Filmi “Gangsteri i vogël” fut Shqipërinë në distribucionin e filmit Europian

Një film hollandez për fëmijë e fut Shqipërinë në hartën e distribucionit të filmit europian. “Gangsteri i vogël”, një film i cili rendit disa çmime ndërkombëtare dhe i kushtohet fenomenit të bulizmit do të shfaqet në kinematë shqiptare njëjerësh me rrjetin e kinemave në Kroaci dhe Maqedoni.

Drejtori i Tirana Film Institute, Agron Domi shprehet se është ndër të paktat raste fatlume që Shqipëria përfiton nga program i “Media i Creative Europë”.

“I njëjti film qarkullon në tre shtete në këtë rast, në Shqipëri, Maqedoni dhe Kroaci dhe quhet “Date to Date”. Kam patur mbështetjen e programit “Media i Creative Europë”, thotë zoti Domi për RTSH.

Ndërkaq filmi që trajton fenomenin e bulizmit është një mënyrë për të sensibilizuar publikun, por edhe për ngritjen e audiencave të reja, të cilat nuk kanë akses në kinemanë e mirë, përpos propozimeve komerçiale që vijnë nga Hollivudi ose nga televizionet.

“Filmi ka një temë të rëndësishme sociale siç është bulizmi, ndaj dhe përbën një sfidë ndaj filmave të Hollivudit, të cilët kanë dominuar skenën dhe sallat e kinemave komerçiale në Shqipëri, por jo vetëm” tha Agron Domi, sipas rtsh.

Zgjedhja e një filmi për fëmijë nuk është e rastësishme. Ajo është pjesë e një strategjie afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë për të edukuar dhe ndërtuar audienca të konsoliduara në të ardhmen, duke kontribuar sadopak në zbutjen e kësaj krize frekuentimi me të cilën përballet Shqipëria dhe Ballkani. Suksesi i këtij projekti jep mundësinë që në të ardhmen të shfaqen edhe filma shqiptarë në këtë mënyrë simultane të distribucionit.

Filmi “Gangsteri i vogel” do të shfaqet nga data 20 deri me 27 Prill në rrjetin e kinemave shqiptare në Tiranë dhe në Korçë.

SHKARKO APP