Dosja që ”fundosi” teknikun e televizorëve të Burrelit në 1977-ën

Dashnor Kaloçi

Pjesa e parë

Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të cilat janë pjesë e një dosje voluminoze të nxjerrë nga Autoriteti për Informim i Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit (A.I.D.S.SH) ku bëhet fjalë për Bujar Muharrem Dokun, ish-punonjës i Ndërrmarjes Komunale të qytetit të Burrelit me profesion radio-teknik në repartin e Riparim-Shërbimeve, ku ai shërbeu nga viti 1964 deri në vitin 1977, kur u arrestua nga Sigurimi i Shtetit dhe u dënua me 7 vite heqje lirie për “veprimtari armiqësore”, me akuzën e “agjitacion-propagandës”, etj. E gjithë dosja hetimore dhe gjyqësore e Bujar Dokut, me akuzat ndaj tij si dhe me emrat e Punëtorëve Operativë, drejtuesëve të Degës së Punëve të Brendëshme të rrethit të Matit, hetuesëve, prokurorëve, gjyqtarëve, dëshmitarëve, e deri tek punonjësit e ndërrmarjes ku ai punonte, të cilët dëshmuan në hetuesi dhe në gjyqin kundër tij.

“I pandehuri Bujar Doku, duke qënë një element i degjeneruar, si dhe duke bërë një jetë të ç’thurur, i predispozuar për t’ju kundërvënë vijës politike, dhe praktikës revolucionare të partisë dhe shtetit tonë, i zhytur fizikisht dhe ndërgjegjërisht në propagandën e fëlliqur të armiqve të jashtëm të RPS të Shqipërisë, të social-imperialistëve sovjetikë, është futur prej kohësh në rrugë koshiente, në veprimtari armiqësore prej disa vitesh, dhe në takime me njerëz të kallëpit të tij, ka zhvilluar një aktivitet të vazhdueshëm agjitacioni dhe propagande kundër pushtetit popullor, kundër vijës politike të partisë sonë, me qëllimin direkt që të minojë dhe shkatërrojë pushtetin e klasës, dhe diktaturën e proletariatit në vëndin tonë. Ndryshe nga i gjithë populli, ky i pandehur mendonte se prishja e marrdhënive ndërmjet Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë, ishte për fajin e Partisë sonë. Këto mendime ia ka shprehur dëshmitarit J.P. duke i thënë se udhëheqja sovjetike është në rrugë të drejtë, ndërsa ajo shqiptare është në rrugë të gabuar, dhe këto nuk ndjekin një politikë të pavarur. Ai e shtrin aktivitetin e tij armiqësor më thellë duke thënë se qeveria shqiptare

Qeveria shqiptare njëherë deklaron se jemi me jugosllavët, pastaj me sovjetikët, ndërsa tani është prishur me të dyja këto vënde. I pandehuri në bisedat që ka zhvilluar me këtë dëshmitar, ka mburrur muzikën e huaj, sidomos atë italiane dhe jugosllave, duke i krahasuar ato me atë shqiptare. Ai ka thënë se muzika jonë, nuk është gjë në krahasim me këto të dyja. Po kështu i pandehuri Bujar Doku, duke rënë në prehrin borgjezo-revizionist të armikut të brëndshëm, është bërë tellalli i zakonshëm, i tyre. Ai, injoron muzikën tonë të bukur që pëlqehet nga njerëzit, sepse është e bazuar në tabanin popullor, dhe ajo i këndohet punonjësve tanë dhe veprave madhështore, që ja ndryshuan pamjen atdheut….”!

Kështu thuhet në mes të tjerash në dosjen hetimore dhe gjyqësore të Bujar Dokut, ish-punonjës në Ndërmarrjen Komunale të qytetit të Burrelit, me profesion radio-teknik në Repartin e Riparim Shërbimeve, i cili u arrestua nga Sigurimi i Shtetit në qershorin e vitit 1977 dhe u dënua me shtatë vjet heqje lirie “për veprimtari armiqësore” me akuzën e “agjitacion-propagandës”, etj. Lidhur me këtë, Memorie.al disponon dosjen e plotë në ngarkim të Bujar Dokut, e cila është nxjerrë nga Autoriteti për Informim i Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit (A.I.D.S.SH.) dhe do ta publikojë në disa numra rradhazi, (me faksimilet përkatëse dhe në versionin origjinal siç janë shkuar nga autoritetet përkatëse të asaj kohe) së bashku dhe me një intervistë të djalit të tij, Muharrem Dokut, me profesion jurist dhe me banim në qytetin e Durrësit.

Zv / Kryetari i Degës së Brendëshme: “Bujari ka pasur lidhje me J. P., i cili është dënuar si ‘Agjent i Zbulimit Grek”

                                                 VËRTETIMI BIOGRAFIK I BUJAR DOKUT

Bujar Doku është i biri i Muharremit dhe i Hajries, i datëlindjes 1939, lindur dhe banues në qytetin e Burrelit, me shtëtësi dhe kombësi shqiptare, i martuar me tre fëmijë, i pa organizuar, i padënuar, me arsim të mesëm profesional, me origjinë shoqërore shtresë e varfër. Aktualisht teknik radiosh në Repartin e Riparimit në të Ndërmarrjes Komunale të qytetit të Burrelit.

Origjina e babait të tij, Muharremit, është nga Kruja. Ka ardhur me banim në qytetin e Burrelit në vitin 1936. Qëndrimi i babait të tij ka qenë i mirë sepse nuk është përzjer me regjimet e kaluara, ka punuar për të nxjerrë bukën e gojës fillimisht në Shoqërinë Italiane “Ragazzi”, në Krujë-Qafshtamë dhe Burrel deri në vitin 1935, pas të cilit vit vjen në qytetin e Burrelit dhe punon si kasap.

Qëndrimi i familjes së tij gjatë Luftës N.ÇL. ka qenë i mirë për faktin se xhaxhai i tij Ramazan Doku, ka marrë pjesë në rreshtat partizane në Brigadën e 23 Sulmuese deri në çlirimin e vëndit.

Qëndrimi i familjes së Bujarit pas çlirimit ka qenë i mirë, për faktin se i jati i Muharremit ka punuar mirë dhe nuk është evidentuiar në ndonjë gjë negative. Në vitin 1965 Muharremi ka vdekur. Duhet theksuar se i jati i Bujarit, Muharremi është martuar dy herë për pasojë, Bujari ka një vëlla për babë që e quajnë Ramazan që është kryeinfermier në Tiranë, ku në drejtim të tij nuk dihet ndonjë anë negative për sa i takon qëndrimit të tij. Kurse një motër për babë, e quajtur Kije, është martuar në Krujë me Petrit Tagën, xhaxhai i të cilit, Xhaferri, është cilësuar kriminel lufte. Bujari ka vëlla Agim Dokun, gruaja e të cilit, Zëmërija, është e bija e Abaz Barçit, i cili ka qenë xhandar deri në vitin 1943, ndërsa xhaxhai tjetër, Elmazi, është dënuar me 10 vjet heqje lirije.

Vetë Bujari pasi ka mbaruar shkollën 7-vjeçare në Burrel, ka shkuar në Shkollën e Mesme Teknike që e ka mbaruar dhe punon si teknik radiosh në repartin e Riparimit të Radiove në Burrel. Bujari njihet si një njeri me moral të dobët, për të cilën ai është demaskuar në vitin 1967 në popull me porosi të Partisë, por nuk ka reaguar. Gjithashtu qëndrimi politik i tij nuk ka qenë i mirë, për faktin se Bujari ka pasur lidhje me Jani Poqianon, i cili është dënuar si agjent i Zbulimit Grek. Nga ana tjetër organet tona për të disponojnë materjale që bëjnë fjalë për aktivitetin armiqësor në formën e agjitacionit e propagandës.

Vendimi i Prokurorisë së Burrelit për arrestimin dhe marrjen në pyetje të Bujar Dokut

Zv/KRYETARI I DEGËS SË BRËNDËSHME                                     PUNËTORI OPERATIV

 Sokrat Çomo                                                                                    Mit’hat Cenaj

                                                V E N D I M

Qyteti Burrel, datë 26.6.1977, unë Ligor Thomollari, hetues në Degën e Punëve të Brendëshme Mat, mbasi pashë materjalin e dosjes Nr. 57 të Bujar Dokut që bën fjalë mbi agjitacionin e propagandën kundër pushtetit popullor, si dhe për përvetësim të pasurisë socialiste.

          K O N S T A T O V A

Se Bujar Doku ka kryer veprimtari armiqësore kundër pushtetit popullor dhe ka përvetësuar pasurinë socialiste.

Akuzoheni për veprimtari armiqësore kundër pushtetit popullor dhe për përvetësim të pasurisë socialiste në bazë të neneve 73/1 dhe 81 të K.Penal.

Akuzën e kuptoni dhe ç’farë doni të thoni rreth tyre?

Përgjigjie: Unë akuzat që më bëhen i kuptoj, por në drejtim të tryre nuk kam asgjë për të thënë, pasi unë jam i pastër në ndërgjegjien time. Për mua nuk ka asnjë bazë që të bëhem armik i pushtetit popullor dhe them që akuzat e mësipërme nuk i pranoj.

Procesi mbasi u lexua u firmos.

I pandehuri                                  Asistoi                                        Hetuesi

Bujar Doku                   Zv/Kryetari Sokrat Çomo                 Ligor Thomollari

 

Rimerret në pyetje i pandehuri Bujar Doku më datën 29.6.1977.

Pyetje: Na jepni shpjegime i pandehur rreth fajësisë suaj?

Përgjigjie: Unë në drejtim të fajësisë time për sot nuk kam se çfarë të them, pasi dua të mendohem, dhe nesër po m’u kujtua ndonjë gjë në lidhje me fajësinë time, do ta them.

Proçesi mbasi u lexua, u firmos

I pandehuri                               Asistoi                                        Hetuesi

Bujar Doku                   Zv/Kryetari Sokrat Çomo               Ligor Thomollari

 

Rimerret në pyetje i pandehuri Bujar Doku më datën 30.6.1977

Pyetje: Ç’keni për të thënë në lidhje me fajësinë tuaj?

Përgjigjie: Unë në drejtim të fajësisë time nuk kam asgjë për të thënë, vetëm se dua të them që unë kam dy kundërshtarë, të cilët më janë kundërvënë. Kështu është drejtori i ndërmarrjes ku unë punoj dhe përgjegjësi i sektorit të riparim radjo–televizorëve Abaz Kadiu, të cilët më kanë bllokuar mua punën. Unë për këtë gjë jam ankuar në organet e Partisë dhe të Pushtetit dhe deri më tani nuk më kanë zgjidhur problemin.

Procesi mbasi u lexua u firmos.

I pandehuri                                 Asistoi                                   Hetuesi

Bujar Doku                 Zv/Kryetari Sokrat Çomo               Ligor Thomollari

Rimerret në pyetje i pandehuri Bujar Doku më datën 30.6.1977.

Pyetje: Ç’keni për të thënë në lidhje me fajësinë tuaj?

Përgjigjie: Unë asgjë nuk kam për të thënë në lidhje me fajësinë time, ndërsa unë nuk e pranoj kurrën e kurrës, që unë të jem armik i partisë dhe i pushtetit popullor.

Pyetje: Thoni i pandehur rrethin tuaj miqësor dhe shoqëror.

Përgjigjie: Unë jam vetë i katërti vëlla. Njëri, Ramazan Doku, të cilin e kam prej babe e dy nëna, (të cilat kanë qënë motra), punon në Poliklinikën e Lagjes nr. 10 Tiranë me detyrën e përgjegjësit të Poliambulancës. Ky ka qenë partizan me detyrën e infermierit. Mbas çlirimit e ka ushtruar këtë profesion në Spitalin Ushtarak, më vonë është liruar dhe tani është përgjegjës ambulance. Nuk është anëtar partije. Ramazani është martuar me Lutfije Dokun, e bija e Qazim Sali Agos nga Kruja, me qëndrim të mirë politik.

Ka 5 fëmijë dhe që të gjithë janë në marrëdhënie pune dhe mbajnë qëndrim të mirë politik. Vëllai tjetër, Agim Doku, është berber në Burrel, ky është martuar me të bijën e Abaz Barçit, Zemrie Doku. Abazin, unë nuk e njoh mirë, po ashtu dhe të afërmit e Zemëris nuk i njoh mirë. Kështu që nuk kam se çfarë të them për ta. Agimi ka një fëmijë të vogël me Zemrien. Zemrija, punon në një ndërrmarje në Burrel. Vëllai tjetër, Hajdari, është beqar dhe punon shofer në Ndërmarrjen e Grumbullimit Përpunimit në Burrel. Unë me vëllezërit faktikisht jam i ndarë, ndërsa ligjërisht, figuroi i pandarë. Kam nënën e cila banon me Hajdarin. Kjo është pensioniste. Nëna me origjinë është nga Shijaku, e bija e Mustafa Dollakut, i cili ka vdekur. Unë kam edhe dy motra, njëra Rukie Taga e cila është martuar në Shijak me Petrit Tagën, që punon në ndërtim në Shijak si punëtor. Edhe Rukija është punëtore në ndërtim në Ndërmarrjen e Grumbullimit të Shijakut. Kanë pesë fëmijë që mbajnë qëndrim të mirë politik dhe janë në marrdhënie pune.

Një motër tjetër është e martuar në Tiranë me Muharrem Dëzhgiun nga Guri i Bardhë. Ky është punonjës shkencor në Akademinë e Shkencave. Nexhmija, punon infermiere në Ambulancën Nr. 5 në Tiranë. Kanë dy fëmijë të vegjël. Kanë mbajtur dhe mbajnë qëndrim të mirë politik. Unë kam edhe dajallarët, por këta kanë vdekur të tre. Këta kanë lënë fëmijë dhe një pjesë banojnë në Shijak dhe një pjesë në Durrës. Që të gjithë mbajnë qëndrim të mirë politik dhe asnjë nuk është dënuar. Unë vetë jam i martuar me Myrvete Doku nga Durrësi, e bija e Muhamet Reçit nga Kavaja me banim në Durrës. Myrvetja punon infermiere në Spitalin e Burrelit, me të cvilën unë kam dy fëmijë në moshë të mitur. Familja e Myrvetes është me qëndrim të mirë politik. Unë kam edhe dy teze, të cilat banojnë në rrethin e Durrësit, një në Shijak, një në Sukth. Këto kanë mbajtur dhe mbajnë qëndrim të mirë politik. Unë familjarisht jam me origjinë nga Kruja. Babai im më përpara ka qenë kasap dhe nga viti 1949 kemi ardhur familjarisht në Burrel. Baba vetë kam punuar si kasap në qytetin e Burrelit dhe në vitin 1965 ka vdekur. Unë vetë mbasi kam mbaruar shkollën fillore, kam filluar punë në Kombinat ku jam futur në moshën 14 vjeçare, mbasi mbarova një kurs 6 mujor në Kombinatin e Tekstilit “Stalin”, në Tiranë.

Këtu kam punuar një vit, kohë që jam larguar dhe kam ardhur në Burrel. Këtu kam punuar si shitës në dyqanin e bukës. Në këtë detyrë kam qëndruar një vit e gjysëm e mandej jam futur si llogaritar në administratën e Konsumit në Burrel. Në këtë detyrë kam qëndruar 6 muaj kohë që kalova në Artizanat si llogaritar arkëtar deri në kohën që shkova ushtar në vitin 1958. Ushtrinë e kam bërë në Pashaliman 4 vjet e mandej e jam liruar e kam filluar punë përsëri në Artizanat si llogaritar. Mbas disa muajash, unë vazhdova një kurs për radio-teknik dhe këtë profesion unë e ushtrova në qytetin e Burrelit që nga viti 1964 e deri më sot. Rrethi im shoqëror përbëhet prej Skënder Faricit, i biri i Hasanit nga Vinjolli. Skënderi, nënën e tij e ka me origjinë italiane. Skënderi është në punë në Ndërrmarjen Komunale në Burrel me profesion si këpucar, është i martuar me Naxhije Faricin po nga Vinjolli i cili ka 5 fëmijë. Shok tjetër i imi, është Abaz Berhani, i biri i Kasem Berhanit.

Abazi është i datëlindjes 1944, beqar dhe me punë në punishten e ambëlsinave me detyrë përgjegjës i kësaj punishteje. Përveç këtyre, unë kam edhe shokët e punës sime, të cilët quhen Abaz Kadiu, me të cilin unë nuk shkoj mirë, Bedare Cevani, me të cilën kam shkuar dhe shkoj mirë. Unë duke qenë për një kohë të gjatë me punë në Burrel, njihem dhe njoh edhe shokë të tjerë të cilët punojnë në vënde të ndryshme. Kështu unë njoh Rexhep Nelin, të cilin e kam pasur shok pune dhe tani është ushtar. Po kështu unë njoh Fadil Hysën, i cili ka qenë llogaritar në Tregti dhe tani është punëtor në Tregti.

Unë tek ky kam shkuar në dhomën e tij për të parë ndonjëherë në televizor ndonjë sport. Kështu ka pasur raste që unë kam parë tek ky ndeshje boksi, të cilat i kanë dhënë stacionet e huaja. Së bashku me mua në dhomën e Fadilit, kanë qenë edhe persona të tjerë, si Zyber Xhetani, Hysen Kuka, Shefki Çupi, Kristo Harxhi, Gjergj Xhaçka e persona të tjerë, të cilët mua tani nuk më kujtohen. Unë me përjashtim të Skënder Faricit dhe Abaz Berhanit, të cilët i kam shokë të ngushtë, të tjerët vetëm sa njihem dhe ndonjë shoqëri të ngushtë me ta nuk kam pasur.

Pyetje: Në rrethin tuaj shoqëror me kë ke hyrje dhe dalje familjare?

Përgjigjie: Unë hyrje dhe dalje familjare kam vetëm me Skënder Faricin, ndërsa me të tjerët nuk kam hyrje dhe dalje familjare. Unë kam shkuar tek shtëpia Abaz Berhanit, por ky i fundit nuk ka ardhur shumë herë në shtëpinë time.

Procesi mbasi u lexua u firmos.

I pandehuri                                      Asistoi                                              Hetuesi

Bujar Doku                               Sokrat Çomo                                Ligor Thomallari

Rimerret në pyetje i pandehuri Bujar Doku më datën 1.7.1977

Pyetje: Çfarë bisedash me karakter armiqësor keni zhvilluar me rrethin tuaj shoqëror?

Përgjigjie: Unë me rrethin tim shoqëror nuk kam bërë kurrë asnjë bisedë me karakter armiqësor.

Procesi mbasi u lexua u firmos.

I pandehuri                                    Hetuesi

Bujar Doku                            Ligor Thomallari

 Rimerret në pyetje i pandehuri Bujar Doku në datën 1.7.1977

Pyetje: Na jepni shpjegime të hollësishme në lidhje me fajësinë tuaj?

Përgjigjie: Unë në drejtim të fajësisë sime nuk kam gjë për të thënë, mbasi nuk më kujtohet që të kem bërë ndonjë faj. Në qoftë se do të më kujtohet, do t’ua them.

Pyetje: Kur keni filluar profesionin tuaj si radioteknik?

Përgjigjie: Unë detyrën time si radioteknik e kam filluar nga fundi i vitit 1963. Në fillim, unë kam shkuar si nxënës në laboratorin e riparim radiove që ishte në Burrel. Këtu në këtë kohë punonte si radioteknik J. P., me origjinë greke. Në këtë kohë kam qëndruare nja tre muaj, që jam larguar për të bërë një kurs si nxënës në ekonomi në një laborator radiosh në Tiranë. Në Tiranë kam qëndruar një vit e mandej kam ardhur në Burrel. Kur erdha unë e gjeta repartin e riparim radiove të mbyllur e nuk funksiononte, ndërsa Jani, në këtë kohë punonte në Artizanat, por në punë si teknik për makina qepëse. Unë kur erdha dhe hapa laboratorin e riparim radio dhe kam vazhduar punë deri në kohën e sotme. Në fillim unë kam punuar vetë, por më vonë me qenë se u zgjerua puna, erdhi dhe Abaz Kadiu. Mandej ka ardhur dhe Rexhep Neli dhe në fund fare ka ardhur dhe Behare Cevani. Kështu që kemi punuar katër veta, në laborator të radiove, deri në shtator të vitit 1976, kohë që Rexhepi u largua për të kryer shërbimin ushtarak.

Pyetje: Çfarë kini për të thënë për J.P.?/Memorie.al

SHKARKO APP