Artizanët me treg por pa shitje, kërkojnë të spostohen në shëtitoren e Sarandës

Vendimi i Bashkisë Sarandë për të zhvendosur tregun e suvenierëve ka shkaktuar pakënaqësi tek artizanët e qytetit. Ata thonë se tregun e ri turistët nuk e frekuentojnë, ndërsa detyrohen të ushtrojnë veprimtarinë në kushte aspak normale.

Kjo është një pamje e zakontë e tregut të suvenirëve në Sarandë. Tregu qëndron bosh deri në mbrëmje kur artizanët dalin për të shitur punimet e tyre, maksimumi dy orë.

Vitin e kaluar, Bashkia e Sarandës vendosi t`i zhvendosë ata nga shëtitorja kryesore me arsyetimin se dëmtonin imazhin e qytetit.

“Nuk vinë dot të gjithë njerëzit këtu. Jemi të fshehur, jemi të pareklamuar. Të transferohemi aty ku kemi qenë në bazë të pagesës që kemi pasur. Kaq mundësi kemi, kjo është puna jonë dhe me këtë mbahemi.”

Në ambientin e ri ku janë vendosur, turistëve thuajse nuk u bie rruga fare dhe si mos të mjaftonte kjo, artizanët duhet ta zhvillojnë tregtinë shumë pranë tualeteve publike.

“Ku është shteti këtu? Të vijë njëherë ai kryeministri dhe të shikojë ku na kanë futur ne. Jemi njerëz me ilaçe dhe hallexhinj. Kanë mbushur trotuaret dhe ne na lënë këtu.”

Artizanët e zhvendosur thonë se Bashkia po vepron me dy standarde, pasi disa prej kolegëve të tyre pasi janë pajisur me leje janë rikthyer në shëtitore.

Ky është viti me më pak të ardhura për ta, ndërsa një pjesë e tyre i janë drejtuar Ksamilit.

RTV Ora - Artizanët me treg por pa shitje, kërkojnë të spostohen në shëtitoren e Sarandës

SHKARKO APP