Aktorja Bulku: Pengu i Bujar Lakos

Vdekja e aktorit Bujar Lako e ka prekur shumë Rajmonda Bulkun, e cila shprehet se Shqipëria humbi një aktor të rrallë.

“Nuk ka më Bujar Lako, nuk ka më aktor si ai. Do i mungojë teatrit, filmit, neve na mungon, artit shqiptar i mungon, ne do vuajmë për këtë mungesë”, thotë Bulku.

E pyetur nëse kishte ndonjë peng, Rajmonda Bulku shprehet se shpesh me Bujarin bënin shaka duke hamendësuar sesa të famshëm do të ishin bërë nëse do të kishin lindur në një vend perëndimor.

“Nuk e di nëse mund të quhet peng, por shpesh bënim shaka e qeshnim kur thoshim, ‘Na ra koka në një vend të varfër dhe komunist, ndryshe do ishte diku tjetër’.

Shokohesh kur mëson këtë humbje. E duam Bujarin tonë ne aktorët, e duam të gjithë shqiptarët kudo ku janë”, tha aktorja.

Bulku madje shpreh habi sesi zemra u bë shkak për vdekjen e Bujar Lakos: “Bujari ishte ndër ata meshkuj, që as bark nuk vuri kurrë, e kishim zili për fizikun e tij dhe na habiti ky atak kardiak”.

SHKARKO APP