Detajet/ Laert Vasili: E vërteta e djegies së makinës

Placeholder Image

Zbardhen detaje të reja në lidhje me djegien e makinës së aktorit dhe regjisorit Laert Vasili, ngjarje kjo e ndodhur mbrëmjen e së martës. F

illimisht, nga policia u raportua se makina tip “Renault”, që shpërtheu në flakë rreth orës 22:30 në rrugën “Shyqyri Ishmi”, në zonën e njohur si “Tregu Elektrik”, ishte e aktorit të njohur.

Por më pas, rezultoi se makina në fjalë nuk ishte e Vasilit, por e një shoqes së tij. Sipas policisë, Laert Vasili ishte i pranishëm në momentin që ka ndodhur ngjarja dhe në kohën kur policia ka mbërritur aty.

Lidhur me të vërtetën e kësaj ngjarjeje, Vasili, i kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare”, tha se makina nuk ishte e tija dhe se në momentin që policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes e ka gjetur atë aty teksa ishte duke u interesuar për shkaqet e zjarrit, pasi mjeti ishte i një mikes të tij.

“Makina nuk është e imja. Është e një mikut tim. Unë isha me të kur erdhi policia dhe po interesoheshim. Por, nuk ka lidhje me mua. Me sa mësuam, makina shpërtheu për shkak të një shkëndije në sistemin elektrik”, – tha Vasili për “GSH”.

Ndërkaq, burime pranë policisë bënë me dije se fillimisht Vasili dhe 32-vjeçarja me iniciale L.H., e cila është edhe pronarja e mjetit, kanë hedhur dyshimet se ngjarja mund të ishte e qëllimshme dhe jo aksidentale.

NGJARJA
Në momentin që ra zjarri, mjeti tip “Renault” ishte i parkuar dhe si pasojë e flakëve makina u dogj pjesërisht. Fatmirësisht, nga flakët e zjarrit nuk pati persona të lënduar, pasi në atë moment në makinë nuk ndodhej asnjë person. Me të marrë njoftimin për ngjarjen e ndodhur, në vendin e ngjarjes shkuan efektivë të Komisariatit Nr. 1 të kryeqytetit, të cilët nisën edhe zbardhjen e plotë të rrethanave të zjarrit. Nga hetimet paraprake të policisë, ka rezultuar se shkak i zjarrit që shpërtheu në makinë ka qenë një shkëndijë elektrike në mjet, edhe pse fillimisht është dyshuar për një ngjarje të qëllimshme. Kështu, burime zyrtare të policisë sqaruan se zjarri ka ardhur nga djegia e paketave elektrike. Tashmë, materialet në lidhje me këtë ngjarje, policia e Tiranës ia ka referuar prokurorisë për një ngjarje aksidentale. “Më datë 24.01.2017, rreth orës 22:30, në rrugën ‘Shyqyri Ishmi’, është djegur pjesërisht mjeti tip ‘Renault’, pronë e shtetases L.H., 32 vjeçe, banuese në Tiranë. Nga veprimet e kryera rezultoi se zjarri ka ardhur nga djegia e paketave elektrike. Materialet u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për ngjarje aksidentale”, thuhet në njoftimin e policisë.

DHUNA NDAJ AKTORIT
Më 23 tetor të vitit të shkuar, aktori i njohur Laert Vasili u dhunua në mes të rrugës nga një person i paidentifikuar. Ngjarja u shënua në rrugën “Shyqyri Ishmi”, ku aktori është goditur me grusht në kokë nga një kalimtar. Në atë kohë, aktori bëri denoncim në Komisariatin Nr. 1, ku edhe deklaroi se nuk e ka njohur personin që e ka qëlluar dhe se nuk ka pasur konflikte me asnjë person. Ndërsa, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Vasili tha se kishte parkuar makinën dhe ishte duke marrë kostumin e rolit nga bagazhi dhe nuk ka mundur ta shohë se kush e ka qëlluar.
/GSh

SHKARKO APP