Fëmija që e shpëtoi Nënë Tereza, sot një pilot i suksesshëm
“Shenjtorja që është nëna ime”.
Me këto fjalë e kujton Shën Terezën e Kalkutës Gautam Lewis, një nga ish-fëmijët e jetimores Shishu Bhavan të drejtuar nga Gonxhe Bojaxhiu, por që me ndihmën e saj, jeta e Gautam mori një rrjedhë tjetër.
“E kam të pamundur të harroj Nënë Terezën. Ajo më shtriu dorën dhe më dha mundësin t’i ikja varfërisë dhe të jetoja një tjetër fat në Angli. Kam lindur në Kalkutë në vitin 1977, edhe pse nuk e di datën e saktë kur erdha në jetë, madje nuk di se cilët janë prindërit e mi të vërtetë. Ata më braktisën foshnje dhe më lanë në duart e murgeshave”, rrëfen Lewis.
Ai tregon se duke qenë i sëmurë me poliomelit dhe njëherësh i paralizuar, supozonte se nuk e donte njeri. Ishte vetëm tetë vjeç, i paralizuar dhe rrëfen se puna e motrave me të ishte dyfish e vështirë.
“Unë isha thuajse i kërrusur nga sëmundja dhe Nënë Tereza më dukej shumë e gjatë, edhe pse në trup ishte tepër e imët. Por hija e saj dukej si mburoja ime. Fliste ëmbël me një theks anglez. Kurrë nuk e kam parë të bërtiste.Në jetën time kam tri nëna: atë biologjiken, Patrician, gruan që më adoptoi atëherë kur më pak e prisja dhe sigurisht Nënë Terezën. Nuk do të isha gjallë nëse jeta ime nuk do të ishte kryqëzuar me to”, deklaron ai.
Gautam Lewis u adoptua në vitin 1985 dhe së bashku me nënën e tij Patricia u shpërngul në Angli ku mori trajtimin e duhur mjekësor dhe edukimin.
Sot, Lewis ka diplomë universitare për biznes, gëzon statusin e pilotit të kualifikuar dhe mbi të gjitha është themelues i një shkolle në Britaninë e Madhe për pilotët me aftësi të kufizuara.