DocuTIFF festivali i filmit dokumentar, vjen në Tiranë

Prurjet më të reja të filmit dokumentar do të pushtojnë Tiranën përreth një javë duke nisur nga data 10 maj me Festivalin DocuTIFF.

DocuTIFF është tashmë në edicionin e tretë dhe qëllimi është që të inkurajojë prodhimin e filmit dokumentar në Shqipëri. E hapur për çdo regjisor, nga e gjithë bota, DocuTIFF jep mundësinë e takimit dhe shkëmbimit të eksperiencave ndërmjet kineastëve.

Me 95 filma nga 39 vende të botës, vetëm në kategorinë e filmit kombëtar dhe ndërkombëtar, DocuTiff premton një larmishmëri tematikash dhe filmash dokumentarë të vlerësuar në festivalet më të rëndësishme ndërkombëtare si Cannes, Berlinale, Venezia apo të nominuar në Oscar, Golden Globe.

Në këtë edicion do të hapet për herë të parë kategoria “International Student”, për të krijuar një raport e ballafaqim më koherent me studentët e filmit në Shqipëri. Filmat të ndarë në 3 seksione ku mbizoterojnë filmat e gjatë në konkurim, do të shfaqen në Amfiteatrin e Liqenit, sallën Blak Box të Universitetit të Arteve, në muzeun kombëtar si edhe në COD.

DocuTIFF do të ngrejë siparin mbrëmjen e datës 10 maj, në amfiteatrin veror tek Liqeni i Tiranës, me një film kushtuar Shqipërisë me titullin “Tranzicion-Art and Politics in Albania”, një prodhim francez i këtij viti.

SHKARKO APP