Faqe e artë në historinë shëndetësore të njerëzimit

Nga Rudina Degjoni –
Arritjet e komunitetit shkencor mbarë botëror, do të kujtohen gjithmonë ndër vite, si një faqe e artë në historinë shëndetësore të njerëzimit. Është ky komunitet, që zhvillojë vaksinën, që do t’i japë fund pandemisë. Kjo faqe e artë, në të cilën morën pjesë studiues të vijës së parë dhe qindra drejtues të qendrave kërkimore të kompanive farmaceutike, do të shënojnë rifillimin e ri të jetës për njerëzimin. Siguria, sigurimi i shpejtë i imunitetit dhe efektiviteti vaksinës, janë ndër hipotezat për të cilat qytetarët do të fillojnë t’i përgjigjen pyetjeve se përse duhet t’a bëjnë vaksinën? Suksesi i vaksinimit Covid-19, do të varet nga efikasiteti i vaksinës, nga sa shpejt dhe gjerësisht ajo do të dorëzohet, nga treguesit epidemiologjikë të pandemisë si dhe nga gadishmëria e publikut për t’u imunizuar. Fakti që prodhuesit farmaceutikë, kanë në dispozicionin e tyre një numër të konsiderueshëm të vaksinave me bazë genetike dhe teknologjike, me siguri dhe efikasitet të lartë, bazuar në prova klinike, indikacionet për përdorimin e vaksinave në aspektin e sigurisë dhe efektivitetit janë inkurajuese. A ka mënyra e forma për të menduar për efektivitetin e vaksinës? Sigurisht që po! Sa shpejt dhe gjerësisht mund të administrohet vaksina? Koha do t’a tregojë. Nën këtë dritë, ndërthurja midis masave kufizuese si dhe përpjekja ambicioze për të siguruar në kohë reale imunitetin e tufës, do të vazhdojnë të përbëjnë qasjen më të rëndësishme. Studimet ndërkombëtare që i referohen rezervimeve të vaksinave nga vendet në zhvillim, si dhe sondazhet e opinionit publik, pasqyrojnë në disa raste një qëndrim skeptik të qytetarëve, për shkak të pasigurisë, konfuzionit dhe humbjes së besimit. Për të ndihmuar sadopak në sigurimin e suksesit të programit të vaksinimit Covid-19, ndër të tjera, do të nevojiten disa elementë që lidhen me logjistikën, investimet në infrastrukturë, krijimi i kanaleve shpërndarëse, mesazhe të fuqishme e bindëse për publikun e gjerë, strategji të zbatimit të vaksinimit në terren si dhe kapërcimi i skepticizmit në lidhje me vaksininim. Me fillimin e zbatimit të programit kombëtar të vaksinimit për trajtimin e Covid-19, çdo “formë e resë së irracionalitetit” do të fillojë të shpërndahet gradualisht me kohën. Në këto momente mendoj se duhet të përgatitemi dhe të fokusohemi tek vendosja e ekuilibrit midis nevojës për të mbrojtur shoqërinë shqiptare dhe ruajtjen e ndjeshmërisë politike. Planifikimi dhe menaxhimi i programit kombëtar të vaksinimit Covid-19, thuajse ka filluar për vendin tonë pasi vetë parapagimi prej 3.9 mln dollarë ndaj mekanizmit covax është shprehje ambicioze e politikës shëndetësore. Kështu, viti 2021, do të jetë një nga momentet që do të shkruhet në faqen e artë të historisë shëndetësore shqiptare. Ndërkohë, paralel me të, do të ekzistojë edhe një pjesë margjinalizimi pakice, kuazi socio-kulturor apo dhe një përpjekje për të projektuar pengesa e vendosur “shkopinj nën rrota”, gjatë rrugëtimit, për të arritur imunitetin e tufës. Historia ka treguar se, kontributi i programeve të vaksinimit në rritjen e jetëgjatësisë, parandalimin dhe përmirësimin e nivelit të shëndetit, ka qenë i rëndësishëm dhe vendimtar. Kursi i njerëzimit dhe transformimet e mëdha gjeopolitike kanë qenë produkte të valëve pandemike, dhe përparimi i bërë gjatë dy shekujve të fundit, i detyrohet masave të shëndetit publik dhe imunizimit të popullatës. Qëllimi strategjik është arritja e imunitetit në komunitet, në një periudhë të përshtatshme kohore, në mënyrë që të krijohen kushtet për rikthimin në normalitetin shoqëror dhe ekonomik. Në këtë kuptim, periudha e gjashtë mujorit të parë të vitit 2021, kërkon një kombinim midis ruajtjes së shëndetit publik dhe masave të marra për vaksinimin, si një mënyrë e sigurt, për të dalë nga “aventura pandemike” drejt rikuperimit të plotë të jetës produktive shoqërore dhe ekonomike. Sidoqoftë, të gjithë qytetarët, kanë prezumimin dhe arsyet, për t’u bashkuar në këtë proçes, pa paragjykuar punën, sakrificën e bërë, gjatë gjithë këtyre muajve. Dalja nga kjo situatë do të jetë më e shpejt, vetëm nëse ne, i “ofrojmë vaksinimit të tufës” më pak punë për të bërë në vazhdim.

SHKARKO APP