Kamza, si kryeqyteti i ri i opozitës shqiptare!

Nga Alfred Peza –

Vetëm pak orë pasi opozita e bashkuar vendosi që më në fund, pas 9 muajsh sorrollatjesh e hallkatjesh, të thërrasë më 16 shkurt popullin opozitar në protestë, del në pah një fenomen shumë interesant. Një fenomen, që është treguesi më i qartë i gjendjes reale në të cilën sot ndodhet opozita shqiptare. Qoftë kjo në aspektin e nivelit të mbështetjes popullore, qoftë në aspektin e nivelit të organizimit politik, e qoftë në aspektin e vizionit të lidershipit të saj, për të ardhur nesër në pushtet.

Le ti marim me radhë çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit.

Ajo që i bën të gjitha bashkë sjelljet, pritshmëritë dhe veprimet e opozitës shqiptare, sapo ajo shpalli datën dhe orën e protestës, është një dhe vetëm një emër. Eshtë Kamza. Eshtë kryetari i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu. Të gjitha rrugët, fijet, shpresat, pritshmëritë, nevojat dhe shpëtimi i opozitës sonë, i liderëve dhe drejtuesve të saj janë tek një emër.

Kamza dhe Xhelal Mziu janë shndërruar sot në demokraci, si “patatja” e dikurshme e Enver Hoxhës. Ato janë edhe “buka” edhe “gjella” politike dhe elektorale e opozitës sonë. Janë edhe dielli, edhe hëna! Ato duket sikur janë shndërruar në periskopin e një nëndetëseje, nëpërmjet së cilës, nga atje brenda ku janë zhytur të gjithë krerët e opozitës sonë, po mundohen që shohin prej aty, hozontin e të ardhmes së tyre. Shohin prespektivën e një pushteti të ardhshëm, që sot fillon dhe u mbaron nga Kamza. Nga kryetari I bashkisë së saj, Xhelal Mziu.

Ndaj nuk është rastësi, që në këto 24 orë pas “vendimit historik” të liderëve të opozitës sonë, për të zhvilluar më në fund edhe ata vetë një protestë, Kamzën e vizituan me radhë që nga Presidenti i Republikës Ilir Meta, Kryetarja e Lëvizjes për Integrim Monika Kryemadh dhe gati gjysma e sekretarëve të rinj dhe anëtarëve të Partisë Demokratike, që u zgjodhën në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar. Me përjashtim të kreut të shtetit që njoftoi se ndodhej “rastësisht” për aktivitete të tjera, politikanët e opozitës është e sigurtë që kanë qenë atje, në funksion të protestës.

Kamza siç e ka nisur, pritet të shndërrohet deri në 16 shkurt, në një qendër peligrinazhi për të gjithë drejtuesit e tjerë më të lartë të partive të Opozitës së Bashkuar shqiptare, por sidomos atyre të PD dhe LSI.

Po pse e gjithë vëmendja e opozitës sonë është për… Kamzën?

Eshtë fare e thjeshtë. Sepse Kamza është një bashki që drejtohet nga demokratët. Nisur nga rastet e tjera të organizimit të protestave opozitare në Tiranë, pjesëmarrja më e madhe e tyre deri më sot, ka ardhur kryesisht nga kjo bashki. Mediat kanë raportuar shpesh, se kontigjentet kryesore të protestuesve që vijnë nga Kamza, janë punonjës të administratës apo ndërmarrjeve të kësaj bashkie që është një nga më të mëdhatë në Shqipëri. Pjesa tjatër mund të jenë punonjës të firmave private, që kanë përfituar nga shërbimet apo tenderat e saj, si edhe votues, mbështetës dhe përkrahës tradicionalë të Partisë Demokratike.

Eshtë pikërisht ky edhe faktori “X”, që e bën kaq shumë të rëndësishme Bashkinë e Kamzës dhe vetë Kryetarin e saj Xhelal Mziu, në sytë e liderëve të opozitës këto ditë. Të paktën deri më 16 shkurt. Sepse ndryshe nga gjithë aktorët dhe faktorët e tjerë politikë kudo në botë, për opozitën tonë, metropoli nuk është Tirana. Në kuptimin politik dhe elektoral. Si qyteti më i madh. Si qendra urbane me numrin më të madh të popullsisë dhe të votuesve. E për rrjedhojë, edhe me numrin më të madh të përkrahësve dhe mbështetësve. E për rrjedhojë edhe me numrin më të madh të pjesëmarrësve në protestë.

Për opozitën tonë, ka kohë që me sa duket, kryeqyteti i mbështetjes së saj politike dhe elektorale, nuk është Tirana por Kamza. Eshtë kjo edhe arësyeja e vërtetë me sa duket, se përpara se të organizojnë një protestë në Tiranë, të gjitha rrugët e opozitës sonë të çojnë në Kamëz. Se ku të çon kjo, nga pikpamja e strategjisë opozitare dhe prespektivës politike e elektorale, kjo me sa duket nuk paska fare rëndësi për lidershipin e saj. Për ta, më e rëndësishmja është që më 16 shkurt në Tiranë, të ketë sa më shumë protesues… nga Kamza.
Alpenews.al

SHKARKO APP