“Kafshova buzën që…”, gazetari i ‘Top Channel’ tregon incidentin që i ndodhi në Astir gjatë transmetimit ‘live’
Jo të pakta janë rastet kur gazetarët përballen me incidente të papritura gjatë punës së tyre të përditshme.
Rasti i pak ditëve më parë me gazetaren kanadeze Krista Sharpe, e cila u ngacmua seksualisht me fjalë të rënda teksa ishte duke raportuar në rrugë ishte dhe ngacmimi për këtë diskutim.
Video e saj u bë virale dhe u mbështet nga shumë njerëz online, pasi ajo ndërpreu transmetimin dhe nuk po mundej që të vijonte.
I ftuar në “Wake Up”, gazetari i Top Channel, Andi Bora ka rrëfyer disa nga momentet e tij më të vështira.
“Një nga incidentet ka qenë në zonën e Astirit, ku po bëhej aksioni për shembjen e banesave për t’i hapur rrugë projektit për ndërtimin e Unazës së Madhe. Ka qenë një moment kur filluan të më ofendonin dhe unë bëra vetëm një shenjë duke i thënë: ‘të lutem se jemi në transmetim live’. Kafshova buzën për t’i thënë që mos fol, se jemi live. Merr mikrofonin dhe e hedh. U desha të menaxhoja, pasi në një moment u kthyen të gjitha kamerat nga unë. Ky është misioni që kemi marrë përsipër.
Zotëria dy ditë më pas ka ardhur dhe më ka kërkuar falje, sepse sërish shkova të raportoja. Një ditë pas ngjarjes ata ishin të ftuar në Open me Eni Vasilin dhe ajo u kërkoi banorëve që të më kërkonin falje për atë që ndodhi. U qetësua si gjë”, u shpreh Andi.