Ankara/Marrëveshje mes ATSH dhe agjencisë turke të lajmeve, Anadolu Agency

Komunikimi midis Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH) dhe Agjencisë zyrtare turke të lajmeve Anadolu Agency vijon prej vitesh me shkëmbime të përhershme informacioni.

Të dy institucionet mediatike, mbi bazën e marrëveshjeve të nënshkruara në vite, kanë mundësuar jo vetëm shkëmbim lajmesh, por edhe fotosh e videosh, si dhe eksperiencat e tyre.

Të dy agjencitë janë nga më të vjetrat në Ballkan dhe kjo ka bërë të mundur që edhe në arkivat e tyre të gjenden dokumente me vlerë që kanë pasuruar komunikimin dhe informacion respektiv.

Për t’i dhënë një dimension të ri këtij bashkëpunimi, edhe në kuadër të komunikimit që kanë dy agjencitë me të gjitha agjencitë e vendeve të Ballkanit dhe Mesdheut, por edhe për të identifikuar mundësi të reja në sfidën e sotme globale të informacionit, u nënshkrua në Ankara marrëveshja midis ATSH-së dhe Anadolu Agency.

Për palën shqiptare marrëveshja u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm i ATSH-së, Gëzim Podgorica, ndërsa për palën turke nga Drejtori i Përgjithshëm i Anadolu Agency, Senol Kazanci. Marrëveshja u nënshkrua në kuadër të vizitës që po zhvillon në Turqi, Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, i cili ka zhvilluar takime me Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, me kryeministrin Binali Yildirim  dhe kryetarin e parlamentit turk, Ismail Kahraman. Në ceremoninë e organizuar në Pallatin Presidencial për nënshkrimin e marrëveshjes, merrnin pjesë edhe dy presidentët, ai turk Recep Tayyip Erdogan dhe ai shqiptar Bujar Nishani, si dhe delegacionet përkatëse.

Marrëveshja u vlerësua si një dëshmi e komunikimit mjaft të mirë politik që kanë të dy vendet dhe si një mundësi për të rritur informacionin për zhvillimet politike, ekonomike, ato në fushën e turizmit, të historisë etj, në Turqi e Shqipëri. ATA

SHKARKO APP