Çfarë i mësoi botës mbi Amerikën, Trump dhe turmat e tij të mbështetësve
Nga Anne Applebaum, The Atlantic
Ne e kemi promovuar demokracinë në filmat dhe librat tanë. Ne flasim për demokracinë në fjalimet dhe leksionet tona. Ne madje këndojmë për demokracinë në këngët tona kombëtare. Ne kemi zyra të tëra qeveritare, që janë të përkushtuara për të gjetur mënyrat si mund t’i ndihmojmë vendet e tjera të bëhen dhe të mbeten demokratike.
Ne financojmë gjithashtu shumë institucione që të bëjnë të njëjtën gjë. E megjithatë, arma më e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përdorur ndonjëherë – në mbrojtje të demokracisë, lirisë politike, të drejtave universale, të shtetit të së drejtës – ishte fuqia e shembullit që ajo ofronte.
Tek e fundit, nuk ishin fjalët, këngët, diplomacia jonë, paratë apo fuqia jonë ushtarake, ato që kishin rëndësi. Ishin më tepër gjërat që kishim arritur:2 shekuj e gjysmë tranzicion paqësor i pushtetit, zgjerimi i ngadaltë por masiv i ekskluzivitetit dhe traditave të vjetra në dukje solide, të debatit të civilizuar.
Në vitin 1945, kombet që kishte qenë të okupuar nga nazistët në Evropën Perëndimore zgjodhën të bëhen demokraci, pjesërisht sepse ato aspironin t’u ngjanin çlirimtarëve të tyre. Në vitin 1989, kombet që ishin pjesë e Evropës Lindore të pushtuar nga komunistët, zgjodhën gjithashtu të bëhen demokraci, pjesërisht pasi edhe ato donin t’i bashkoheshin aleancën së madhe, të begatë, liridashëse demokratike të udhëhequr nga Amerika.
Një larmi e madhe vendesh në Azi, Afrikë dhe Amerikën e Jugut, kanë zgjedhur gjithashtu demokracinë gjatë dekadave të fundit, pasi ata donin të ishin si ne, sepse duke na imituar ne panë një rrugë drejt zgjidhjes paqësore të konflikteve të brendshme, duke përdorur zgjedhjet dhe debatin në vend të dhunës.
Gjatë kësaj periudhe, shumë politikanë dhe diplomatë amerikanë gabimisht imagjinuan se ishin fjalët ose veprimet e tyre të mençura që i bindën të tjerët të bashkoheshin me atë që përfundimisht u bë një aleancë demokratike shumë e gjerë, ndërkombëtare. Por ata ishin gabim. Nuk ishin ata; ishim ne – shembulli ynë.
Gjatë 4 viteve të fundit, ky shembull është dëmtuar rëndë. Ne zgjodhëm një president që refuzoi ta njohë procesin demokratik. Ne pamë që anëtarë të partisë së Donald Trump bashkëpunuan në mënyrë cinike me të, duke e ndihmuar atë të shkelë ligjet dhe rregullat e krijuara për t`a frenuar atë.. Pastaj erdhi kulmi:një pushtim i Kapitolit nga mbështetësit e presidentit, disa të veshur me kostume të çuditshme, të tjerë duke përdorur simbole naziste,apo duke tundur flamuj të Konfederatës.
Ata e përmbushën qëllimin e presidentit:arritën të ndalin për pak orë certifikimit zyrtar të votimit të Kolegjit Zgjedhor. Anëtarët e Kongresit,Senatit, dhe zëvendëspresidenti Mike Pence u evakuuan nga godina. Anëtarëve të stafit të tyre iu tha të strehoheshin diku në një vend të sigurt. Një grua u qëllua për vdekje.
Nuk ka asnjë mënyrë për të mbivlerësuar domethënien e këtij momenti, asnjë mënyrë për të injoruar fuqinë e mesazhit që këto ngjarje u dërgojnë kudo miqve dhe armiqve të demokracisë. Imazhet e Uashingtonit në kaos që po bëjnë xhiron e botës, janë shumë më të dëmshme për reputacionin e Amerikës si një demokraci e qëndrueshme, sesa imazhet e të rinjve që protestuan kundër Luftës së Vietnamit disa dekada më parë.
Dhe ato janë shumë më shqetësuese për të huajt, sesa trazirat dhe protestat verën e vitit të kaluar. Ndryshe nga kaq shumë shqetësime të tjera përgjatë viteve, ngjarjet e së mërkurës në Kapitol nuk përfaqësuan një mosmarrëveshje politike, një mosmarrëveshje rreth një lufte të huaj apo sjellje së policisë.
Ato ishin pjesë e një debati mbi vlefshmërinë e vetë demokracisë:Një turmë e dhunshme, deklaroi se duhet të vendosë ajo se kush bëhet presidenti i ardhshëm, dhe Trump i inkurajoi anëtarët e saj. Po kështu bënë edhe aleatët e tij në Kongres, dhe po kështu edhe propagandistët e ekstremit të djathtë që e mbështesin atë. Për disa orë, ata dominuan.
Miqtë e Amerikës u tmerruan. Menjëherë pas sulmit mbi Kapitol, sekretari i përgjithshëm i NATO-s dhe kryeministri britanik dënuan atë që po shihnin përmes televizorit. Po kështu bëri edhe kryeministri danez, ministri i Jashtëm suedez, ministri i Mbrojtjes së Izraelit, presidenti i Kilit dhe një mori udhëheqësish të tjerë.
Aq pranë demokracisë amerikane ndihen ata, saqë e përjetuan atë ngjarje si të ishte një sfidë ndaj sistemeve të tyre politike:“Sulmet nga mbështetësit fanatikë të Trump ndaj Kapitol, lënduan çdo mik të SHBA-së”, shkroi një politikan gjerman.
Armiqtë e Amerikës reaguan më pak, por me siguri që u pëlqyen shumë ato imazhe. Mëngjesin e asaj dite, qeveria kineze arrestoi liderët e lëvizjes për demokraci në Hong Kong. Në vitin 2020, presidenti rus Vladimir Putin, që bëri aq shumë për t`a vendosur Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, u akuzua për helmimin e kundërshtarit të tij më të rëndësishëm politik, Alexei Navalny.
Princi i kurorës saudite urdhëroi vrasjen e tmerrshme të një gazetari, që ishte një nga kritikët e tij më të mëdhenj. Udhëheqësit iranianë, bjellorusë dhe venezuelianë, rrahin dhe burgosin disidentët në vendet e tyre. Pas trazirave në Kapitol, të gjithë ata do të ndihen më të sigurt në pozitat e tyre.
Ata përdorin dhunën për të penguar debatin demokratik dhe transferimin paqësor të pushtetit. Tani, kanë vënë re se këtë e bën edhe presidenti amerikan. Trump nuk ka urdhëruar vrasjen e armiqve të tij. Por, tani askush nuk mund të jetë i sigurt se çfarë mund të bëjë ai për të ruajtur pushtetin.
Amerikanët nuk janë ata që do të vuajnë më shumë nga dëmi i tmerrshëm që Trump dhe njerëzit pranë tij i kanë bërë fuqisë së shembullit të Amerikës, reputacionit të saj, apo më e rëndësishmja, reputacionit të vetë demokracisë.
Protestuesit që menduan se do të ishte zbavitëse të hynin në sallat e parlamentit,mund të shkojnë në burg. Por, ata nuk do të paguajnë ndonjë çmim real; dhe as teoricienët e konspiracionit që i besuan gënjeshtrat e presidentit dhe u dyndën në Uashington.
Përkundrazi, kostoja e vërtetë do të bjerë mbi banorë të tjerë të Moskës, Pekinit, Teheranit, Karakasit, Riadit dhe Minskut – disidentët dhe kundërshtarët, demokratët e ardhshëm që planifikojnë të organizojnë, protestojnë dhe vuajnë, duke sakrifikuar kohën, dhe në disa raste jetën e tyre, vetëm sepse ata duan të drejtën e votës, dhe të jetojnë në një shtet të sunduar nga ligji.
Pas ditës së mërkurë, ata do të kenë një burim më pak shprese, dhe një aleat më pak,tek i cili mund të mbështeten. Fuqia e shembullit të Amerikës do të jetë më e errët se sa dikur; argumentet amerikane do të jenë më të vështira për t’u dëgjuar. Thirrjet amerikane për demokraci mund të hidhen poshtë me përbuzje:Kur nuk besoni ju tek ajo, përse duhet të besojmë ne? /Përktheu: Abc News
Shënim: Anne Applebaum, është anëtare e Institutit Agora në Universitetin Xhon Hopkins, SHBA, dhe autore e librit “Muzgu i demokracisë:Fuqia joshëse e autoritarizmit”.