Dhimitër Orgocka, ky mjeshtër i madh

Besnik Bedollari/Një emër tashmë tepër i njohur i kinematografisë shqiptare dhe i artit skenik teatral. Vite të tërë pune si aktor dhe si regjisor lanë gjurmë në historinë artistike. Dhimitri është pjesë e një gjenerate të jashtëzakonshëm artistësh të mëdhenj që me ngjyrat bardhezi i falën plot ngjyra emocionesh publikut dhe spektatorit, që mbresat i ruan dhe sot të freskëta. Dhe kjo punë e tij e palodhshme në dekada, sot në pension, do të marrë vlerësimin e merituar nga dekorimi i Presidentit të Republikës së Shqipërisë z.Bujar Nishani në një aktivitet tepër emocionues dhe mbresëlënës në Pallatin e Kulturës me emrin e tij “Dhimitër Orgocka” Maliq,në kujdesin e kryetarit të bashkisë z.Gëzim Topçiu dhe drejtorit të kulturës z.Festim Tomorri. Dhe pikërisht ditën e premte 21.10.2016 në ambientet e shtëpisë së kulturës, ku merrnin pjesë përfaqësuesit e presidencës, Kryetari i Bashkisë Maliq, familjarë të artistit, miq dhe shokë të tij, aktorë të teatrit “Andon Zako Çajupi”, Korçë, poetë e shkrimtarë, intelektualë, media vizive mësues dhe gjimnazistë. U zgjodh kjo shtëpi ku ai do dekorohej nga presidenti,pasi kontributet e tij vazhdojnë edhe sot pa u lodhur në qytetin e Maliqit. Aktiviteti filloi në orën 11:00 ku fillimisht do të ndiqej një dokumentar artistik kushtuar veprimtarisë së gjerë të Dhimitrit në kinematografi dhe teatër. Dhe jo pak role. Një punë e përkushtuar dhe e palodhur. Me çmime edhe jashtë atdheut. Ku gjurmët ndihen kudo. Më pas do e marrë fjalën sekretari i Përgjithshëm i Presidencës për t’i dhuruar titullin e akorduar nga z.Bujar Nishani, “MJESHTËR I MADH” me motivacionin: “Për ndihmesën e jashtëzakonshme të dhënë në artin shqiptar,si aktor dhe regjisor i suksesshëm i dhjetëra shfaqjeve të realizuara në skenën teatrale dhe kinematografike shqiptare”.Ndërkohë e gjithë salla shpërthen në duartrokitje, ku të gjithë ngrihen në këmbë duke respektuar titullin e merituar artistit të madh. Emocionet me të vërtetë ishin të mëdha dhe kjo u vërejt e në lotët e Dhimitrit. Më pas do të rridhnin si ujëvarë bjeshkësh urimet e shumta dhe buqetat me lule që po fshihnin portretin e aktorin që me shaka tha -“ më mbuluat me lule dhe vetëm koka po me duket jashtë’’. Tepër emocionuese ishte dhe fjala e vajzës së tij,që gjithë kohës mbeti e përlotur. – “Falënderoj presidentin për nderimin e madh kushtuar babait, falënderoj kryetarin e Bashkisë Maliq, që e bëri tim atë të ndihet më tepër qytetar Maliqi sesa Korçe, falënderoj të gjithë pjesëmarrësit në këtë sallë të ndezur në duartrokitje dhe respekt. Ndihem krenare dhe për t’u baba që dite të na edukoje aq mirë,po aq krenare ndihet dhe nëna që të ndjek nga lart në çdo hap që ti ecën”. Po ashtu fjalën e mori kryetari i bashkisë z.Gëzim Topçiu, i cili vlerësoi punën e madhe dhe të palodhur të Dhimitër Orgockës. Gjithashtu pjesëtarë nga teatri i Korçës. Nga Këshilli Bashkiak Maliq, nga këshilli i qarkut, nga shoqata Atdhetare-Kulturore Gora, nga grupi i poetëve dhe shkrimtarëve gorarë,Por dhe urime nga Amerika, Maqedonia, Bullgari, Kina etj. Veç urimeve të shumta do të nderonin në 80-vjetorin e aktorit dhe një grup këngëtarësh të mirënjohur si: Spiro Rroko, Mateus Frroku, Lazarela, e të tjerë. Por qershia mbi tortë ishin grupi i Kolonjës me melodinë e ndezur kolonjare nën ritmin e kabasë. Si ndizen dhe qirinjtë e tortës të gjithë trokasin gotat dhe urojnë në koktejin e organizuar nga bashkia në respekt të kësaj dite plot rëndësi edhe vlera jo vetëm për Dhimitër Orgockën,por dhe për vet qytetin e Maliqit. Sigurisht falënderimet i shkojnë gjithë organizatorëve të këtij evenimenti,por dhe presidentit të Republikës z.Bujar Nishani që vlerëson figura të shquara të artit skenik shqiptar. Të kësaj elite aktorësh që mbeten pasuri kombëtare,me emocionet e pashteruar së dhuruari art publikut shqiptar. I dashur Dhimitër ta gëzosh titullin e merituar dhe 100 pranvera plot jetë. Qofsh jetëgjatë dhe gjithmonë i palodhur!

SHKARKO APP