Jusuf Beshiri: Largimi i muzikantëve në fundvitet ’80 dhe ballafaqimi me një realitet të ri

Fundvitet ’80 sollën largimin e një pjese të mirë të muzikantëve, të cilët me shumë sakrifica patën mundësinë e ballafaqimit me një realitet të ri, si dhe nisjen e largimeve masive për një sukses global, atë të karrierës jashtë kufijve të Shqipërisë. Ëndërr që sapo nisi rrugën e eksodit të artistëve të suksesshëm shqiptarë. Sfidat e fillimit shumë shpejt u shpërblyen (për këmbëngulësit) me pozicionet dhe koncertet prestigjioze në skenat botërore. Ballafaqime, të cilat evidentuan shkollën dhe emrat e parë të artistëve e solistëve tanë të talentuar e të palodhur.

Por, si dhe çfarë kujtojnë vetë ata për këtë periudhë, sa të realizuar janë sot dhe a do të dëshironin të riluanin me kolegët e tyre pas rreth 35 vitesh në vendin e formimit të tyre si muzikant? Si i shohin zhvillimet, sa dakord janë me politikat artistike, stimulimet apo ballafaqimet në vendin e shqiponjave?! Këto tok-intervistash kanë si qëllim mikrofonimin e zërit të munguar profesionist. Bijve që mundën të jenë më shumë se shqiptarë apo violinistë, pianistë, balerinë, violonçelistë, kontrabasistë apo këngëtarë. Le t’i ndjekim ata në vendet pritëse, së bashku me artin e tyre të bukur. Krenar që kjo është pjesa më dinjitoze e përfaqësimit, e natyrisht, krenare që jam shqiptare!

U rrit teksa dëgjonte çdo ditë vokalicat e koristëve apo solistëve të operës, pasi banonte fare pranë teatrit dhe ndoshta kjo rastësi i forcoi edhe më shumë atë çka mbiemri i tij i madh e udhëzonte drejt dashurisë për notat, shfaqjen, sfidën, profesionalizmin. Familja e Jusufit është mjaft e njohur nga tiranasit, por jo vetëm. Ura e Beshirit është një nga bamirësitë që familja e tij bëri për përmirësimin e jetës tregtare të qytetit. Babai i Jusufit, Nuriu ishte kërcimtar i tap dance-it, ndërsa gjyshi, Jusufi (midis të tjerave), hapi të parën “Kinema Teatër Nacional” në qendrën e qytetit. Krijoi shoqërinë tregtare “S.T.A.M.L.E.S” (Shoqëria Tregtare Anonime Monopol i Letrës dhe Shkrepëseve) me përfshirjen e tre vëllezërve, por edhe duke afruar bashkëpunimin mes familjeve të pasura të Tiranës, Durrësit, Shkodrës etj. Për nder të figurës dominuese të gjyshit, prindërit vendosën që edhe personazhi ynë të trashëgonte emrin, por pse jo edhe famën e tij.

Jusuf Beshiri studioi në degën e pianofortes në liceun artistik “Jordan Misja” për të vijuar me diplomimin në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, me rezultate të shkëlqyera po në degën e pianos. Më pas largohet nga Shqipëria për të ndjekur studimet në një nga konservatorët më të njohur në Itali, “Xhuzepe Verdi” në Milano, tashmë në degën e klavincebalit dhe kompozicionit organistik të muzikës baroke, sërish me nota maksimale. Eksperienca dhe profesionalizmi kanë bërë që Jusufi të jetë nga pedagogët më të domosdoshëm në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, ku vazhdon të jetë edhe sot.

Jusuf Beshiri është një nga muzikologët aktivë brenda, por kryesisht jashtë vendit. Nuk ka skenë perëndimore, të cilën ai nuk e ka vizituar, në mos si interpretues, si i ftuar special. Tek “La Scala” është ndjekës i rregullt i evenimenteve muzikore si dhe mik i shumë profesionistëve europianë e natyrisht, ata shqiptarë. I shumtë ka qenë numri i talenteve tona, që Jusufi ka përkrahur dhe ndihmuar drejt suksesit perëndimor. Por, po ashtu edhe pjesëmarrja si muzikolog apo anëtar bordesh ka qenë pjesë e zakonshme e axhendës se tij.

Një përmbledhje për Beshirët

Familja Beshiri i ka rrënjët në fshatin Besh të Tiranës. Me kalimin e kohës u transferuan në Tiranë. Biznesi i parë ishte përpunimi i drurit. Tokat e shumta me pyje që zotëronin bënë të mundur tregtinë fitimprurëse të përpunimit të drurit, kryesisht për anije, e më pas për fabrikën e shkrepëseve. Biznes me të cilin venedikasit, austrohungarezët si dhe shumë zona të ndryshme të Shqipërisë furnizoheshin sistematikisht. Pasuria e madhe e vënë nga bizneset në periudhën otomane i dha mëvetësi për të mos mbajtur asnjë titull zyrtar. Ende ekzistojnë bamirësitë e bëra nga kjo familje në vitet 1840. Ndër to Ura e Beshirit mbi lumin Erzen, duke u ribërë disa herë për shkak të ujërave të rrëmbyera. Në Peshkopi njihet ndërtimi i një hani për kalimtarët e rrugës, ndërsa në Kavajë ndërtimi i teqesë së Aleksit, vend paqeje për besimtarët bektashianë. Njihet me këtë emër, pasi aty ka kaluar perandori Aleks. Jusuf Beshiri ka lindur në 1887 dhe pas 1912 iu dedikua tregtisë së bashku me tre vëllezërit e tij. Diplomohet në Stamboll për shkencat ekonomike. Më 1907 kthehet nga Stambolli me ide të qarta dhe patriotike, të cilat mundi t’i praktikonte në vendin e tij, me gjithë burgosjen 14-mujore të otomanëve pas organizimit të patriotëve intelektualë shqiptarë. Më 21 shkurt 1922 krijuan të mirënjohurën “S.T.A.M.L.E.S” (Shoqëria Tregtare Anonime Monopol i Letrës dhe Shkrepëseve) për prodhimin e cigareve dhe shkrepëseve, e cila ishte ideuar po nga Jusuf Beshiri (deri më 1925 Tirana ka qenë nënprefekturë e Durrësit). Ai do të mblidhte pinjollë të familjeve të pasura tiranase e durrsake, duke i bashkuar aksionet në këtë ndërmarrje unike. Të bërit ekonomi si perëndimorët shihet mjaft qartë, sepse punëtorët e “S.T.A.M.L.E.S” e merrnin rrogën çdo fundjavë në 12 të drekës, e po ashtu të parët në Shqipëri që dhanë të ashtuquajturën rrogë të 13-të në muajin dhjetor (Zenel Anxhaku). Kjo gjë ende vazhdon edhe sot të praktikohet në disa vende evropiane.

Të gjithë punëtorët e shoqërisë “S.T.A.M.L.E.S”, pra ata punëtorë të krahut të përpunimit të duhanit, letrave, shkrepëseve u mbajtën me rrogë të plotë gjatë gjithë kohës së pushtimit nazi-fashist.

Me këtë emër, Tiranapati një djalë sa patriot, aq edhe artist e vizionar. Më ’22 Nandor 1926′, do të hapte në Tiranë “Kinema-Theatër Nacional”. Për Shqipërinë e asaj kohe, ku kishte ndonjë shfaqje në Shkodër apo në Korçë, krijimi i një salle kinemaje me funksion edhe si teatër ishte ambicie e madhe shoqërore. Publicisti dhe pedagogu i njohur shkodran Mati Logoreci do t’i dedikonte shkrime e lavde pafund nismës së Jusuf Beshirit, aq më tepër kur ky i fundit do të hapte salla të tjera të këtij lloji në Shkodër, Durrës, Korçë, Elbasan, Berat etj.

Pas ndërrimit të pushteteve, familja Beshiri hyri në kalvarin e persekutimeve dhe konfiskimit të pasurive, luftë e cila zgjati gjatë. Nuriu (babi i Jusufit) e la përfundimisht kërcimin, duke iu dedikuar punës së tipografit dhe kalvarit të panumërt të sorollatjeve për rikthimin e pronave të shfrytëzuara nga sistemi. Familja e Jusufit të ri sot gëzon krenohet me të birin, i cili me artin e tij bëri të riflitet sërish për Beshirët.

Intervista

“Mëkat që sot nuk e shoh përkushtimin e dikurshëm!”

Në çfarë situate është sot TKOB, duke e krahasuar me teatrot europiane?

Është një teatër, për mendimin tim, akoma i pakonsoliduar. Këtu, gjithmonë duke bërë një krahasim me teatro të tjerë në Europë, ku akoma ka shumë punë për t’u bërë në disa drejtime. Niveli lë shumë për të dëshiruar. Akoma nuk mund të konkurrojë tregun europian, veço disa këngëtarë, të cilët e kanë përfaqësuar denjësisht artin tonë.

Si ju kujtohet ky teatër në kohën kur produksionet e tij qenë në kulm?

Që në fëmijëri, teatrin e kam parë me syrin që ta zbuloj dhe të mësoj gjithçka mbi të. Kjo edhe për faktin se jam lindur dhe rritur me banesë prapa tij dhe lojërat e fëmijërisë ne i sajonim në oborrin e teatrit. Çdo mëngjes hapja dritaren dhe shumë artistë, këngëtarë e balerinë kalonin përpara shtëpisë sime për të shkuar atje. Zgjohesha nga vokalicat e këngëtarëve dhe sidomos të korit. Njihja çdo ushtrim vokal që ata përdornin për ngrohjen e zërit. Dhe më vonë, me fillimin e studimit të pianos që fëmijë, teatri qe strehëza ime. Do t’i shihja këta artistë jo vetëm në oborrin e shtëpisë apo duke kaluar pranë, por tani në korridore, studio dhe ambiente të brendshme të teatrit.

Dihej që shumë fëmijë nuk kishin piano nëpër shtëpi dhe gjenin gjithfarë mënyrash ku të ushtroheshin. Mua ky teatër më ka dhënë shumë mundësi për të punuar (tani nuk ekziston më). Dalja dhe performimi nëpër Europë, sidomos me ansamblin e këngëve dhe valleve popullore duke sjellë në shtëpi edhe trofe ku ata prezantonin Shqipërinë!

Mbaj mend që në teatër punohej me një seriozitet dhe disiplinë që ishte për t’u admiruar. Kjo absolutisht reflektohej në nivelin artistik të shfaqjeve, koncerteve dhe operave lirike me aq sa unë mbaj mend.

Pas kaq vitesh u jam kthyer disa incizimeve dhe videove të 30 viteve më parë dhe mrekullohem nga eleganca e profesionalizmi në performim. Këngëtarë, të cilët të jepnin emocione, që sot i gjej rrallë në brezat pasardhës! Tani, duke e parë me një sy tjetër dhe krahasuar me këngëtarë që unë në mënyrë konstante kam fatin t’i dëgjoj nëpër Europë, mund të them që sikur të ishin sot, në një botë të hapur, ata pa frikë do të ishin nga zërat më të njohur në teatrot më prestigjioze të botës.

Këtë mbaj mend mirë nga Teatri në periudhën e fëmijërisë sime, deri sa u diplomova në piano në fund të viteve ’80.

A sheh diferencë midis drejtimit të Ilir Kernit dhe Zhani Cikos?

Teatri është një ndërmarrje e madhe, sa e bukur por aq edhe e vështirë! Mendoj që në më shumë se dy dekada të një tranzicioni jo të thjeshtë për vendin tonë, u krijuan ngërçe. Për një periudhë kohe nuk kam qenë shumë prezent në Shqipëri. Ndërsa në dekadën e fundit ku unë jam edhe më pranë, kam vënë re një punë të mirë përsa u përket shfaqjeve të repertorit si dhe premiera të vëna në skenë. Ka edhe bashkëpunim të vazhdueshëm me këngëtarë të huaj. Do të nënvijëzoja një përmirësim të dukshëm kohët e fundit në trupën e baletit me futjen e një repertori modern, e kjo falë drejtimit të Ilir Kernit. Kontemporania si zhanër i baletit ka rëndësinë e vet dhe mendoj që tërheq publik, sidomos brezin e ri. Ky impakt ka qenë i dukshëm në audiencë.

Ju si muzikant dhe studiues i muzikës baroke në organo dhe klavincembal, si e shihni paralelizmin midis shkollës italiane, ku keni studiuar dhe asaj shqiptare, në të cilën sot jeni pedagog (UART)?

Unë jam diplomuar në Shqipëri për piano në fund të viteve ’80. Mund të them që kam qenë në një brez, ose më mirë në një vit ku konkurrenca ka qenë shumë e fortë. Klasë e shkëlqyer, me elementë dhe talente të cilat kanë spikatur edhe më vonë jashtë Shqipërisë, duke ushtruar me dinjitet profesionin e muzikantit. E kemi ndjerë veten shumë mirë edhe kur u përballem me konservatorët më prestigjiozë europianë falë punës së pedagogëve dhe seriozitetit që ne studentët u kushtonim studimeve. Mund të them që këtë interes nuk e gjej më në vitet e fundit në shkollën tonë dhe për këtë më vjen shumë keq. Në Itali unë kam studiuar për 11 vite në 2 instrumente. Organo e kompozicion organistik dhe klavincembal. Dy instrumente, të cilat në vendin tonë mungonin. Ndaj edhe mora iniciativën me kërkesë të UART (Universitetit i Arteve të Bukura) të vija dhe të hapja për herë të parë lëndën e klavincembalit dhe muzikës baroke, ku studentët të kishin një vizion më të gjerë përsa i përket kësaj periudhe kaq të rëndësishme të muzikës.

Sapo është emëruar drejtoresha e re e Teatrit të Operës dhe Baletit, si ishin platformat e aspiruesve për drejtimin e TKOB?

Mendoj që platformat më interesante ne i kemi vlerësuar, duke i bashkangjitur dhe me vlerësime të tjera në prezantimin e tyre. Emra, të cilët dolën fitues flasin qartë.

A e shihni veten në drejtimin e TKOB?

Unë e shoh veten si një muzikant në karriere dhe teatrin e shoh si një mundësi të performimeve të mia si artist.

Sfida e radhës?

Sfidat për një muzikant nuk kanë të mbaruar. Me shumë punë dhe dashuri t’i jap një kontribut dinjitoz shoqërisë me atë çka unë përfaqësoj!

/GSh/

SHKARKO APP