Gjermania mbështet Muzeun e Fotografisë “Marubi”

Gjermania mbështet Muzeun Kombëtar të Fotografisë MARUBI në arkivimin e rreth 500.000 negativëve të saj dhe kësisoj në ruajtjen e trashëgimisë së vyer kulturore shqiptare. Për sigurimin e kutive të arkivimit dhe materialeve të tjera Qeveria Federale Gjermane vuri në dispozicion rreth 70.000 euro. Materialet iu dorëzuan muzeut të fotografisë në datën 17 janar prej Ambasadores Susanne Schütz në prani të Ministres së Kulturës, znj. Mirela Kumbaro. Bëhet fjalë për rreth 7.000 kuti konservimi dhe 82.000 zarfe speciale për arkivimin e negativëve.

“Muzeu Kombëtar i Fotografisë MARUBI ka një thesar unik kulturor të Shqipërisë”, u shpreh Ambasadorja Schütz. “Fotot, negativët dhe dokumentat kanë një vlerë të spikatur jo vetëm artistike, por edhe dokumentuese, për Shqipërinë dhe për Evropën. Për mua është kënaqësi që mundëm të kontribuonim në mbrojtjen dhe ruajtjen e mëtejshme të kësaj trashëgimie të rëndësishme të Shqipërisë.”

Drejtori i Muzeut, Luçjan Bedeni tha se fillimi i këtij projekti jetik për arkivën vetëm pas 8 muajsh nga inaugurimi i ndërtesës së re të Muzeut Kombëtar të Fotografisë MARUBI nuk është asgjë më shumë veç vendosmërisë për ta ruajtur këtë pasuri sipas standarteve bashkëkohore të konservimit. Nëse ndërtesa e re për Marubin ishte nxjerrja në pah e vlerave për publikun, projekti i konservimit mund të konsiderohet shpëtimi përfundimtar që i bëhet kësaj pasurie.

Kutitë e reja speciale të siguruara prej Ambasadës Gjermane i mundësojnë Muzeut Kombëtar të Fotografisë MARUBI të aplikojë një sistem të ri konservimi të negativëve të saj mjaft të vyer. Inventari i Muzeut Kombëtar të Fotografisë MARUBI përfshin rreth 500.000 negativë, mes të cilëve 150.000 negativë xhami mjaft të ndjeshëm e me vlerë, të cilët deri më tani nuk ishin ruajtur në mënyrën e duhur.

Materialet e arkivimit u siguruan me fonde të Programit për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Jashtme Federale, e cila angazhohet të ruajë trashëgiminë kulturore në mbarë botën. Në Shqipëri Ministria e Jashtme Federale ka mbështetur që prej vitit 1989 njëzet projekte për ruajtjen e vlerave kulturore, sikure janë restaurimi i Kishës së Shën Antonit në Kepin e Rodonit, restaurimi i mozaikut paleokristian në Parkun Antigonea dhe mbrojtja e ikonave në Korçë.

SHKARKO APP