ekzistonte një departament që merrej veç me kundërshtarët politikë. Ademi u torturua me drogë dhe korrent e gjithçka tjetër. Adem Gjurra kujton se ka pasur nacionalistë nga gjithë pjesa e Jugosllavisë. Aty futeshin kundërshtarë dhe dilnin të çmendur. Ademi u lirua pas një muaji e gjysmë. E lejuan të shkonte në Mitrovicë, Kosovë, me banim. E lavdëronin, e merrnin në tubime e mbledhje të kosovarëve. Pasi Ademi e pa se si i këshilloi shteti vetë të griheshin në luftë kundër shtetit, filloi t’i këshillonte kosovarët të kishin kujdes, se askush nuk do t’u vinte në ndihmë dhe ushtria jugosllave do ta bënte Kosovën hi. Gjatë këtyre viteve filluan e vazhduan misionet jugosllave në terren në Shqipëri. I ofruan Ademit t’i sillnin familjen në Jugosllavi, por ai refuzoi, se e dnte se do t’i përdornin t’i strehonin për bashkëpunim. Në atë kohë u mor vesh për disa vrasje nga terrenistët në Shqipëri edhe Ademi i denoncoi si tradhtarë të shitur te armiku.
Internimi në Shabac të Serbisë dhe vendosja në kampin Gerova në Slloveni/
Për arsyet e mësipërme Adem Gjurrën e bënë pako natën edhe e internuan në Shabac, një qytet në veri të Serbisë, pa popullatë shqiptare. Ka qenë viti 1953 dhe atë vit u internuan rresta e parashutistëve e ca të tjerë, përafërsisht 60 vetë. Disa i kthyen, po çuan të tjerë gjatë vitit 1954. Sali Dalliu u martua me një grua kosovare, sikurse edhe Halil Nerguti. Ademi, ngaqë ka jetuar më shumë nën presion, vendosi të martohej me një vajzë nga zona e Shabacit. Më 28 shkurt 1954, Adem Gjurra u martua me Milica Risticin, me lejen e familjes së saj. Më 15 janar 1955, i lindi një vajzë, Afërdita. Një shok i luftës antikomuniste, Gjon Gjini nga Fani i Mirditës, e bëri kumbarë. Gjatë vitit 1954, shokët nisën të emigronin për në Perëndim, disa nga ndihma e organizatave politike, të tjerë fetare e disa pa shpjegim. Ademi i mblodhi shokët e misioneve të Komitetit edhe vendosën që të mos i nënshtroheshin Jugosllavisë për të fituar të drejtën e emigrimit. Në vjeshtën e 1954-ës, të gjithë shokët bënë të kundërtën. Iu dha leja për në Kosovë edhe pastaj njëri pas tjetrit në Perëndim. Ademi mbeti vetëm dhe i vetmi pa u dorëzuar. Në mars të vitit 1955-ës, Ademi me fëmijën e vogël, Afërdita vetëm 6-javëshe, bashkë me gruan iu dha leja të hynin në kampin Gerova në Slloveni për procesim të emigrantëve që dëshironin të linin Jugosllavinë. Kur arritën në Gerovë, u pa se ishte një kamp përqendrimi, rrethuar me tre rreshta tel të ashpër, me kasolle për ushtarë të armatosur; lagështirë, ftohtë, shumë pak ushqim. Ishin 80-100 vetë në një dhomë (ndërtesat kanë qenë kazerma ushtarake të shumë kohëve përpara). Filluan sëmundje. Për dënim u dërguan njerëz në podrum. Shumë nuk dolën më, pasi nuk mbijetuan. Hungarezët u torturuan edhe më keq, u vranë shumë.

E kthejnë sërish në Shabac pas 5 muajsh në një shtëpi 3 me 3 metra

Pas 5 muajsh i kthyen të gjithë personat me nënshtetësi jugosllave, Milicën e Afërditën. Qanin fëmijët dhe baballarët. Më vonë e kthyen dhe Ademin në Shabac, me gjithë të tjerët që ndodheshin në atë kamp. Adem Gjurra me familjen u strehua të prindërit e Milicës për një kohë. Në fund të 1955-ës u detyruan të futeshin në një dhomë 3 me 3 metra në qytet, pjesë e ish-stallës së kuajve, ndërtuar me qerpiç të dobët. Kushtet ishin skandaloze, çatia pikonte, rridhnin ujë muret. Ishte dimër, akull brenda muresh, fëmija (Afërdita) u sëmur rëndë, ilaçe kishin shumë pak ose hiç. Adem Gjurra u sëmur dhe shkoi në spital, por prej andej doli më rëndë. Pas një kohe e diagnostikuan me TBC, sëmundje që nuk e pati kur hyri në spital në vitin 1956. Gjithmonë besonte se e kishin helmuar të UDB-së, që të vdiste nga sëmundje natyrale, se në këtë kohë nuk mund ta vrisnin më. Nuçi Kota, pasi u bë kryetar i Lëvizjes së Legalitetit, e regjistroi në shumë organizata edhe të OKB-së, në Komisionin për Persona në Rrezik për Arsye Politike, Kombësie ose Feje. Jugosllavët kishin pak frikë reaksionin në vise shqiptare në Jugosllavi ta burgosnin ose ta vrisnin drejtpërdrejt. Kushëriri i tij, Shaban Gjurra, i çoi disa antibiotikë, sikurse edhe shokët, shumë prej të cilëve emigruan në SHBA nga Gjermania. E ndihmonin edhe me pak para ose pako. Kjo ndihmë për Ademin, ndonëse e vogël, ishte e madhe, pasi ai e kuptoi se nuk ishte i harruar. Sa për udhëheqjen e OKLL, përveç Nuçi Kotos, askujt nuk i ka ra mendja. Fatkeqësisht, Nuçi vdiq pas pak vitesh. Megjithëse shteti merrte rreth 80 $ në muaj për çdo emigrant nga ndërkombëtarët, Ademit i dorëzonin 3$… më vonë 5… 7… deri pasi 10 vjetësh u bënë 21. Milica filloi me punë të rëndë, punë burrash. Sa ta merrte vesh UDB-ja, e urdhëronin ndërmarrjen ta përjashtonin Milicën nga puna. Ademi ka qenë i kufizuar të lëvizte vetëm brenda qytetit. I thanë se po të zgjatej një hap më shumë, nuk e kishte jetën të sigurt. Jugosllavët do të gjenin një mënyrë ta vrisnin. Edhe 10 km te prindërit e Milicës, veç me leje të shkruar shkonte, nëse e jepnin. Tek spitali nuk kishin të drejtë mjekët ta vizitonin, edhe nëse ishte në rrezik jete, pa autorizim nga policia dhe UDB-ja. Adem Gjurra ka vuajtur shumë me gjithë familje në Serbi. Shumicën e veshmbathjeve që u vinin nga SHBA-ja, i shisnin për qira, korrent, të paguante borxhet te dyqani etj. Gjatë qëndrimit në Shabac, gjithmonë i bënin oferta Ademit të bashkëpunonte, të paktën të marrte nënshtetësinë, por ai e refuzoi.

Kushëriri e ndihmoi të largohej nga Jugosllavia në Itali e më pas në SHBA

Në vitin 1966, dikush bëri gabim te konsullata në Amerikë edhe i dhanë Shaban Gjurrës vizë për Jugosllavi. Sa u mor vesh në Shabac, e transportuan Ademin me familje në një banesë me një kuzhinë dhe një dhomë në periferi të qytetit, e cila kishte kushte të mira krahasuar me atë ku ishin. Shabani, kushëriri i Ademit, shkoi në Jugosllavi e bëri plane të vinte pas një viti ta ndihmonte Ademin për t’u larguar. Në vitin 1967, Shaban Gjurra shkoi sërish në Jugosllavi. U paguan disa zyrtarë dhe u gjet një pasaportë false për Ademin. U thanë të gjithëve se do të shkonin në bregdet me Shabanin edhe u nisën me tren. Në fillim të gushtit arritën në Trieste. I priti një mik, Zef Shyti, edhe i dorëzoi tek kampi për refugjatët. Atje qëndruan një muaj, u transferuan në kampin në Latina, ku qëndruan 5 muaj. Arritën në Nju-Jork më 6 shkurt 1968. Ademi punoi pak kohë dhe doli në pension sikurse gruaja e tij, Milica, pak më vonë. Vajza e Ademit, Afërdita Gjurra, në vitin 1977 mbaroi Universitetin e Qytetit Nju-Jork në degën e Antropologjisë dhe punoi në sektorin privat.
Aktiviteti politik i Adem Gjurrës

Aktiviteti politik i Adem Gjurrës nuk pushoi kurrë. Ka vazhduar punën dhe lidhje politike me Abaz Kupin e me shokë të tjerë në Amerikë. Ademi komunikimin me Abaz Kupin e ka pasur vazhdimisht në Amerikë, po edhe në Shqipëri gjatë luftës, shpesh përmes të nipit, Hasani Kupit. Ademi ka qenë mik dhe bashkëpunëtor i Gaqo Gogës, Xhemal Laçit, Fuat Myfties etj. Vazhdimisht ka qenë në kryesinë e Legalitetit në Komitetin Qendror të OKLL-së gati gjatë gjithë kohës. Në vitin 1976, dega Nju-Jork u shkatërrua gati e gjitha, po shuhej, dhe me urdhrin e Mretit Leka e mori Ademi edhe e ngriti fuqishëm si degë për t’ua dorëzuar më vonë të tjerëve. Ademi nuk ka pasur aspak xhelozi dhe nuk ka qenë ambicioz më shumë sesa duhej. Dëshira dhe puna e jetës e tij ka qenë të njihen sakrificat e anëtarëve të “Kompanisë 4000”; ata që u vranë, u kapën, u torturuan, edhe të gjitha familjet e tyre kanë vuajtur shumë. Për fat, kjo ndodhi me dekorimin që Presidenti Nishani i bëri “Kompanisë 4000”. Adem Gjurra është takuar me Mbretin Leka shumë herë. Ka marrë pjesë dhe ka kontribuar tek shoqata shqiptaro-amerikane “Vatra”, në hapjen e xhamisë së parë të komunitetit në Nju-Jork, ka kontribuar për Legalitetin dhe mbrojtjen e kosovarëve të burgosur nga shteti jugosllav etj., por shpeshherë në mënyrë private. Ka kontribuar edhe në shoqatat për mbrojtjen e drejtave të njeriut si edhe të atyre që punonin për zhdukjen e varfërisë në vende të ndryshme të botës. Gjithmonë ka këshilluar se arsimi është shpëtim për njeriun dhe Atdheun. Ndihma dhe inkurajimi për studentin ka qenë një filozofi e jetës për Ademin. Adem Gjurra është dekoruar “Pishtar i Demokracisë” nga Presidenti Sali Berisha.

Letra e politikanit dhe historianit Nicholas Bethelll: Si e njoha Adem Gjurren

Nicholas William Bethelll, një politikan britanik, historian i Evropës Qendrore dhe Lindore, përkthyes dhe aktivist i të drejtave të njeriut i cili u ul në Dhomën e Lordëve si Konservator, shërbeu si anëtar i emëruar i Asamblesë Evropiane dhe si anëtar i zgjedhur i Parlamentit Evropian teksa shkruan: -” “Me trishtim të madh dëgjova për vdekjen e Adem Gjurrës luftëtarit guximtar për lirinë e shtetit të tij. Mbaj mend shumë mirë takimet me Adem Gjurrën në Nju Jork në gusht 1983 kur ai më tregoi mua historinë për misionin e tij në Shqipëri në nëntor 1950. Detajet të tjera të historisë së tij u konfirmuan nga shqiptarët që u trajnuan dhe luftuan me të. Eshtë e qartë për mua që ai ishte një nga më kurajozët dhe guximtarët nga të gjithë shqiptarët që u përpoqën të lirojnë vendin e tyre nga komunizmi gjatë periudhës 1949-1953. Fakti që misioni i tij nuk ia doli, jo për fajin e tij, ishte trishtimi më i madh i jetës së tij. Pjestarët e familjes së tij brutalisht u masakruan dhe ai u detyrua të kalonte 17 vite në internim përpara se të emigronte në SHBA. Dhe përsëri ai më tregoi mua se nuk u pendua nga qëllimi i tij që të krijonte një Shqipëri të lirë dhe i vinte keq vetëm sepse misioni i tij nuk ishte i suksesshëm. Shumë nga shokët e tij dhanë jetët e tyre për këtë kauzë, u vranë gjatë aksionit në fushën e betejës. Adem Gjurra mbijetoi betejën për më shumë se 30 vjet, mjaftueshëm gjatë që të tregonte historinë e tij. Sidoqoftë ai dha shumë nga jeta e tij për vendin e tij. Gjeneratat e mëvonshme të shqiptarëve do ta nderojnë kujtimin e tij pasi liria për të cilën ai luftoi u arrit”.

Kush është Adem Gjurra

Adem Gjurra ka lindur në Reç të Dibrës më 13 mars 1912 dhe vdiq më 6 janar 1985. Ishte pjesëtar i një familjeje atdhetare, e cila kishte luftuar për çlirimin e Shqipërisë që nga koha e Turqisë. Ishte i biri i Hysen Shaban Gjurrës, i dalluar për trimëri. Në Shqipëri ka qenë i martuar me Xhevahire Markun me të cilën pati gjashtë fëmijë dhe vetëm dy i jetuan, Ismail Gjurra dhe Sali Gjurra. Ndërsa jashtë Shqipërisë u martua me Milica Risiçin, me të cilën ka një vajzë, Afërdita Gjurrën. Fatkeqësisht, vdiq në vitin 1985 në SHBA dhe nuk e pa më Atdheun e dashur ose familjen që la në Shqipëri. Në varrimin edhe në pamje erdhën rreth 4000 shqiptarë dhe të huaj.

SHKARKO APP