Krekosen me lepurin në bark apo struken prapa “Eskobarit” ?!

Nga Kristo  Mërtiri

-Ore babam, kujt i bëri magji ky “Eskobar” Balili, që mbi dy vjetë e gjysëm arriti të mbrohet mrekullisht me veprime cudibërëse përballë shtetit dhe pushtetit të radhës ?,-më pyeti pardje në mesditë një miku im dibran, hokatar e thumbues aspak i rëndomtë, teksa po hyja te Ura e Tabakëve në Kryeqytet.-Aman, më qafsh, nuk është llafi thjesht për paragjykime mistike e fetare. Sepse tani po duket sheshit që ai nuk paska ndenjur hic si macja nën sofër. Dhe as u krekos gjëkundi si macoku në thekër. Por ama, jo vetëm përgjigjet e tij publike, tregojnë ashiqare se nuk u struk diku thellë nga frika daulleshpuar e “Forcës së Ligjit” që vazhdon të bjerë me tam-tame propagandistike sot e gjithë ditën nga majat ekzekutive të Policisë e të vetë Ministrisë së Brendëshme. Të rrimë shtrembër e të flasim drejt : Ky “magjistar” kampion, sa takat paska patur “të ndikojë mbi njerëzit” me poste të rëndësishme lokale e qendrore ? Mos është magjistrat ekselent nga ata të kohës së lashtësisë ? Më beso, nuk dua të bëj vetëm hajgarë janari. Të jetë vërtet si ata magjistratët e njohur të Romës e Athinës, domethënë “zyrtar i lartë shtetëror i zgjedhshëm, që kishte pushtet juridik, administrativ ose politik” ?! Apo ndoshta ngjan shumë me ata tipat e rrallë që “të hedhin sërën”, të magjepsin deri në paralizë të rëndë institucionale (policore, hetimore, juridike, shërbimi i Inteligjencës etj.). Shkurt muhabeti, mos vallë një ditë i erdhi në majë të hundës, u mërzit e u sfilit dhe u prek fort në sedër mbi 36 muaj, pasi u vërtit ku i deshi kokrra e qejfit ?…

Njerëzia fryn e shfryn dëshpërimisht, në qytet e në fshat. Dhe jo vetëm në Delvinë, në Stjar a në Sarandën time të bekuar nga Zoti e të shpërfytyruar dhunshëm nga duart e pista të Polit(h)ikës pluraliste pa din e iman. Se ajo kënga popullore tashmë e famshme nëpër dasma e gëzime familjare, ka marrë dhenë brenda e jashtë Shqipërizës sonë. Madje shpesh kthehet vetiu në vallet më të ndezura ku zbrazen malle e derte, por pse jo edhe dufe proteste shpirtërore : “Moj Sarandë e moj Delvinë/ Kush ua prishi bukurinë !”. Në emigracionin ekonomik të detyruar, kam parë nga afër edhe mjaft sy nga kjo trevë e lakmuar dhe e adhuruar, sy të rrëmbushur dhimbshëm nën tingujt e orkestrës amtare gjatë festave të ndryshme kombëtare. Janë nga ajo racë që vendlindjen e marrin me vete nëpër udhët helm të kurbetit, arrati e kurbet që i ndau njerëzit për së gjalli…Ndërsa Politika e Tiganit po mbush tre dekada që po i merr frymën Atdheut, duke e boshatisur pa mëshirë nga bijtë e bijat e veta të varfër e të kamur. U përmbytën ekranet, mikrofonat, gazetat e pordhalet( kështu i qesëndisin në Vlorë),nga përrenjtë plot hamëndje, opinione, komente e halucinacione delirante rreth “Eskobarit të Ballkanit” ! Sidomos pas lajmit hidhërak e kulpërak për “arrestimin” a “vetëdorëzimin” e tij jo pak teatral. Mirëpo lind natyrshëm pyetja : A ngritën vërtet kandar për Drejtësinë uloke e marroke ? Apo rrahin më kot ujë a hudhra në havan druri, tunxhi, porcelani e qelqi ?! Sepse deri ditët e fundit, në praktikën mbi dy vjecare e gjysëm dukej qartë dhe prekej realisht ajo urtësia : Peshku në det, tigani në zjarr ! Vecanërisht në metropol, tigani politik herë nxehej e herë ftohej. Vetëm ca cironka e humbisnin davanë. Tigani “digjej” shpesh pa fërguar asgjë ! Dhe nuk dallohej mirë, ishte prej alumini a prej bakri. Ishte i kallajisur apo i ujdisur nga magjistratët mashtrues të Polit(h)ikës. Një okë e pesë, një okë pa pesë, pak a shumë aty-aty janë ! Se peshqit e mëdhenj rrojnë e mbretërojnë realisht në atë gjiriz erërëndë gati 30 vjecar, në kupolën politike të këtij Tranzicioni shqiptar të pafund e me drama të mëdha sociale. Kjo kupolë e ndryshkur e zullumqare gjer në fyt, duhet shporrur nga drejtimi i vendit. Përndryshe, Shqipëria jonë hallemadhe do të lëngojë gjatë…

Mjaft taksapagues të thjeshtë e të ndershëm në Sarandë e Delvinë, këto ditë qeshin, ngjeshin e përqeshin, ngrenë supet e pyesin drejtpërdrejt : More të uruar, zamet e kini, na thoni të paktën se c’lloj peshku ishte, fluturues (dallëndyshe deti); peshk elektrik (nga ata që lëshojnë xixa); peshk guri (nën shkëmbinj deti a lumi dhe që nuk hahet); peshk pëllumb (ai i sojit të peshkaqenëve) apo dora vetë peshkaqeni i bardhë grabitqar ?! Se mos katandiset si ata të rezervateve me pronarë lepepeqe e dorëlëshuar para Drejtësisë (?)…Se qeveritë mund ta zënë lepurin por edhe peshkun me qerre, por në asnjë mënyrë “Eskobarin” e as “Magjistarin”. Aq më tepër që i pagëzuan publikisht Ndërkombëtarët ! Më duket se po i del llafi gjyshit tim : Disa nga këta firaunë, ia fusin si kau pelës… Ose më tej. Për Balilin u tha se i paska kursyer arkës së Shtetit mbi 50 mijë euro ! Por cuditërisht harruan plus 100 mijë eurot “shpërblim” për cilindo rob zoti që do tregonte saktë vendndodhjen e tij. Mos ishte futur si puna e djallit në shishe ? Megjithatë, ka ende të tjerë që besojnë se u vetëdorëzua “ me urdhër të peshkut “. Medet, c’na gjeti ! Askush nuk i jep karar, pa le më hakun…

Politika ndërsehet gjoja me hingëllima, bubullima e hakërrima. Jehonat e saj dridhen, vërshojnë e përdridhen me një gjuhë përgjëruese nëpër median elektronike e të shkruar. Si gjithnjë, nëpër hone dhe rrungaja të majta e të djathta partiake. Për ndonjërin paska rëndësi antiharresa e Baladës së mocme të Fjalës së Dhënë : “Magjistari” i Delvinës premtoi herët vetëdorëzimin, pasi të bëhej gati dosja për në gjykatë. Dhe nuk e theu hic fjalën. Pra, “kija inatin dhe foli hakun”! Sepse njerëzia në Stjar, e jo vetëm, dëshirojnë t’i jepet e drejta që i takon, hakce. Pa shkelur asnjë fije Kushtetutën e Republikës. Dikush tjetër nga nahija e “Eskobarit”(unë dyshoj jo pak) rrëfente se ai mban një si hajmali në qafë, për t’u mbrojtur nga rreziqet e fatkeqësitë etj. etj. Mirëpo, a i patë deputetët e “pjellur” nga kryetarët, në Parlament ? Hakërrima e britma të egra shumë, ngrefosje e krekosje të pështira. Dhe kujtova ca ditë janari të viteve të shkuara kur isha korrespondent i përhershëm me rezidencë në Sarandë. Nëpër rrethinat e Stjarit dhe sidomos mbi Qafën e Muzinës thoshnin shpesh se “këtu hakërrehet edhe era” ! Në ditët e sotme, mazhoranca e opozita po ia bëjnë mendjen miletit corap, me mikrofona e kamera, me fjalimet me bojë a me gojë, me fejsbuqe e ulluqe… Ca mistere të politikës së nëndheshme po dalin në dritë. Ndaj i ziu popull qesh e tallet tashmë me ata liderë e kalanderë që shesin brockulla me okë (“Qaj, moj Shqipëri,/ Ulëri e gjorë !”). U bënë vite e dekada që mashtrojnë e mistifikojnë “duke shpërdoruar mirëbesimin” e votës së dhuruar deri edhe qorrazi, pa ditur fare për kë konkretisht. Dhe një ditë prej ditësh, tjetërsohen e shfaqen të mbinatyrshëm mbi kolltuqet e pamerituara. Të fshihesh sot prapa “Eskobarit” nuk është njëlloj si të shullëhesh prapa mullarit të barit dhe pa ndonjë lepur në bark ! Me siguri, shteti i vërtetë i së Drejtës do të bëjë që të shkojë haka tek i zoti. Pa tiganë e hakërrima, pa pallavra e ulërima, pa gënjyer shqiptarë e ndërkombëtarë. Këta të fundit, personalisht besoj se nuk e kishin seriozisht atë pyetjen e varur si gozhdë në murin-beton të korrupsionit politik, moral e ekonomik : “Kush e ka radhën ?”. Shaka e hidhur ! Kujt ia shesin këtë “padituri” proverbiale ? Qytetarëve apo cironkave në ndjekje penale ?!Krimin e organizuar dhe atë të paorganizuar i ka mbajtur dhe i mban gjallë kjo kupolë politike majtas e djathtas, që e bëri trokë njerëzinë, Shqipërinë. Po u dehën këta të “dhëmbshur” nga emërtimet “Eskobar” a “Magjistar”, fakirfukarenjtë e të kamurit e ndershëm do ia thonë avazit “Selanik e tatëpjetë, sic ka qenë do të jetë”!…Ka prova apo nuk ka prova për rastin konkret, këtë e vulos Drejtësia e vërtetë. Jo kjo e derisotmja që po mbush 30 vite teksa përpëlitet nën kthetrat tinëzare te mjaft politikanëve të “përvëluar” nga meraku nëpër vilat e pishinat verore e dimërore. “Dëgjo mua, miku im, këta janë Eskobarët më të mëdhenj në vendin tonë”,-më tha mbrëmë i irrituar një mëhallali tiranas që i shkoi jeta nëpër veprat energjetike të monizmit dhe sot merr një pension qesharak e tepër fyes. Ish partizani, montator i talentuar që paguhej cdo muaj në hidrocentrale “më shumë se Enveri”, shkoi edhe më tej : Sa për atë oficerin e policisë gjermane që ka mbushur gazetat duke e quajtur shtetin tim si “shtet i maskarenjve”, dua t’i them dy fjalë si shtetas shqiptar e veteran i LANC-it. Le t’i nxjerrë ujin e zi trafikut të drogës e të femrave ose pushtetit të radhës, por nuk mund të shajë e akuzojë pa doganë një shtet të tërë ! Fjala vjen, sikur ai të marrë vesh vetëm origjinën time nga Borova martire(pa hyrë në episode të tjera  që do drithërojnë të gjallë e të vdekur brez pas brezi dhe pa ia kthyer me të njëjtën resto), atë lloj definicioni, përcmimi e titulli të turpshëm, besoj do e përgënjeshtrojë e do e fshijë menjëherë nga mediat në print a internet. Por edhe vetë botuesit e papërgjegjshëm gjermanë. Sepse në fund të fundit, sic thoshte i pavdekshmi Gëte:”Cili është kritiku më i ashpër ? Një diletant që nuk ia ka dalë dot në krye”…Ose do u lë si amanet dicka : Mos e harroni kurrë proverbin tuaj “ Lumturia dhe ylberi nuk shikohen kurrë mbi shtëpinë tënde, por vetëm mbi shtëpinë e të tjerëve”…

SHKARKO APP