Al Bano Karrisi: Nuk mund të shkoj në botën tjetër, kam ende shumë punë për të bërë

Këngëtari, pas operacionit: “Jam shumë mirë. Nuk mund të shkoj në botën tjetër, pasi kam ende shumë punë për të bërë”

Nga Zenepe Luka/Ndërsa ishte duke bërë prova në skenë, në Teatrin e Romës, për koncertin, që do të jepet me rastin e Krishtlindjes, këngëtari i famshëm italian, ka bërë me urgjencë një ndërhyrje kirurgjikale në zemër. Kirurgët kanë  konstatuar se këngëtari ka kaluar dy atakë në zemër mbrëmjen e të premtes, njërin në orën 18:00 dhe tjetri në orën 20:00.

 Pas lajmit të dhënë nga media italiane, shoqata kulturore “Al Bano Karrisi” në Vlorë, e shqetësuar, është interesuar për situatën shëndetësore të këngëtarit. Në pamundësi për të komunikuar në telefonin e tij, familjarët në Celino San Marko, në prononcimin e tyre shprehen, se gjithçka ka ardhur papritur, ndërsa ishte duke kënduar në skenë, në provat e koncertit të madh, që do të jepet me rastin e Krishtlindjes, Al Bano ka ndjerë një dhimbje të fortë në zemër. Ai është përcjellë menjëherë në spital, ku mjekët kanë konstatuar, se në harkun e dy orëve ka pësuar dy atakë kardiakë. Në këto rrethana i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale, që ka zgjatur mbi tre orë.  Paraditen e të shtunës, këngëtari ka qenë i qetë dhe shqetësimit të të afërmve, si dhe medias italiane, u është shprehur: “Pas operacionit, ndjehem mirë. Unë nuk mund të iki në atë botë, pasi ende kam shumë punë për të bërë”.

 Shqetësimi i fansave në Vlorë

 Pas lajmit rrufe për gjendjen shëndetësore të idhullit të tyre, qindra fansa, kanë telefonuar të shqetësuar dhe kanë kërkuar hollësi rreth gjendjes së tij pas operacionit. Shoqata ka kërkuar impenjimin e artistes shqiptare Aksinja Xhoja, që të ndjekë nga afër gjendjen dhe të informojë herë pas here shoqatën. Në orën 17:00 e të shtunës, pianistja shqiptare, Mjeshtër i Madh, Aksinja Xhoja është shprehur ekskluzivisht për gazetën “Koha Jonë”. “Jam në kontakt çdo një orë me njerëzit që janë pranë këngëtarit të operuar nga zemra. Sikurse deklarojnë mjekët, por edhe vetë këngëtari me gojën e tij, operacioni ka shkuar  mjaft mirë dhe gjendja është përmirësuar ndjeshëm. I vetmi shqetësim është se Al Bano, nuk do të kthehet në skenë për të vazhduar provat, por pas qëndrimit pak ditë në spital nën mbikëqyrjen e mjekëve, do të kthehet në shtëpinë e tij, në Celino San Marko”.

Këngëtari italian, i ftuar nga shoqata kulturore “Al Bano Karrisi”,  në harkun e 90 ditëve ka qenë dy herë në Shqipëri. Më 17 shtator, ai dha një koncert bamirësie në Pallatin e Kongreseve, me rastin e shenjtërimit të Nënë Terezës, ditë, ku mori  pasaportën shqiptare dhe Kryebashkiaku Erjon Veliaj i dha Çelësin e Tiranës. Më 28 –29 Nëntor Al Bano ishte për festa në Tiranë dhe Vlorë. Në ditën e Shpalljes së Pavarësisë, këngëtari takoi Presidentin e Republikës, z. Bujar Nishani, ndërsa ishte i pranishëm edhe në pritjen që u dha në Pallatin e Brigadave, ku takoi dhe bisedoi me Kryetarin e Parlamentit, Ilir Meta si edhe Presidentin e Kosovës z.Hashim Thaçi.  Më 29 Nëntor, Al Bano Karrisi ishte në Vlorë. Në nderim të tij u organizua një spektakël mbresëlënës në kinoteatrin “Petro Marko”. Qarku i Vlorës nderoi me medaljen e “Mirënjohjes” atin e tij, Karmelo Karrisi, ndërsa shoqata kulturore atdhetare “Labëria” i dha këngëtarit Medaljen “Miku i Labërisë”. Kryetari i bashkisë së Vlorës, z.Dritan Leli, i dorëzoi këngëtarit dokumentin zyrtar  si banor i lagjes “Pavarësia” në Vlorë. Këngëtari vendosi buqeta me lule në Monumentin e Pavarësisë  si edhe në Varrezat e Dëshmorëve të qytetit. Në maternitetin e Vlorës, një foshnjeje të porsalindur, iu vu emri Albano, duke iu bashkangjitur listës së gjatë prej 400 qytetarëve në Shqipëri që kanë këtë emër.  Al Bano përgatitej, që në muajin janar të jepte koncert në Kinë, që është i treti në këtë vend qindramilionësh. Pak ditë më parë ai dha një koncert gjigant në Armeninë e largët.

SHKARKO APP