Adriana Elini- Xhajanka “Kineastja e Prillit”, në 80-përvjetorin e lindjes

Regjisorja e filmit më të mirë portret, “Koli Idromeno, figurë e shquar kombëtare”. Fituese e medaljes “Regjisorja më e mirë e Festivalit” me filmin “Çdo vijë një vizatim”

Bota e madhe e artit shqiptar shkëlqen fuqishëm nga puna dhe talenti i sa e sa artistëve të apasionuar, të cilët vunë gjithçka në shërbim të tij, kohën , rininë, forcat për të sjellë në art, jetën e përditshme, punën njerëzit e thjeshtë. Adriana Elini- Xhajanka, regjisore e shquar e filmit dokumentar, është pjesë e asaj plejade artistësh të “Kinostudios Shqipëria Sot”, që la gjurmë me krijimtarinë e saj, në historinë e artit të shtatë, siç cilësohet kinematografia. Adriana i përket brezit të dytë të regjisoreve të montazhit që filloi punën në fund të viteve ‘50-të, por që me pasion e dashuri për profesionin superoi montazhin , në regjisore të filmit dokumentar dhe që për mëse tre dekada, krijoi vlera të padiskutueshme në art. Adriana Elini- Xhajanka, u lind në Tiranë, në 3 prill 1937 në një familje qytetare e të shquar për idealet e vyera ndaj Atdheut. Mbasi kreu në Tiranë, studimet në Fakultetin e Histori-Gjeografisë, Adriana do të niste punën e saj të ardhshme, ku do t’i duhesh t’i binte kryq e tërthorë Shqipërisë, të shfletonte libra, ngjarje data e personazhe që bënë historinë e këtij populli, duke i përjetësuar ata në celuloid.  Adriana ka lënë thesarin e montazhit analitik dhe të durueshëm  “Syri flet më shumë se buza”. Të ndërmendet kjo aksiomë, për këdo që e ka njohur nga afër regjisoren Adriana. Kineastja që të befasonte e mrekullonte me faktin, se si përputheshin tipi, karakteri, kultura e natyra e njeriut, që edhe kur flet, i bulëzon fjala, mendimet me zë të ulët, dhe përvetësimi i artit të syrit, siç është kinemaja, pikërisht, nga makineria për montimin e filmit, siç është Moviola, ku Adriana u ul në moshën 20-vjeçare drejt filmografisë së mëse 50 filmave.

Bashkohësia dhe jetëgjatësia filmike, në mesazhe dhe dëshmi kohore

Klima që i ngjante një deti të qetë në sipërfaqe, me rryma në brendësi të tij, do të shoqëronte vitet e punës e të kapërcimeve krijuese për kinoregjisoren e ardhshme Adriana. Në tavolinën e montazhit, në të cilën punonte Adriana, për t’i dhënë formë si produkt filmik, mijëra kilometrave të xhiruara drejtë shfaqjeve në ekranet e kinemasë, qëndrojnë dhjetëra kuti të filmave dokumentarë, që realizoi regjisorja Elini-Xhajanka.

Rishtazi, përtej “Horizonteve të hapura”

“Pagëzimi” profesional i regjisores së re të montazhit, është filmi artistik, “Horizonte të hapura”, me regjisor Viktor Gjika, skenarist, shkrimtarin e madh Dritëro Agolli, simbolikisht edhe një horizont i hapur për kineasten e re.

 Galeria e portreteve filmike të bashkëkohësve

Për Kinopublicistin Ilia Dede, regjisorja Elini, ishte vëzhguese e heshtur.  Asaj i ka munguar patetizmi i asokohe për të arritur suksesin e ditës. Prioriteti krijues i kësaj regjisoreje, e cila si rrallëkush, bashkëpunonte me skenaristin që në bërthamë të filmit, e deri në zbërthime tekno-regjisoriale, sikronizimin e tekstit me figurën, por mbi të gjitha ajo sinkronizonte komunikimin qytetar. Mjafton të shohësh filmografinë e Adrianës, sidomos, filmat portret si: “Mjeshtri dhe nxënësi e tij”, ku portretizohet shpikësi i radios së parë shqiptare e themeluesi i prodhimeve radioteknike e televizive, si dhe tjerë filma: “Me ndërtuesit e Muzeut Historik Kombëtar”, “Fanfarat e të vegjëlve”,  “Dritë në Koman”, “Furrënalta”, “Arti i lashtë, mjeshtra të rinj” etj.

Kjo regjisore, do të vendoste në celuloid, jashtë autocensurës, jetën e njerëzve të thjeshtë, duke portretizuar figura me botë shpirtërore, me bashkëkohësi, si dëshmi e kohës në atë atmosferë totalitare.  Kinoregjisorja Elini, ka shfrytëzuar të gjitha mjetet shprehëse të filmit portret, për të zbërthyer përvojën e dobishme të më të përparuarve, “kyçin” e punës kërkimore shkencore, shpikjeve dhe racionalizimeve të bashkëkohësve që i sillnin të mira materiale shoqërisë së kohës. Regjisura e pjekur dhe efektive e kësaj kineasteje, në këto filma kanë ndërthurur element të arsenalit, te gjuhës së filmit shkencor popullor, si një mision që e ka gjinia dokumentare dhe e përmbushte kjo kineaste.

 Regjisorja-festivaliste me trofe filmash fitues

Pikërisht, në muajin prill, me të cilin fillon pranvera, fillonin tradicionalisht edhe festivalet e filmave shqiptare. Prillin do ta përjetonte me ndjesi të forta shpirtërore e krijuese, Adriana, edhe si regjisore konkurruese në Festival, por edhe me bilancin njerëzor që i bënte vetes, në prillin e ditëlindjes së saj. Që në Festivalin e parë të Filmit, i cili vjen pas goditjeve të rënda që ka marrë jeta kulturore shqiptare, veçanërisht në pikturë, muzikë dhe dramaturgji, kinoregjisorja, Adriana Elini, konkurroi me filmin dokumentar “Qilimat tanë”, por, deri këtu krijimtaria e saj nuk eci mbi qilim, ashtu siç edhe do të vijonte në të ardhmen. Dihet, se filmat e autorëve pretendent për të marrë pjesë në festivalet e filmit, kalonin në një proces përzgjedhjeje, në sitat më të holla, prandaj dhe ndjehesh i vlerësuar dhe i kënaqur kur arrin të përfshihesh me filmin tënd në kalendarin  e festivalit. Në festivalin e dytë të filmit shqiptar, regjisorja Elini, konkurron me filmin dokumentar “Shtëpitë malore të pushimit”  me skenar letrar dhe tekst të shkruar nga Ilia Dede.  Por, paradoks është fakti  se, ndërsa filmi u vlerësua në festivalin e Kajros, nga një juri ndërkombëtare, na u krijua sherri  me drejtuesit e BPSH, pse ne nuk kishim në film pushuesit që lexonin veprat e Partisë dhe të “shokut Enver”, ndërkohë që filmi transmetonte imazhin real e të bukur të problemit qe kish filmi. Filma dokumentar kanë mbetur si dokumenti i gjallë i kohës dhe i njerëzve. Adriana si regjisore e kulturuar, nuk ka qenë nën  ethet e festivalomanisë, siç ishin kapluar të tjerë që vraponin drejt temave jubilare të mëdha, pllakateske me drejtuesi të lartë të partisë. Breza të tërë kineastësh, autorë të skenarëve letrare dhe teksteve të filmave dokumentarë kanë bashkëpunuar me kinoregjisoren Adriana, këta janë Angjelina Xhara, Vllasova Musta, Fatbardha Demi, Shpresa Vreto, Kliton Gilani, Kolec Traboini, Luan Rama, Ilia Dede, Bashkim Hoxha e operatorët Agim Fortuzi, Sokrat Muça, Ferdinat Karuni, Ibrahim Kasapi, Ilia Terpini, Niko Treni Agim Zeneli.

Filmat konkurrues dhe fitues të kinoregjisores Elini si më e mira e festivalit

Regjisorja Elini konkurron me dy filma portret: “Ju përshëndes” “Mjeshtëri dhe nxënësit e tij”. Ndërsa në vitin 1984, trofenë e rrëmben filmi i saj “Çdo vijë- një vizatim” me skenar të Shpresa Vretos. Ku Adriana fiton medaljen e “Regjisores më të mirë të Festivalit të Filmit”. Ndërsa në vitin 1987 filmi portret për figurën e piktorit, arkitektit, kineastit Kole Idromenos, do të fitonte çmimin e tretë në Festivalin e Filmit Dokumentar. Ndërsa sot ky film po kërkohet nga studio e huaja, për t’u ridimensionuar me teknikat bashkëkohore, për vlerat e veçanta që mban realizimi regjisorial i tij.

 Dokument-ar, ar- dokument derdhi Adriana në bankën e filmave

Regjisorja Adriana Elini, në këtë prill të tetëdhjetë të ditëlindjes, i mungon muajit, por Emri i saj, dritëson në filmat dokumentarë të shfaqura në ekrane, sepse ekrani është qepalla e syrit të kineastes, të artit të syrit, që na ka lënë mesazhe në jetëgjatësi dhe rezonancë vlerash historike e njerëzore.

Lako: “Faleminderit Adriana për thesarin që ke lënë”

Natasha Lako, shkrimtare skenariste, ish-drejtore e Arkivit Shtetëror të filmit shqiptar. Në vlerësimet që ajo ka publikuar në botimet e saja, jep konsiderata për kinoregjisoren Elini –Xhajanka “As Adriana vet nuk ka qenë shumë e ndërgjegjshme për thesarin që na ka lënë, në atë imazh analitik dhe të durueshëm. Pa këndvështrimin e saj, nuk do të kishim ato portrete njerëzish, ato plane të jashtëzakonshme. Për këtë sot i themi:  Faleminderit!. Por sot  njerëzit nuk janë aq koshientë për të parë çfarë gjurme jete na ka lënë këndvështrimi i Adrianës”, shkruan Lako.

SHKARKO APP