Galdini: Drejtësi për Klodianin
Në një takim me disa banorë të rrethinave të Tiranës, Kryetari i LRE Arian Galdini komentoi vrasjan e të riut Klodian Rasha nga policia.
“Rasti më i fundit, i vrasjes së të riut Klodian Rrasha, është një gong i madh për shoqërinë shqiptare. Sepse së pari, ne duhet të çarmatosim gjuhën e dhunës, represive dhe urrejtare me të cilën flet Kryeministri, Ministri i Brendshëm dhe e gjithë Politika, majtas e djathtas. Së dyti, duhet të sjellim sa më parë e të bëjmë funksionale, Drejtësinë e Re, e cila do të shërbejë si garanti, mbrojtësi dhe arbitri i paanshëm dhe i vërtetë në gjithçka, në shoqërinë shqiptare. Një Drejtësi e besueshme është bazament për paqe sociale të qëndrueshme. Së treti, ne duhet të heqim dorë urgjentisht nga përfshirja e politikës në çështje që i përkasin individit, familjes, shoqërisë civile, debatit publik apo drejtësisë. Politika mbyt dhe deformon çdo kauzë të drejtë pasi gjithçka e përdor për qëllime meskine e lojëra a mesazhe pushteti. Së katërti, duhet patjetër ta dënojmë të gjithë me një fuqi e një gjuhë, vrasjen pa gjyq që i është të riut. Cilatdo qofshin dinamikat dhe zhvillimet e asaj ngjarjeje, ajo mbetet një vrasje pa gjyq. E si e tillë meriton dënim të rreptë moral nga shoqëria dhe ndëshkimin e merituar nga Drejtësia”,- tha ai.