“Arrëthyesi”, magjia e zbret në skenën e TKOB

“Arrëthyesi” që në herën e parë kur Çajkovski e prezantoi, ka mbetur si vepra simbol e Krishtlindjes e Vitit të Ri. Çdo skenë në botë e vë këtë shfaqje për ta mbyllur vitin me hare e gëzim. Kështu do të ndodhë edhe në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, në datat 28 dhe 29 dhjetor.

Premiera e katërt që mbyll sezonin në TKOB do të jetë pikërisht ky balet, që  vjen në një koncept të ri si krijimtari koreografike e Enada Hoxhës dhe Gerd Vasos.

Në konferencën e mbajtur për median, drejtorja e teatrit, Zana Çela u shpreh se: “Në fund të tre mujorit kemi kënaqësinë të prezantojmë faktin se gjatë këtyre tre muajve, artistët e TOB-it dhe institucioni i gjithi ka prodhuar shfaqje të gjinive të ndryshme, opera, balet, koncerte të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve, koncerte simfonike dhe njëkohësisht ka përgatitur dhe prezantuar koncerte edhe për fëmijët e të rinjtë në shkollat e kryeqytetit. Kanë qenë këto dy linja kryesore, të cilat e kanë prezantuar institucionin tonë përpara një publiku  shumë të gjerë dhe pikërisht ky ka qenë qëllimi i këtij kalendari, të zgjerojë audiencën.

Sot, siç mund ta bëni bilancin edhe vetë, mund të them se TOB-i, ka prezantuar gjatë këtij tre mujori, çdo dy ditë, shfaqje për publikun e kryeqytetit. Sigurisht që në sezonin e ardhshëm do prezantojmë e prodhojmë shfaqje edhe për publikun e qyteteve e rretheve të vendit”.

Më tej koreografja Enada Hoxha tha se, kjo shfaqje vjen si një sfidë e saj dhe e Gerdit për të bërë një koreografi të re, duke e ditur që në botë vihet çdo vit, nga shumë koreografë që sjellin idetë e tyre. “Menduam që do të ishte kënaqësi ta rivinim me kolegët që kanë punuar shumë, por lodhja dhe kënaqësia shkojnë bashkë. Këtë herë na janë bashkuar edhe nxënësit e shkollës së baletit që janë e ardhmja e këtij institucioni. Mendojmë që jemi drejt një shfaqje shumë të mirë e të bukur”. I pranishëm në këtë konferencë dirigjenti spanjoll Ricardo Caseros, i cili pas “Traviatës” do të drejtojë orkestrën simfonike të TKOB-it edhe për “Arrëthyesin” shprehu kënaqësinë për vazhdimin e bashkëpunimit me artistët shqiptarë. “Mendoj se edhe në të ardhmen do të jem këtu për bashkëpunime të tjera. Për mua ky balet është nga më të mirët, një muzikë dhe spektakël vërtetë i mirë”, përfundoi ai.

 

Historia  e Arrëthyesit fillon në prag të Krishtlindjes në shtëpinë e madhe dhe të bukur të familjes gjermane Stahlbaum, të cilët kishin organizuar një festë. Gjatë festës mes miqve të shumtë  vjen dhe Gjyshi Drosselmeyeri, cili i jep fëmijëve, Clara dhe Fritz dhurata. Për Klarën ai kishte sjellë kukullën Arrëthyesi, të cilën ajo e pëlqeu shumë. Fritz bëhet xheloz dhe thyen kukullën. Por Gjyshi me anë të magjisë e rregullon atë për Klarën, e cila më vonë bie në gjumë me Arrëthyesin nën pemën e Krishtlindjes. Klara në ëndërr me “Arrëthyesin” përjeton momente magjike e argëtuese.

Në rolet kryesore si ArrëthyesiPrinci dhe Klara do të intepretojnë Ervis Nallbani dhe Ledia Sulaj. Ndërsa në rolin e Droselmajer vjen Julind Dervishi, shoqëruar nga balerinët e TKOB-së, si Justin Deda, Alisa Gjoni, Eno Birko, Odeta Dishnia, Dion Gjinika, Rovena Shqevi, Isida Mollaymeri, Adela Muçollari etj..

 

(Z. Hasani)

SHKARKO APP