Gruaja shqiptare kuvendon në Vlorë

 Nga Zenepe Luka

Në ditën e 15 -vjetorit të krijimit të Fondacionit Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi”, që përkonte edhe me ditën e lindjes së Ambasadores së Kombit, Nermin Vlora Falaschi, u mbajt Kuvendi i Gruas Shqiptare Mbarëkombëtare. Në aktivitetet e organizuara gjatë dy ditëve, morën pjesë 70 gra të shquara në fusha të ndryshme, personalitete të artit e shkencave nga Diaspora, Gjermania, Italia, Kosova, Maqedonia. Mali i Zi, Kroacia dhe deri nga Kanada e largët. Ishte i pranishëm edhe Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, që mbështeti edhe aktivitetin. Veprimtaritë filluan me promovimin e librit “Testamenti i Grave për gratë” i autores Zenepe Luka, për të vijuar të nesërmen me konferencën “Gra të ndritura, ndriçojnë Kombin”. Në përfundim u hartua një rezolutë, që ju përcoll qeverive shqiptare dhe të vendeve të tjera. Pjesëmarrëset bënë homazhe tek varri i Ambasadores së Kombit, Nermin Vlora në Kaninë. Aktivitetet u përmbyllën me darkën, që u shtrua në ambientet e Hotel “Vlora International, në shoqërinë e këngëtareve Irini Qirjako, Shpresa Gashi ardhur enkas nga Kosova dhe Luiza Rustemi, si dhe interpretimet e aktores kosovare Leze Qena.Entusiazmi i festës arriti kulmin, me prerjen e tortës gjigande me ngjyrat e flamurit.”15 vjet Fondacioni “Nermin Vlora”. Në këtë ditë të shënuar, z. Bujar Leskaj i dhuroi Fondacionit Bustin e Nermin Vlora Falaschit.

Promovohet libri “Testamenti i grave për gratë”

 Me moderimin e ngrohtë të Silvana Braçes, për gjatë 3 orëve, është diskutuar rreth librit, që sjell një risi, veçanërisht në historikun e gruas shqiptare. Fjalën kryesore do të mbante poetja, shkrimtarja Vllasova Musta, ndërsa diskutuan Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Dr.Zylfie Gjoni Duraku nga Mali i Zi, Migena Arllati dhe Ajtene Krasniqi nga Kosova, Vitore Stefa Leka nga Diaspora,Afërdita Xheladini nga Gjermania, Dr.Ruki Kondaj nga Kanada etj. Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, do të vlerësonte maksimalisht punën dhe përpjekjen e autores dhe Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”, që kanë bashkuar zërin e gruas intelektuale shqiptare mbarëkombëtare.

Kështu është konceptuar bashkëbisedimi emocional, që u organizua në ditën e 15- vjetorit të thirrjes së Kuvendit të parë të gruas së shquar, në ditën e lindjes së Nermin Vlora Falaschit, Pikërisht në këtë sallë, u ndez drita e bashkimit, ku merrte pjesë edhe vetë Nermin Vlora, për t’u shpërndarë në të gjitha shtetet dhe bashkuar armatën e madhe të grave intelektuale, që rrugëtuan bashkë për gjatë 15 vjetëve. Bashkëbisedimin tepër emocional, e moderoi poetja Vllasova Musta.

Në fjalën e hapjes, drejtuese e Fondacionit, i kërkoi të pranishmeve të mbanin 1 minutë heshtje për zonjat, që janë themeluese të këtij Fondacioni dhe që janë ndarë nga jeta gjatë rrugëtimit 15 vjeçar, që janë:Nermin Vlora Falaschi, Prof. arbëreshe Lule Russo, Violeta Manushi, Esma Agolli, Fitnete Rexha, Akademike Andromaqi Gjergji. Drita Pelinku, Besa Imami, Xhanfise Keko dhe Skënder Sallaku, i vetmi burrë anëtar i Fondacionit. Për rrugëtimin e Fondacionit për gjatë 1 dekade e gjysmë, foli themeluese e këtij fondacioni. Prof.As.Dr.Makbule Çeço. Më pas kanë përcjellë emocionet njëra pas tjetrës zonjat “Nderi i Kombit” Tinka Kurti dhe Margarita Xhepa, kryetaret e degëve të Fondacionit: Dr.Zylfie Gjoni Duraku Ulqin, Ajtene Krasniqi Prizren, Afërdita Xheladini Haidelberg Gjerman, Vitore Stefa Leka Përfaqësuese për Diasporën. Albina Bajrami Preshevë, Migena Arllati Gjakovë, Mereme Llubani Berlin, Ruki Kondaj Kanada. Folën gjithashtu kryetari i shoqatës “Iliria” në Slloveni, Heset Ahmeti, intelektualja Dëshira Subashi, Prof.Dr.Bardhosh Gaçe, kryetari i shoqatës “Labëria” në Vlorë Ahmet Demaj etj.

Në këto diskutime, që përcollën emocion të veçantë tek pjesëmarrëset. U theksua puna e jashtëzakonshme e Fondacionit 15 -vjeçar dhe 20 degëve të tij, për të bashkuar zërin e gruas shqiptare mbarëkombëtare, promovimin e vlerave dhe kontributeve të tyre, organizimin e konferencave shkencore, botimeve, filmave dokumentarë dhe vlerësimin e 43 grave me tituj e medalje të ndryshme deri nga Presidenti i Republikës. Theksi u vu në një fakt, që kjo punë 15 vjeçare, që ka pasur në epiqendër gruan, shqiptare ndër shekuj, është bërë me punë vullnetare, pa asnjë mbështetje financiare nga institucionet e shtetit, donator të huaj e vendas, por vetëm nga anëtarësia dhe miq të fondacionit. Vlerat dhe modeli i këtij fondacioni, që nuk është vlerësuar nga shteti dhe politika, që do të jetë një testament për brezat, qëndrojnë në faktin se dha kontribute të mëdha në mbështetje të gruas shqiptare, në kohën kur në Shqipëri lulëzonte makutëria për tu pasuruar,kur shumë shoqata fantazmë, fije të padukshme të qeverive, u pasuruan me projektet dhjetëra milionëshe, duke qepur vetëm dosjet dhe mos bërë punë.

 Rezoluta.

Në fund u lexua Rezoluta, që ndër të tjera theksonte dhe tërhiqte vëmendjen për klimën e krijuar nga politika në Shqipëri dhe më gjerë, përpara secilës gruaja nuk duhet të rrijë duarkryq. Referuar shqetësimit, që ngriti zonja Dëshira Subashi dhe që u duartrokit nga të pranishmet, u nënvizua mungesa e vëmendjes nga gratë e zgjedhura në organet ligjvënëse dhe poste të rëndësishme të ekzekutivit, që premtimin e tyre se “Kontribuojnë për promovimin e vlerave të grave, se mbështesin gratë në karrierë, ka mbetur vetëm në letër”.

Grupi vajzave të Tërbaçit, kanë interpretuar me emocion, këngën “Humanistes dritërore Nermin Vlora”, me tekst të poetit Albert Abazaj. Ka qenë surprizë për pjesëmarrëset e këtij eventi të rëndësishëm për gruan intelektuale mbarëkombëtare, dhurata që kishte dërguar, Bujar Leskaj, kryetari i KLSH, një ndër miqtë e Fondacionit, bustin e Nermin Vlorës, që u vendos në ambientet e punës të Fondacionit.

SHKARKO APP