E pazakontë, hapet një humnerë e madhe para një spitali në Napoli
Një humnerë e madhe u hap këtë mëngjes në të gdhirë në parkimin e spitalit Ospedale del Mare, në Ponticelli, në lindje të Napolit.
Vrima, rreth 2.000 metra katrorë e gjerë dhe rreth njëzet metra e thellë, gëlltiti disa makina. Mediat italiane raportojnë se kjo ngjarje e pazakontë ka sjellë frikë dhe panik tek qytetarët, pasi hapja e humnerës u shoqërua me një zhurmë të madhe.
Nuk raportohet për viktima apo të lënduar, por ekipet e kërkimit po punojnë gjithashtu me qen dhe dronë për të zbuluar nëse ka njerëz.
Kur gropa e madhe u hap në parkim nuk kishte njerëz, nëse do të kishte ndodhur më vonë, ngjarja do të merrte përmasat e një tragjedie.
Autoritetet kanë nisur hetimet, ndërsa aktualisht ka një sërë hipotezash që po shqyrtohen. Deri më tani pista kryesore është ajo e depërtimit të ujit nën nëntokë që mund të ketë shkaktuar shembjen e dheut.
Prokuroria Publike e Napolit ka hapur një dosje dhe po heton me shembje për të zbuluar shkaqet e katastrofës. Karabinierët e Njësisë Hetuese të Komandës Krahinore janë në punë në vendin e aksidentit, me prokurorët Damiano Gennaro dhe Federica d’Amodio të koordinuar nga zëvendësprokurori Simona Di Monte.