Elia Zaharia në krah të Gjebresë për “Këngën Magjike”

Elia Zaharia do të jetë bashkëprezantuese me Ardit Gjebrenë në Kënga Magjike. Ajo është rrëfyer se propozimi për të prezantuar në krah të Ardit Gjebresë i ka ardhur pak ditë para dasmës.

“Për cilësinë që ky festival ka shpërfaqur ndër vite, padyshim që përgjegjësia është shumë e madhe. Për më tepër, emocioni im është i dyfishtë, pasi në vitin 2000 dhe 2001 kemi performuar me grupin “Spirit Voice” në këtë festival dhe jemi vlerësuar me çmimin e kritikës të dyja vitet rresht.

Pra jam ndarë nga ajo skenë me emocione dhe sadisfaksion të veçantë, dhe me plot kujtime të bukura. Si prezantuese do të jetë hera e parë që do ta provoj skenën e Pallatit të Kongreseve. Unë pranova menjëherë, pasi kam besim absolut tek Arditi, ndaj nëse ai beson tek unë një herë, unë i besoj 1000 herë”, ka thënë ajo.

Vetë artistja rrëfen për “Panorama” emocionet e një karriere të re tashmë me statusin e së martuarës.

-Cili ishte angazhimi i parë artistik pas ceremonisë mbretërore të dasmës, ku lidhe kurorë me Princ Leka II?

“Menjëherë pas kthimit nga udhëtimi ynë një javor në Spanjë, fillova xhirimet për filmin “Yjet e së ardhmes” me regjisor z. Edi Topi.

Është një skenar i mrekullueshëm, që më bëri për vete menjëherë. Kemi xhiruar të gjithë këtë muaj me shumë dashuri dhe harmoni në grup, ndaj shpresoj dhe kam bindjen që filmi do të transmetojë shumë dashuri në publik. Ndërkohë, angazhimi i ardhshëm do të jetë “Kënga Magjike”.

-Ti vetë ke plan të kthehesh në këtë garë sërish si këngëtare?

“Nëse kthehem si këngëtare, ëndrra ime do të ishte me grupin. Kam shumë nostalgji për vitet e mia pranë Dorinës, Sonit dhe Kelit”.

-Cila është “Kënga Magjike” për historinë tënde të dashurisë me Princ Lekën II?

“Kemi shumë, nuk di të ndaj njërën”.

SHKARKO APP