Ja pse njerëzit janë të varfër

Nga Gëzim Hoxha –

Që pasuria është ndarë keq këtë e dinë të gjithë, por që një grusht njerëzish të posedonin pasurinë e gjysmës së njerëzimit kjo është me të vërtetë shokuese. Këtë e bën të ditur Forumi Ekonomik Botëror në një shkrim të publikuar para disa ditësh. Në të bëhen të ditur fakte tronditëse në lidhje me shpërndarjen ekstreme të pasurisë botërore. Si për ta nisur mund të themi se pasuria e 26 miliarderëve shkon sa pasuria e 3,8 miliard njerëzve.

Gjysma më e varfër e popullsisë rron me më pak se 5,5$ në ditë. Po ajo që është edhe më ulëritëse është fakti se çdo ditë këta persona bëhen edhe më të pasur dhe të tjerët, ata që janë të varfër bëhen edhe më të varfër. Për ta ilustruar këtë fakt mund të jepet një shifër tjetër edhe më alarmante. Forumi i sipër cituar bën të ditur se pasuria e tyre është rritur vitin e kaluar me 900 miliardë të tjerë.

Një shoqja ime kur e dëgjoi këtë fakt e habitur më tha: Po çu duhen gjithë këto pará? Dhe vërtetë çu duhen? Po përtej gjithë kësaj duhet thënë se psuria vihet duke përdorur burimet që afron ky planet. Dhe që kompanitë shumëkombëshe po i tej përdorin këto burime kjo nuk vihet në dyshim dhe këtë e tregojnë shpyllëzimi, humbja e kilometrave të tërë toke, por edhe ndotja globale. Nëpër rrjete të ndryshme sociale sheh rëndom video që tërheqin vëmendjen si për këtë fakt po ashtu edhe për ndryshimet klimaterike, me të cilat ka filluar të përballet e gjithë bota. Po disa ditë më parë në internet qarkullonte mesazhi i dhënë për G20 të mbledhur në Davos të Zvicrës nga aktivistja më e re Greta Thunberg. Adoledhentja britanike i kërkon udhëheqësve botëror që të zotohen se në të ardhmen, ata do të marrin vendime që do e mbronin planetin. Për më tepër ajo u kërkon edhe miliarderëve që ta lënë mënjanë dëshirën për t’i shumuar paratë e tyre dhe të mendojnë se si ta mbrojnë këtë planet të mrekullueshëm. Bëjeni për hir të fëmijëve tuaj, – lutet Greta.

Po le të kthehemi tek pasuria dhe tek dëshira e madhe për tu bërë edhe më i pasur. Duhet thënë se kjo nuk vlen dhe aq shumë për këta 26 persona pasi ata e kanë arritur dhe e kanë tejkaluar LIRINË EKONOMIKE. Kjo dëshirë vlen për milionerët. Dhe as që vihen në dyshim ato që shkruante Marksi para 2 shekujsh tek KAPITALI që pasuria vihet duke shfrytëzuar dikë. Por shfrytëzimi i burimeve çon në shterjen e tyre, ndërsa shfrytëzimi i njerëzve çon në pasurimin e një grushti njerëzve dhe varfërimin e shumë e shumë të tjerëve. Dhe për ta ilustruar këtë fakt po në një tjetër shkrim i publikuar nga Forumi Ekonomik Botëror për ndotjen që shkaktonin prodhimi i rrobave thuhet se punëtorët në Bangladesh paguhen më pak se 100$ në muaj.

Pasuria e gjysmës së personave më të varfër ka rënë me 11% bën të ditur shkrimi në fjalë dhe kjo do të thotë se ata janë bërë edhe më të varfër. E thënë me fjalë të tjera ndërsa të pasurit bëhen edhe më të pasur, të varfërit po bëhen edhe më të varfër. Dhe sigurisht që ndër më të varfërit janë gratë. Kjo ka arsyet e veta. Arsyeja kryesore është puna e papaguar dhe kujdesi për antarët e tjerë të familjes.

Edhe pse numri i atyre që në vitet 90 jetonin me më pak se 1,9$ në ditë ka rënë nga 36% në 10% në vitin 2015, përsëri duhet thënë se norma e reduktimit të varfërisë është përgjysmuar që nga viti 2013. Sipas OXFAM – it, kjo ka ardhur për shkak të pabarazisë. Fondacioni britanik me qëndër Oxford jep edhe masat që duhen marrë për trajtimin e pabarazisë. Sipas Oxfam masa e parë që duhet të ndërmarrë çdo qeveri do ish ofrimi i shërbimeve gjithëpërfshirëse për shëndetin dhe edukimin. Gjithashtu duhet nxitur punësimi i grave dhe vajzave të reja. Si masë e dytë duhet lirimi i grave nga barra e rëndë e kujdesit ndaj fmijëve dhe punës së papaguar. Kjo arrihet duke rritur investimet në shërbimet publike që e lehtësojnë këtë barrë. Së treti pasuria dhe kapitali duhet taksuar në mënyrë të ndershme si dhe duhet të shmanget evazioni fiskal.

Sipas disa përllogaritjeve që jepen në shkrimin e sipërpërmendur, nëse 1% e më të pasurve do të paguanin vetëm 0,5% më tepër taksa, atherë do të arsimoheshin 262 milion fëmijë të cilëve sot iu duhet të punojnë, apo do të shpëtoheshin jetët e 10000 personave të cilët vdesin çdo ditë. Këto jetë shuhen për ditë, thjesht se nuk marrin dot ndihmën e duhur shëndetsore.

Nuk duhen lënë pa përmendur edhe të këqijat e tjera që sjell varfëria sepse të gjithë e dinë që ajo është mëma e të gjitha të këqijave. Kështu mund të shpjegohet fare mirë që vendet e varfra janë vendet ideale ku lulëzon krimi dhe korrupsioni. Varfëria sjell edhe dyndje të tëra emigrantësh të cilat nuk i ndal dot asgjë, asnjë shtrëngim kufijsh sepse njerëzit gjithmonë kërkojnë një jetë më të mirë.

E megjithatë, këtë gjë duket se nuk mund ta ndreqë asnjë qeveri sepse akumulimi dhe dëshira për tu bërë edhe më i pasur është si rrjedhojë e ekzistencës së parave. Për sa kohë ne, njerëzit do të varemi kokë e këmbë nga paratë, ahere asnjë qeveri nuk mund të bëjë dot asgjë. Po, sepse edhe vetë shteti mbahet në këmbë nga paraja. Dhe jo më kot të gjithë japin këshilla për trajtimin e varfërisë për marrjen e masave që iu ka ikur koha?

Të gjitha masat e propozuara i përkasin shekullit të kaluar dhe edhe pse mund të jenë marrë në kohë të ndryshme në rrethana e nga qeveri të ndryshme nuk kanë arritur që ta zgjidhin problemin e varfërisë edhe pse mund ta kenë zbutur disi atë. Flitet për nivel jetese në rrang botëror dhe jo për shtete të ndryshme. Sepse duke shtypur një shtresë të caktuar e duke ia mohuar edhe atij të drejtën për të qenë i kamur ashtu si ti, ti në thelb ke shtypur tek ai ëndrrën për të qenë i lirë. Pse them ëndërr? Them ëndërr sepse dihet që vetëm njerëzit e kamur mund të jenë të lirë në këtë sistem.

I shtypur, ai mundohet t’ia dalë që të bëhet edhe ai i kamur. Por ama jo të gjithë janë të duruar dhe presin që të bëhen të pasur në mënyrë të ndershme. Kështu vazhdon të këndohet i njëjti refren për të gjithë ata që kanë mbetur akoma në shekullin e kaluar dhe ngopen me lugë të zbrazët të cilën ia ofron me të dyja duart për ditë LIRIA POLITIKE.

Ata që e kanë kuptuar që ka 18 vjet që ka hyrë shekulli dhe mijëvjëçari i ri, ata e kanë kuptuar që shekulli dhe mijëvjeçari i ri kërkon një lloj tjetër lirie, LIRINË EKONOMIKE, ndaj edhe vrapojnë të pasurohen sepse në këtë sistem në sistemin kapitalist, asgjë nuk të bën të lirë, asgjë veç parasë.

SHKARKO APP