Kafenetë e Tiranës

Nga Konstandin Dhamo/Sapo zbres shkallët e pallatit ku banoj , ndesh menjëherë dy kafenetë në katin e parë të tij; njera në lindje dhe tjetra në perëndim. Tumllas  që pa gdhirë mirë…

Dhe, vetëm pas tridhjetë hapash fillojnë me radhë kafenetë e pafundme , me mjedise të mbyllura, por edhe të hapura nën qiell, me tryeza të rrethuara nga drurët dekorativë dhe lulet e mbjella nëpër vazo të mëdha qeramike.

Po më tej ?

A; përsëri një grup tjetër i madh kafenesh, nga më të thjeshtat e deri tek ato më luksozet, me kolltukë të rëndë dhe abazhurë monumentalë, gjithë kristale të spërkatura nga xixëllimat e dritës . Dhe, plot e përplot , por tashmë , lavdi Zotit , ata që e pijnë cigaren, dalin përjashta.

Kafenetë e Tiranës…

Një ditë tetori shumë të bukur , me diell dhe kthjelltësi të gëzueshmne, po shoqëroja një të huaj, që sapo kishte filluar të fliste shqipen tonë të lashtë.

Ku dëshiron të ulemi e të pimë një kafe, i propozova. Prit, të lutem , ma ktheu, se të them unë. Një herë për një herë, po ndiej nevojë të eci dhe të shoh. Ti e di, mbrëmë mbërrita në Tiranë . Po po, vazhdova unë, dhe ju të huajt e sapoardhur, shpesh na nxitni edhe ne, banorët e përhershëm, që të fillojmë e të vëmë re disa objekte , përpara të cilëve, kalonim me indiferentizëm prej shumë kohësh.

Përshkuam rrethrrotullimin , ku është ngritur shtatorja e presidentit amerikan Uillson, ndanë të cilit sëriten dhjetëra kafene, por i huaji që sapo kishte filluar të fliste gjuhën tonë të mrekullueshme, nuk po kujtohej të uleshim gjëkundi.Aha; këtu nuk do të rezistojë dot pa u ulur, thashë me vete gjithë besim, kur u futëm në Bllok dhe, po lëviznim përpara me vështirësi , duke bërë zigzag përmes tryezave të vendosura edhe përgjatë trotuareve. Por s’doli gjë …

Së fundmi mbërritëm në qendër, te Skënderbeu, pra dhe unë nuk ngurova t’i propozoj të huajit të rrinim në njerën nga kafenetë, te kolonada e Pallatit të Kulturës. Aha, po po , ma ktheu ai, që sapo kishte nisur të fliste shqip, si i zënë në befasi, ngaqë tërë kohës, veçse vëzhgonte dhe bënte fotografi me një aparat amatorësh.

Sot është ndonjë ditë e veçantë në Shqipëri, më pyeti kur u ulëm në kafene, në ca karrige të rënda prej metali, te të cilat, atij i mbetën sytë. Dua të them, u sqarua më tej, a është sot ndonjë festë kombëtare, që kanë dalë të gjithë qytetarët në rrugë ? Jo, ia ktheva enkas me një flegmatizëm të shtirur; është një ditë krejt e zakonshme , por në Tiranë, çdo ditë është në vetvete një festë. Festa e Kafes. Nuk ka kafe transit; pirja e saj është një agjendë e mirëfilltë e ditës, një herë në mëngjes, një herë pasdreke.Oho; shpërtheu plot humor i huaji, që po na mësonte gjuhën , por që kur e ka zanafillën kjo Festa e Kafes, këtu te ju ? Mesa di unë, as në Brazil , por as edhe në Kolumbi, nuk ka një festë të kafes… Te ne, iu përgjigja unë, përsëri me atë flegmatizmin e shtirur, ka filluar që më nëntëdhjetën, me t’u çliruar nga komunizmi. O, Zot, thirri i huaji, të gjithë  të rehatuar përpara filxhanit të kafes ! Por, a bëlbëzojnë sakaq ndonjë lutje, fjala vjen ? Kulti i kafes, nuk përmban ende ndonjë lutje , gjatë ushtrimit të tij nëpër këto tempuj të improvizuar, ia ktheva, dhe s’di pse, kisha nisur të zbavitesha. Por, me siguri, edhe i huaji, po zbavitej gjithashtu. Por të paktën, në Brazil, ndryshe nga ju, unë di që ka një festë për kafen, a, por krejt me një inspirim tjetër dhe, me një zanafillë absolutisht të papërputhshme me këtë tonën…

Deri tani në ceremoninë e tij, vazhdova, përfshihen veçse muhabete me orar të pakufizuar, sharjet e qeverisë, futbolli, mbushja intriguese e lotarive sportive, politika kombëtare dhe botërore, hesapi i pasurive të tundshme dhe të patundshme të politikanëve dhe, në disa tryeza të veçanta, edhe këmbimi i librave të rinj, të ashtuquajturat enciklopedi të krahinave me tradita të larta patriotike, sepse, duhet t’jua bëj të ditur patjetër se, në Shqipëri, të gjithë shkruajnë, të gjithë pikturojnë, hehe, dhe të gjithë këndojnë. Oho, pa dyshim ; po këto femrat me shalët e tyre kaq ngacmuese që i kanë zbuluar tërësisht me bujari, a përfshihen detyrimisht ; a është një kusht prania e tyre, dua të them, për ushtrimin sa më me përkushtim të Kultit të Kafes ? Eh, kulti zhvillohet dhe përsoset pareshtur dhe pa u ndalur. Në këtë process veprojnë po ato ligje të pashkruara që veprojnë edhe te letërsia orale; pra, qetësisht dhe, pa sforco. O, dëgjoni, ç’detaj të mrekullueshëm do t’ju rrëfej, por ç’detaj, thelbin vetë të çështjes në fjalë, do t’ju rrëfej: n’ato kafenetë e ngritura mes pemëve të larta, në ditët e përvëluara të verës, këndojnë motivin e përtacisë gjinkallat shurdhuese të La Fontenit !

Ah, ç’mrekulli ! Por sa kushton një kafe, këtu te ju, pyeti i huaj , që sapo kishte filluar të mësonte gjuhën tonë të bukur. Kudo që të ulesh , nuk paguan në asnjë rast më tepër se tetëdhjetë , apo nëntëdhjetë cent për një kafe. Pa shih; mendova se, në disa kafene, mund të kushtonte edhe dy apo, tri euro. Por një minutë, një minutë, të lutem ; Kulti përfshin edhe kafet që kushtojnë njëqindmijë euro, pesëqindmijë, por, përse jo, edhe kafet që kushtojnë njëmilion euro, dymilionë ,tremilionë… Nuk po të ndjek dot; si ta kuptoj këtë kosto, apo tashmë po bën thjesht shaka ? Tashmë jam plotësisht serioz. Rrallëherë madje, mbërrij të jem kaq serioz, deklarova, duke vazhduar me flegmatizmit tim, si për të lënë të kuptohej, se po tregoja gjëra krejt të zakonshme. Nëse ti ndërhyn në një pazar droge, apo armësh me anë të dikujt; nëse kërkon të të mbarojnë ndonjë punë pra, jo fort të ndershme dhe të hijshme, ti do të pyesësh së pari atë sipërmarrësin , sesa i kushton kafja, kafja metaforike në këtë rast, që do të thotë , sesa kërkon për të kryer atë punën që i ke besuar. Është një mënyrë të shprehuri, sa e koduar, aq edhe eufemike, duke pasur parasysh se, kësisoj, shmangen ca terma, gjithsesi dekonspirative, akuzuese, që nënkuptojnë veprimtari kriminale… Haha; pa më dëgjo mua tani, që ta marrësh vesh, sesa nxënës i mirë jam; sa na kërkon kumbari për kafen ? Mirë e ndërtova pyetjen e koduar ? Sepse kultet, të gjithë pa përjashtim kanë kodet e tyre; hahaha ! O ,shumë mirë, e lavdërova të huajin, por kur the se ke ardhur në Tiranë, dje ? E pabesueshme !

Kafenetë e Tiranës …

SHKARKO APP