Kënga për Erdoganin, Jazexhi: Porosi e Ramës. Jemi popull servil
Kënga e një grupi polifonik nga Fieri, kushtuar presidentit të Turqisë Recep Tayyip Erdogan, është tema që po diskutohet në emisionin “Politik On” në RTV Ora.
Alfred Lela: Çfarë bën Olsi Jazexhi në një vend “qafirësh” si Kanadaja?
Olsi Jazexhi: Kanadaja nuk është një vend qafirësh. Është një vend teokratik, i cili që kur u themelua nga Kardinali Rishelje, me pushtimin francez, u themelua si një vend në emër të mbretit dhe të kishës. E para e Kanadasë, që është Mbretëresha e Londrës, është gjithashtu edhe kryetarja e Kishës Anglikane. Pra, Kanadaja nuk është vend qafirësh por lexoni Kushtetutën e Kanadasë. Kanadaja është një vend me besimtarë.
Sa i përket këngës dedikuar Erdoganit, Jazexhi u shpreh se, shqiptarët si popull janë servilë.
“Mu duk një këngë e bukur. Një këngë që i shkon për shtat popullit tonë servil. Mendoj se kënga është bërë me porosi të kryeministrit tonë Rama. Duhet ta kujtojmë publikun shqiptar që, babai i Edi Ramës, Kristaq Rama, ka bërë bust për Haxhi Qamilin. Ne shqiptarët, duke nisur nga koha e At Gjergj Fishtës, ku i bënte himne perandorit austriak pushtues Franc Jozefit, apo kur i bënte Sulltan Abdylhamitit, e kemi si popull këtë servilizmin, në gjak”.