Britania nisi vaksinimin për Covid, mjeku shqiptar: Mes injeksioneve nuk eliminohet infektimi
Në Britaninë e Madhe nisi sot vaksinimi i popullsisë për koronavirusin me vaksinën e Pfizer. Mjeku shqiptar Ladion Shapo, në një bisedë me gazetarin Endri Xhafo, tregoi hapat dhe procedurat që do të ndiqen më tej me procesin e vaksinimit.
E para që iu bë injeksioni ishte një 90-vjeçare dhe sipas ekspertit të çështjeve të shëndetit publik, e moshuara mund të jetë zgjedhur enkas për të treguar cilat grupe do të kenë prioritet si fillim.
“…Grupet e para që vaksinohen janë ato më me risk, pastaj vijojnë të vaksinohen të tjerë,vaksinohen ata që kujdesen për të moshuarit..”
Pas kësaj grupmoshe, vijon vaksinimi i atyre personave që janë mbi 80-vjeç, ata me sëmundje shoqëruese, personelet mjekësore, e kështu me radhë.
“Duhet pasur parasysh, që këto janë grupmoshat, që të dhënat tregojnë që janë grupmoshat më të prekura, u preken fuqimisht këtu. Qeveria mori goxha kritika për mënyrën sesi nuk e menaxhoi situatën me shtëpitë e kujdesit, jo vetëm tek të moshuarit.”
Duke qenë se vaksina kërkon kushte shumë specifike për t’u mbajtur dhe transportuar, ajo do të dërgohet fillimisht në spitale paraprake dhe pastaj, do t’u bëhet njerëzve me anë të mjekut të familjes.
“Tani janë siguruar 800 mijë doza, gjatë dhjetorit pritet që të sigurohen 4 milionë doza, pra 2 milionë vaksinime. Vaksina e dytë bëhet pas 21 ditësh. 28 ditë duhen për nxitje imunitare. Kur behet doza e parë, pas 14 ditësh fillon njohja e qelizave.”
Shapo theksoi se mes dozash duhet treguar një kujdes i shtuar, pasi mungesa e infektimit nuk eliminohet.
“Risku ekziston, ne grupmosha të caktuara, ata me ngjyrë, ka një farë risku. Është mirë që të jenë thuajse të izoluar gjatë kësaj periudhe.”
Sa i përket skepticizmit rreth vaksinës, mjeku u shpreh se kjo është diçka që nuk mund të shmanget. Megjithatë, ai shtoi se vaksina është e jashtëzakonshme. /abcnews.al/