Drejtori i televizioneve në Euronews Group: Euronews Albania përballë sfidës për paanshmëri edhe në zgjedhjet elktorale
Pak ditë më parë u bë publik lajmi se Osservatorio di Pavia, firma e mirënjohur e konsulencës për studime mediatike në mbarë botën, në një raport të pavarur ka vlerësuar Euronews Albania, për punën ndaj “raportimit të drejtë, të saktë dhe të paanshëm, pa asnjë provë që sugjeron raportim me qëndrime të njëanshme. Në një intervistë dhënë në Euronews, pas kësaj analize të lajmeve të ndryshme transmetuar nga Euronews Albania gjatë muajve të fundit, z.François Chignac, Drejtori i televizioneve Franchaise në Euronews Group e konsideroi një vlerësim që e bën shumë të lumtur atë dhe sigurisht gjithë grupin Euronews, vetëm një vit pas hyrjes me transmetime të ngjarjeve e lajmeve në peisazhin audio- viziv të Shqipërisë nëpërmjet Euronews Albania dhe mbi të gjitha për të qenë mbartësi i ADN- së, Euronews që është paanshmëria, pavarësia editoriale, besueshmëria e dhënies së informacionit si dhe shpejtësia e dhënies së informacionit. Në emër të Euroneës ai ka përgëzuar gjithë ekipin e Euronews Albania, duke theksuar se në ditët e sotme gazetaria është shtyllë e demokracisë dhe po përballet me rreziqe të ndryshme, siç ishte dhe Covidi, apo dhe zgjedhjet amerikane. “Bota iu nënshtrua me shpejtësi shpërndarjes së informacionit e orientuar nga bota dixhitale. Nuk do të jap rekomandime editoriale sepse rezultatet që ky studim ka treguar, flasin për një menaxhim editorial shumë serioz në news room dhe në gjithë televizionin. Ne jemi shumë të kënaqur dhe shumë krenarë dhe dua ta nënvizoj edhe një here këtë. Pra si një menaxher bashkëpunues, nuk do të marr një rol mbikëqyrësi duke thënë që “dëgjoni duhet të bëni kështu apo ashtu. Kam besim në menaxhimin editorial të televizionit rajonal Euronews Albania se mund t’i gjejë vetë mjetet për të përmirësuar veten edhe më shumë. Shqipëria do të ketë përballje elektorale pas pak muajsh, do të ketë zgjedhje legjislative. Dhe pikërisht brenda kësaj situate, agjende politike ne duam të shohim një kanal totalisht të pavarur”- u shpreh më tej z. François Chignac duke shtuar se ka tashmë besim total se Euronews Albania se do t’ia dalë edhe në këtë sfidë elektorale, me të cilën do të përballet në këto muajt që po vijnë. Ndërkaq edhe Ilva Tare, drejtore e lajmeve në Euronews Albania, theksoi se Osservatorio di Pavia është një nga auditorët më prestigjiozë në nivel ndërkombëtar që bën audit për Komisionin Evropian, për grupin Euronews dhe grupe të tjera mediatike të njohura europiane, dhe vlerësimi është një motivim për të vazhduar përmirësimin e mëtejshëm. Ajo nënvizoi se ADN-ja dhe filozofia e Euronews Albania është paanshmëria, pavarësia, besueshmëri, distanca e emocioneve personale të gazetarëve apo të ndonjë interesi tjetër që mund të ndikojë gjatë përcjelljes së informacionit. Znj Tare e ka cilësuar këtë vlerësim një përgjegjësi më të madhe përballë publikut.
Euronews Albania është një franchise ekskluziv i Euronews dhe raporton lajme nga vendi, rajoni dhe bota audiencën shqipfolëse. Raporti u autorizua nga grupi Euronews, një vit pasi Euronews Albania nisi transmetimet live, më 21 Nëntor 2019.