Himara nikoqire e edicionit të parë të festivalit “South Outdoor Festival”
“South Outdoor Festival”, është festivali më i veçantë në Shqipëri, i cili sivjet sjell edicionin e tij të parë, shkruan Kultplus.com. Ky festival do të kthejë në kryeqendër të turizmit të Shqipërisë për tri ditë Pilurin, Himarën, Dhërmiun e zonat jugore përreth tij. “South Outdoor Festival”, i cili mbahet nga data 29 prill deri më 1 maj, do të sjellë këto tri ditë të mbushura me aktivitete si hiking, mountain bike, scuba diving, paragliding… përveç këtyre sporteve, festivali sjellë edhe gatime tradicionale, DJ, isopolifoni në këndin e miqësisë dhe të dielën më 30 prill do të vijë muzika më e mirë me Eugent Bushpepën.
“South Outdoor Festival”, ka për qëllim promovimin e rajonit jugor, duke evidentuar potencialet natyrore (deti e mali), zgjatjen e sezonit turistik dhe rritjen e të ardhurave për popullsinë vendase.
Festivali organizohet nga programi “Zhvillimi i Integruar & i Qëndrueshëm i Rajonit Bregdetar Jugor”, i mbështetur nga GIZ, në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Urban, Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Agjencinë Kombëtare të Turizmit dhe Bashkinë.
Pjesë e festivalit është edhe një forum i dedikuar për gazetarë e fotografë. Gazetarët dhe fotografët do të mund të përjetojnë personalisht një pjesë të sporteve dhe aktiviteteve të këtij festivali dhe më pas do të ulen dhe diskutojnë bashkërisht në një forum.